Ballina Bota “Jelekët e verdhë”, revoltë apo revolucion?

“Jelekët e verdhë”, revoltë apo revolucion?

Protesta e radhës e paralajmëruar nga “jelekët e verdhë” për të shtunën ka shkaktuar jo pak shqetësim te autoritetet franceze. Madje, një burim qeveritar ka pranuar për “Le Figaro” se ekziston mundësia e një grushti shteti. Ndërkohë, sipas të njëjtës të përditshme, forcat e rendit “janë përgatitur për më të keqen”. “Jelekët e verdhë”, protestues nga e gjithë Franca, kërkojnë anulimin e taksës së mjedisit, e cila e rrit çmimin e karburantit. Pjesa më e madhe e protestuesve janë banorë të zonave rurale dhe periferike, të cilët të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale kanë mbajtur “mbi gjemba” qeverinë e presidentit Emmanuel Macron prej më shumë se tre javësh. Ndërsa pritet manifestimi i madh i së shtunës, protesta të përmasave më të vogla në rrugët e Francës ka përditë. Të frymëzuar nga “jelekët e verdhë”, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme kanë protestuar në disa qytete franceze. Ata kanë djegur makina dhe janë përplasur me policinë. AFP raporton për 146 të arrestuar gjatë protestave para dy shkollave të mesme në Mantes-la-Jolie.

Në Seine-Saint-Denis, që ndodhet në rajonin verior të Ile-de-France, protestuesit bllokuan hyrjen në 37 shkolla të mesme dhe dy kolegje. Përleshjet me policinë raportohen gjithashtu në qytetet e Lionit, Marsejës, Tuluzës dhe periferitë e Parisit. Në disa raste, studentët kanë qenë të pajisur me shkopinj dhe janë konfrontuar me policinë. Situata e krijuar gjatë këtyre javëve në Francë i ka bërë shumë të hedhin idenë se atje ka nisur një ndryshim i madh, në kufijtë e një revolucioni.

Michel Bierd, historian i specializuar në Revolucionin Francez dhe profesor i asociuar në Universitetin e Rouen-it, në një intervistë për “Le Figaro” flet për termat revoltë dhe revolucion, që e kanë shoqëruar protestën qëkur nisi të marrë përmasat e një manifestimi masiv, në disa raste edhe të dhunshëm.

“Absolutisht jo, nuk mund të flasim për revolucion. Fjala revolucion nënkupton një ndryshim brutal e të dhunshëm dhe vjen nga shekujt XVII e XVIII. Jo i dhunshëm në kuptimin fizik të fjalës, por në pamundësinë që mendohet në fillim të lëvizjes.

Një zhvillim që prek pushtetin politik krejt papritur, siç ka ndodhur edhe atëherë. Revolucioni nënkupton që njerëzit që e bëjnë atë janë të vetëdijshëm për ta udhëhequr, për ta jetuar. Që në fillim të vitit 1789, në titujt e gazetave lexoje fjalën revolucion. Kishte fjalime, ngjarje të tjera që lidheshin me të: partitë, përkujtimet, krijimi i shoqatës së fitimtarëve të Bastijës.

Një revolucion është një ndryshim i papritur, në mënyrë të tillë që bëhet i paharrueshëm. Termi revolucion nënkupton vullnetin për të ndryshuar regjimin rrënjesisht. Nuk është vetëm ideja e përmbysjes së një presidenti, një mbreti apo një perandori. Është një çështje e tronditjes së asaj që prek të gjithë skenën politike, fetare dhe sociale”, shprehet ai.

Për Bierd, protesta mbarëkombëtare e “jelekëve të verdhë” nuk i kalon kufijtë e revoltës.

“Ne këtu kemi të bëjmë me një revoltë apo një grup revoltash. Dikush që ngre krye kundër një autoriteti ose kundër asaj që mendon është një vendim i padrejtë.

Kjo revoltë mund të marrë formë shumë aktive, si përleshjet në rrugë apo hedhja e gurëve, ose formë pasive si një vendim i tipit “unë nuk do të shkoj për të votuar” ose opinion se “ata janë të gjithë të njëjtë””, shpjegon ai.

Përgatiti: Gazmira Sokoli

@tn.lajmelokale
@tetovanews