Ballina Suplement Intervista Ish-prokurori amerikan porosit institucionet e drejtësisë në Kosovë: Një person mund të...

Ish-prokurori amerikan porosit institucionet e drejtësisë në Kosovë: Një person mund të ndryshojë sistemin

Ish-prokurori amerikan Terry Hake, i cili ka qenë në Kosovë në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, ka dhënë një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se mësimi kryesor që Kosova mund të marrë nga ai, nga shumë sa ka, është se “tregimi që ua kam treguar gjykatësve, prokurorëve e studentëve në Universitetin e Prishtinës, është se një person mund të ndryshojë sistemin”.

“Nëse një person vendos që ai ose ajo do të bëjë diçka me problemet në qeveri, në forcat policore, në sistemin e drejtësisë, e kudo, ata mund ta bëjnë dallimin nëse janë këmbëngulës dhe nuk kanë frikë që ta ngritin zërin”, ka thënë Hake.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me Hake:

Rexha: Besoj që është hera e parë që jeni në Kosovë. Cilat janë përshtypjet tuaja të para?

Hake: E shoh që njerëzit janë të mrekullueshëm. E shoh që vendi po bën përparim të madh për të marrë vendin e vet në BE dhe në NATO. Kam shpresë se të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt.

Rexha: Ju jeni këtu për Javën Kundër Korrupsionit, që u organizua me shumë ngjarje javën e kaluar. E kemi lexuar biografinë tuaj dhe e kemi parë dokumentarin ku keni qenë pjesë, për atë që keni bërë si ish-prokuror dhe avokat në operacionin e famshëm të njohur si ‘Greylord’. A mund të na shpjegoni se cila ka qenë puna juaj edhe pse ka kaluar një kohë shumë e gjatë.

Hake: Po, është vështirë e besueshme se para 35 vjetëve ndodhën aktakuzat e para për këtë rast, dhe kjo ndodhi pikërisht para 35 vjetësh në muajin dhjetor.

Rexha: A mund të na shpjegoni çka kishte ‘Greylord’?

Hake: ‘Greylordi’ ishte një hetim sekret në sistemin e drejtësisë në Cook County të Illinois. Kishte 325 gjykatës në Chicago, kur nisi ky hetim në vitet ‘80. Faza e hetimeve sekrete nisi në vitin 1980. Gjysma e këtyre gjykatësve merrnin ryshfet për të vendosur çështjet penale dhe ato civile, siç ishin divorcet. Ishte e pabesueshme se çfarë po ndodhet në Chicago Cook County.

Rexha: Si ndodhi hetimi? Çfarë bëtë ju, kur nisët hetimin e fshehur?

Hake: Unë e përfundova Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1977 dhe nisa punën në Zyrën e Prokurorit lokal në Chicago. Unë vazhdova ngritjen në sistem dhe pas dy vjetësh vendosa të punoj në sektorin e vrasjeve, dhunimeve dhe abuzimeve me fëmijë. Sipas sistemit amerikan, seancat fillestare janë seancë pa juri dhe shërbejnë për të vendosur nëse ka dëshmi të mjaftueshme për ta mbajtur një të dyshuar për gjykim. Pra, nuk kishte juri në seancat fillestare dëgjimore. Ajo çfarë ndodhte ishte se gjyqtarët i lironin shumicën e të dyshuarve dhe ky ishte një sinjal që po pranohej ryshfet nga ana e avokatëve mbrojtës, në mënyrë që gjykatësi të merrte vendime në favor të të dyshuarve. Dhe, këtu kishim të bënim me raste të vrasjeve, dhunimeve dhe abuzimeve me fëmijë. Rastet më serioze në sistemin tonë të drejtësisë. Prandaj, unë u ankova te mbikëqyrësi im në zyrën e prokurorit, me atë që po shihja se po ndodhte në atë gjykatore. Ajo që ndodhi ishte se një institucion federal, siç është FBI-ja, nisi një hetim të fshehtë dhe këtë nuk e bëri drejtësia në Chicago apo Cook County. Ata ishin të informuar që unë së fundi isha ankuar për korrupsionin që shihja në këtë gjykatore sa u përket rasteve të vrasjeve dhe dhunimeve. Qeveria qendrore më kërkoi që të bashkëpunoja me ta dhe të punoja si prokuror në rastet e narkotikëve.

Rexha: Si eci gjithçka? Ju punonit si prokuror, por me punë nga FBI-ja?

Hake: Po. Unë shkova të punoj në gjykatoren, ku shef ishte gjyqtari Olson, dhe merrej me rastet e narkotikëve. Unë u shtira si prokuror i korruptuar dhe mbaja me vete përgjues gati çdo ditë për 9 muaj. Avokatët mbrojtës më paguanin mua ryshfet, për t’ua larguar rastet e tyre me narkotikë.

Rexha: Dhe, ju do ta bënit këtë sepse ishte pjesë e operacionit?

Hake: Po. Ishte pjesë e operacionit ose e rrengut, nëse mund ta quajmë ashtu.

Rexha: Dhe, ju kishit gjithçka të incizuar, kur këta avokatë ju jepnin juve ryshfet për rastet e tyre?

Hake: Po. Dhe, gjatë kohës sime në zyrën e gjykatësit Olson, ku isha për 9 muaj, unë grumbullova dëshmi, për atë që e quajmë për shkaktarët e mundshëm, për të besuar se krimet po kryheshin në dhomën e tij të gjykatës, se edhe atij po i paguhej ryshfet. Prandaj, vendosëm ligjërisht një përgjues në dhomën e tij të gjykimit dhe incizuam se si ai mori para nga 10 avokatë në 6 javët në vazhdim. Rëndësia e saj ishte se kurrë nuk kishte ndodhur më parë në SHBA, që të kishte përgjues në zyrën e gjykatësit. Kjo ishte hera e parë në sistemin e drejtësisë të SHBA-së.

Rexha: Cila ishte shuma e parave që ofroheshin?

Hake: Kjo është një pyetje interesante. Nuk do ta besoni se sa lirë kushtonte për të zgjidhur një rast krimi. Në disa raste, ai merrte 50 dollarë, 100 dollarë, por nëse donit të shkonit në gjykatë për klientin që ishte zënë me heroinë, do t’ju kushtonte 300 dollarë për ta korruptuar gjyqtarin për këtë rast. Ende mendoj se bëhet fjalë për pak para.

Rexha: Pastaj e ndërruat rolin, dhe u bëtë avokat.

Hake: Po.

Rexha: Ju përsëri do të punonit për FBI-në dhe do të shkonit t’i korruptonit gjykatësit dhe prokurorët apo jo?

Hake: Po. FBI-ja vendosi që do të isha më i dobishëm që të jepja dorëheqje nga zyra e prokurorit. Do të vazhdoja të punoja në mënyrë të fshehtë, por tani isha avokat mbrojtës. Duke u bërë i tillë, mund të provoja të korruptoja dikë nga 300 gjyqtarët në Cook County. Dhe, këtë e bëra në 2 vjet e gjysmë në vazhdim. Isha me mision të fshehtë si avokat për më shumë se 3 vjetët në vazhdim.

Rexha: Dhe, ata do t’i vendosnin rastet në favorin tuaj?

Hake: Po.

Rexha: Çfarë lloj rastesh ishin ato?

Hake: Ishin raste me vjedhje, grabitje, vozitje të gjendje të dehur, posedim të narkotikëve, vjedhje veturash. U aftësuam që të kurdisim raste të tilla.

Rexha: Besoj se u bëtë i njohur, meqë njerëzit tanimë e dinin se po i fitonit rastet dhe besoj se ju merrnin për avokatë.

Hake: Ky ishte një avantazh për një avokat vërtet të korruptuar. Po, ajo që u vendos në një gjykatë më të lartë në Washington, që avokatët të cilët punonin fshehtas me FBI-në, të mos merrnin përsipër raste të vërteta. Kjo, sepse këta kriminelë do të ishin të lirë, pasi të kishin paguar ryshfet dhe në këtë mënyrë, do të mund të kryenin sërish krime, ose krime më të rënda. Ajo që ndodhi ishte që agjentët e FBI-së erdhën nga i gjithë vendi, dhe shtireshin si kriminelë. Një shembull i vogël ishte që këta do të bënin një vjedhje në një dyqan, pra do të ishte krim dhe pasi të dilnin ata, do të arrestoheshin për vjedhjen në dyqan. Pastaj, ishte puna ime si avokat i fshehur, që të korruptoja gjykatësit për t’i liruar këta agjentë. Askush nuk e dinte se ata ishin agjentë, por kjo ishte puna ime.

Rexha: Kishte 103 gjyqtarë e avokatë që u akuzuan, si rrjedhojë e punës suaj?

Hake: Po. Unë nuk isha përgjegjës për të 103 rastet, por pjesa më e madhe ishte rezultat i punës sime gjatë kohës sa punoja në mënyrë sekrete.

Rexha: Gjykimet vazhduan deri në vitin 1994?

Hake: Po. Rasti i fundit u gjykua në vitin 1994. Rasti u bë publik në dhjetor 1983 dhe pastaj kishte gjykime për 10 vjet, deri në vitin 1994. Kishte edhe një rast të një vrasësi me pagesë, pjesë e mafias, që u gjykua në vitin 1997 në një gjykatë shtetërore, por edhe ky lidhej me operacionin ‘Greylord’.

Rexha: Dhe, ju dëshmuat në këto raste?

Hake: Gjatë 10 vjetëve sa kishte gjykime në gjykatat federale, unë isha dëshmitar në së paku 23 raste kundër zyrtarëve të lartë.

Rexha: Dhe, këta njerëz u dënuan?

Hake: Po, u dënuan. Një ose dy gjyqtarë ku isha dëshmitar, u shpallën të pafajshëm, por përndryshe, niveli i suksesit ishte 96 %.

Rexha: Ky vlerësohet si operacioni më i suksesshëm i FBI-së për natyrën e tillë të rasteve?

Hake: Operacioni më i suksesshëm sekret sa u përket rasteve me korrupsion të nivelit publik. Në përgatitje të ardhjes në Kosovë, e shikova faqen e FBI-së në internet, dhe ata ende e cilësojnë operacionin ‘Greylord’, si një nga 40 rastet më të suksesshme në histori. Ende është aty.

Rexha: Top 40. E jashtëzakonshme.

Rexha: Si e ka ndryshuar operacioni ‘Greylord’ mënyrën se si Chicago dhe të tjerët janë marrë me raste të tilla kriminale?

Hake: E ka ndryshuar shumë. Fillimisht, ata nisën të kenë frikë nga ne. Nuk e dinin se kush mund të jetë duke bartur një përgjues, nuk e dinin nëse dhomat e gjykatave mund të kishin përgjues, siç ndodhi me gjykatoren e gjykatësit Olson. Pra, ne i frikësuam ata. Por, kjo edhe e përmirësoi sistemin. Gjykata Supreme e Illinoisit, që i mbikëqyr të gjitha gjykatat në Chicago, i themeloi dy komisione që do të punonin në përpjekje për të sugjeruar përmirësime në gjykata. Kjo për të shmangur rregullimin e rasteve nëpërmjet ryshfetit. Gjërat u përmirësuan dukshëm. E di se kjo ndodhi, pasi që deri në fund të karrierës sime, që ndodhi para 3 vjetësh, unë u ktheva në punë si prokuror dhe avokatët mbrojtës që i takoja në gjykatore, më thoshin se tani ambienti për të punuar është fantastik, nuk kemi nevojë të paguajmë ryshfet më, bëjmë punë të ndershme dhe gjërat janë 100 % më mirë.

Rexha: A ndodh ende në SHBA që gjykatësit dhe prokurorët kapen në raste korrupsioni?

Hake: Po, ka ndodhur edhe në shtete të tjera. Te shteti ynë (Illinois, Chicago) rasti ishte më i rëndë ndonjëherë në SHBA. Por, kishte problem me gjykatësit në Philadelphia që merrnin ryshfet. Kishte probleme në Detrioit, pastaj në New York, gjithashtu edhe në një rast tjetër në Pennsylvania në vitin 2009, ku 2 gjykatës po merrnin miliona dollarë për të burgosur të akuzuar të mitur në burg, në mënyrë që kontraktori që kishte blerë burgun ta mbushte atë me njerëz, në mënyrë që të paguhej më shumë duke pasur të mitur për ta mbushur burgun.

Rexha: A u përdorën metoda të njëjta edhe në raste të tjera, a pate misione të fshehta për të parë se si korruptoheshin gjykatësit?

Hake: Në Philadelpia, në Detrotit dhe Cleavland e përdorën metodën e njëjtë. Besoj që në Pensylvania, në vitin 2009 arritën të merrnin informacionet nëpërmjet informantëve dhe kontraktuesit të burgut, që pranoi se kishte paguar milionat për këta dy gjykatës.

Rexha: Keni një javë që jeni në Kosovë, dhe besoj që keni takuar shumë njerëz dhe keni dëgjuar shumë tregime për atë se si funksionon sistemi i drejtësisë këtu. Cili është mësimi kryesor që Kosova mund të marrë nga ajo çfarë ju keni bërë?

Hake: Mendoj se mësimi kryesor, nga shumë sa ka, është se tregimi që ua kam treguar gjykatësve, prokurorëve e studentëve në Universitetin e Prishtinës, është se një person mund të ndryshojë sistemin. Nëse një person vendos që ai ose ajo do të bëjë diçka me problemet në qeveri, në forcat policore, në sistemin e drejtësisë, e kudo, ata mund ta bëjnë dallimin nëse janë këmbëngulës dhe nuk kanë frikë që ta ngritin zërin.

Rexha: Por, në fund të ditës, sistemi duhet të funksionojë. Juve ju duhej mbrojtje, që e kishit nga FBI-ja kur vendosët ta bënit këtë punë. Çka ju thanë gjykatësit dhe prokurorët lokalë për përvojat e tyre, për sfidat e tyre të të punuarit në Kosovë?

Hake: Ata na thanë se gjërat ende po zhvillohen këtu. Por, duke folur sidomos me Zyrën e Prokurorit, kam përshtypjen se ka shpresë për përmirësimin e gjërave. Videoja anti-korrupsion që e përmendët, do të ndihmojë. Studentët ishin shumë të interesuar të dëgjonin çka kisha për të thënë për etikën ligjore dhe si mund të veprojnë në të ardhmen sa i përket etikës së avokatit. Prandaj, ka shumë shpresë në këtë shtet, dhe mesazhi im kryesor është që një person mund të bëjë ndryshimin. Nuk do të ndodhë brenda natës, por ka shumë shpresë këtu dhe ka shumë njerëz që duan ta bëjnë gjënë e duhur për të përmirësuar qeverisjen këtu dhe sistemin e drejtësisë,

Rexha: Nuk e di nëse jeni i njoftuar. Kemi një prokuror i cili po punonte me një rast shumë serioz, siç ishte ai i veteranëve të luftës. Ai iku për në SHBA, për shkak të kërcënimeve. Çka i duhet një prokurori për ta çuar punën e tij deri në fund?

Hake: Duhet guxim personal, duhet sens i fortë i etikës. Për mua, ishte vendim shumë i madh të punoja si prokuror në mënyrë të fshehtë, sepse kisha vetëm dy vjet që kisha përfunduar Fakultetin e Drejtësisë. Kisha përfunduar gjithë këtë shkollë, dhe më thanë që nëse bëja këtë projekt, kurrë më nuk do të mund të punoja në sistemin e drejtësisë në Chicago. Kjo ishte shumë frikësuese. Por, unë kisha përkushtim dhe kisha neveri për mënyrën se si funksiononte sistemi. Nuk duhej të punonte me ryshfet. Kur unë e përfundova fakultetin, mësova se duhet të punoja në mënyrë të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në sistem. Prandaj, kjo më irritoi dhe bëri që unë të ankohem dhe të punoj fshehurazi në operacion.

Rexha: A u bëni thirrje prokurorëve lokalë që të bëjnë të njëjtë gjë, të ndjekin shembullin tuaj për të bërë diçka të ngjashme?

Hake: Po. Kur takova prokurorët këtu, u thashë atyre, siç ju thashë edhe juve, që një person mund të bëjë diferencën në një sistem të korruptuar. Mund të mos jetë e lehtë, por mund të bëhet dhe këtë e kam thënë vazhdimisht me të gjithë ata që i kam takuar, se ka njerëz që janë të përkushtuar dhe me këtë, mendimin se një njeri mund të bëjë diferencën dhe me shpresën që kam parë te njerëzit në sistemin e drejtësisë, jam i sigurt se ka shpresë.

Rexha: Ju e keni parë ndihmën e madhe që qeveria e SHBA-së ia jep Kosovës si një shtet i ri?

Hake: Po, absolutisht. Unë jam këtu me kërkesë të Ambasadës së SHBA-së. Ata sponzorizuan udhëtimin tim në Kosovë dhe kjo tregon se sa e përkushtuar është SHBA-ja për të ndihmuar Kosovën që të ketë një qeverisje të pastër. Dua të falënderoj ambasadën e SHBA-së që më solli këtu këtë javë në Kosovë.

Rexha: Unë dua t’ju falënderoj që e ndatë me ne përvojën tuaj, dhe ju dëshiroj kthim të mbarë në shtëpi.

Hake: Faleminderit, Xhemajl.

Rexha: Faleminderit.

VIDEO bonus:
Loading...