Ballina Suplement Intervista INTERVISTA/Kasami: Do t’ia dalim, Lëvizja BESA dëshmoi me betejën e saj për...

INTERVISTA/Kasami: Do t’ia dalim, Lëvizja BESA dëshmoi me betejën e saj për shqiptarët

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një intervistë të fundvitit për agjencinë e lajmeve INA (Iliria News Agency) flet për tronditjet në këtë subjekt politik, ndryshimet kushtetuese dhe kërkesat e shqiptarëve, bashkëpunimi dhe koalicionimet e mundshme ndërmjet partive politike shqiptare, qëndrimi për zgjedhjet presidenciale dhe presidentin koncensual dhe tema të tjera.
“Kryeministri Zaev nuk ka qendrime konzistente dhe çështjen e bashkpunimit e sheh vetëm si nevojë të sigurimit të numrave dhe jo të përmirsimit të kualitetit në qeverisje. Nuk duam të paragjykojmë se propozime tona për çështjet shqiptare nuk do pranohen, por shpresojmë se logjika do mbizotrojë në fund dhe qeveria do reflektoj rreth këtyre propozimeve reale”, thotë Kasami në intervistën për INA.

INA: Viti që po e lëmë pas ishte viti i tronditjes dhe ndarjes së Lëvizjes BESA. A është kjo tashmë çështje e mbyllur, apo kanë ngelur edhe labirinthe të tjera gjyqësore?

Për të qenë i sinqertë ndaj lexuesve pajtohem me konstatimin se viti që po lëmë pas ishte një vit i vështirë, jo vetëm për Lëvizjen Besa por në përgjithësi për gjithë shqiptarët. Sa i takon çështjes të Lëvizjes Besa do ta kisha përshkruar se procesi përmes të cilit kalon pjekuria politike e një subjekti politik mund të ketë edhe situata të pakëndshme për shkak të aktorëve të papjekur politik dhe që mund të rezultojë me ambicje jo demokratike, apo të mësuar se pozitat politike dikush i fal nga jashta partisë, dhe kjo solli që një grup i delegjitimuar brenda strukturës të Lëvizjes Besa të vendosin të shkëputen edhe atë jo me dëshirën time por me dëshirën e tyre. Tashmë situata është shumë e pastër dhe ne jemi duke punuar intenzivisht për të artikuluar zërin opozitar të shqiptarëve në Maqedoni.

INA: Kush e përçau Lëvizjen BESA, pasi që në fillim u akceptua si një subjekt unik me një organizim që rezultoi duke u radhitur si forca e dytë politike në zgjedhjet parlamentare?

Ashtu si e theksova edhe më lart se në Lëvizjen Besa ndodhi një proces i vet pastrimit. Lëvizja Besa nuk u përça por thjesht eksponentë të partisë që politikisht nuk janë të pjekur të bartin mbi vete procese kaq të rëndësishme për shqiptarët, duke mos pasur besim në kapacitetin e vet dhe të mësuar që dikush ti dirigjojë nga ndonjë zyrë që është jashtë realitetit politik të vendit, bëri atë që karrierat e tyre politike sot mos varen nga votuesit shqiptarë apo nga strukturat e Lëvizjes Besa, por të varen nga mëshira e një partie maqedone siç është në rastin konkret LSDM.

INA: Pse atëkohë nuk u përfshitë në Qeverinë e kryeministrit Zaev. A thua edhe këtu ishin dallimet që mbizotëronin në kryesi apo çështje programesh?

Nuk dua të rikthehem në atë periudhe e cila ishte shumë dinamike me shumë procese të imponuara dhe të shtrembruara. Nga ky këndvështrim kohor dhe nga shfaqja e fytyrës të vërtetë të LSDM si dhe nga amnestimi politik që i bëri gjysëm të ish regjimit pra BDI-së duke e shfajsuar nga përgjegjësitë e kaluara mendoj se koha dëshmon që mos kyçja në qeveri ka qenë veprim i duhur. Tek e fundit Lëvizja Besa është subjekti i vetëm opozitar duke mos pasur mbi vete asnjë hipotekë apo njollë qoftë nga qeverisja në kohën e VMRO-së apo nga kjo e LSDM-së.

INA: Po në zgjedhjet e ardhshme ky coptim do të ju kushtojë. A keni llogaritur në këtë dhe a ka hapësirë për një përafrim apo falje?

Vlerësoj se në zgjedhjet e ardhëshme kurdoqofshin ato Lëvizja Besa do jetë befasia pozitive në skenën politike ashtu si ishte edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Sa i përket hapësirave për bashkëveprim apo edhe për një rikthim të mundshëm të atyre që kanë gabuar unë e kam thënë edhe në fillim e rritheksoj edhe tani se dyert e Lëvizjes Besa janë të hapura për gjithë ata që bashkëjetojnë me idenë e Lëvizjes Besa, programin dhe përcaktimin politik si dhe respektojnë statutin e partisë.

INA: Kur po flasim për përafrim, ju jeni parë disa herë me kreun e ASH-së, Ziadin Sela. A mund të arrihet një bashkëpunim apo është i vështirë, për shkak të mundësisë së kushtëzimeve dhe bërrylave që mund kështu të themi?

Zakonisht bashkëpunimet lidhen në periudha zgjedhore. Gjithë ata që ndajnë ideologjinë e njejtë për sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni, janë të predispozuar që në një pike të caktuar të bashkëveprojnë kundër politikave antishqiptare që janë të dukshme dhe po shfaqen nga qeverisja aktuale. Kur të afrohet periudha e zgjedhjeve do ketë edhe veprime konkrete për bashkëpunim me forcat opozitare qofshin ato politike apo intelektuale, përfshirë këtu edhe diasporën shqiptare.

INA: Analizat dhe kalkulimet e qarta janë se pa një unifikim vështirë është të dilet si partia e parë tek blloku politik shqiptar. A pajtoheni me këtë dhe çka nëse nuk ka një bashkëveprim në zgjedhjet e ardhshme?

Nëse çdokush nga ne e bën punën e vet në kuadër të asaj që i takon subjekteve opozitare mendoj se përfundimisht BDI-ja shkon në opozitë dhe përfaqësimi i shqiptarëve do kthehet në duart e qytetarëve shqiptarë.

INA: Në anën tjetër, a përjashtoni një koalicionim mes partive shqiptare maqedonase dhe atyre shqiptare, siç u atribua në media. Dhe këtë e them pikërisht tani kur kemi zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 dhe po përflitet për një kandidat koncensual për president ?

Nuk mund të flas dhe të supozoj për veprimet politike të partive tjera politike por një gjë është e sigurtë se Lëvizja Besa ka marrë edhe vendim politik se bashkëpunimi parazgjedhor mes subjekteve shqiptare dhe atyre maqedone është në disfavor të përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe çdokush që do mendojë në atë drejtim thjesht ka hequr dorë nga përfaqësimi i shqiptarëve në Maqedoni.
Sa i takon presidentit konsensual mendoj se kjo më shumë është përdorur si metaforë politike sidomos nga BDI dhe që u dëshmua si e gabuar pasi që solli një president si Ivanov i cili jemi të vetdijshëm se çfarë situate krijoi gjatë mandateve të tij. President konsenual mund të quhet presidenti i cili do zgjidhet nga Kuvendi dhe atë me votim të dyfishtë, gjithçka tjetër jashtë kësaj është farsë dhe nuk mund të paraqesë kandidat konsensual. Mund të ketë kandidat konsensual mes BDI dhe LSDM apo dikujt tjetër por për shqiptarët nuk mund të ketë kandidat konsensual që do gatuhet në kuzhinën e LSDM apo të VMRO-së.

INA: Ju jeni takuar edhe me kryeministrin Zoran Zaev ku biseduat për bashkëpunimin për ndryshimet kushtetuese, por edhe për hyrjen në Qeveri. Vazhdon të mbetet i pasqaruar fakti se përse nuk hytë në koalicionin qeveritar. Cka ishte ajo që bëri që të mos jeni pjesë?

Edhe njëherë e ripërsëris se arsyja e moskyçjes tonë në qeveri ka të bëjë me joseriozitetin e kryeministrit Zaev i cili nuk ka qendrime konzistente dhe çështjen e bashkpunimit e sheh vetëm si nevojë të sigurimit të numrave dhe jo të përmirsimit të kualitetit në qeverisje. Lëvizja Besa nuk ka marrë mandate politik ti sigurojë numra as Zaevit apo dikujt tjetër, por mandate politik që kemi marrë është premtimi dhe besatimi me votuesit e Lëvizjes Besa prandaj ne nuk mund të shkelim mbi këtë amanet. Të tjerët që janë brenda qeverisë me besoni se janë thjesht sa për të plotësuar numrat Zaevit dhe jo për të plotësuar kërkesa e shqiptarëve. Zaev asnjëherë as në përpjekjet fillestare as në zgjerimin e koalicionit nuk shprehu gatishmëri që të nënshkruajë dokument të afatizuar me pika konkrete për implementim për çështjet shqiptare, dhe kjo është arsyja që ne nuk jemi pjesë e kësaj shumice.

INA: Ju keni votuar për ndryshimet kushtetuese. A do i qëndroni deri në fund rreshtimit për të finalizuar pakon e ndryshimeve kushtetuese?

Ne kemi votuar për hapjen e debatit për ndryshimet kushtetuese, dhe tani në këto faza jemi munduar të artikulojmë qartë nevojën e korigjimeve në kushtetutë duke u bazuar në argumente të fuqishme se ketë që e bëjmë është rruga e drejtë. Nëse i përcillni debatet që zhvillohen në asnjë pikë asnjë nga partitë në pushtet nuk kanë argument kundërthënës por nuk i pranojnë propozimet tona me të vetmin argument se tani nuk qenka koha. Parashtrohet pyetja pse asnjëherë për çështjet shqiptare nuk po gjindet koha e përshtatshme? Për fat të keq përveç partive maqedonase tani ka edhe politikanë shqiptar që i ngjasojnë veprimeve të Rrahman Morinave të ish Jugosllavisë që bashkëveprojnë me partitë maqedonase në dëm të interesit shqiptar.

INA: Megjithatë cfarë u bë me kërkesat e juaja si subjekt për 20 % dhe çështjen e përfshirjes së emërtimit të gjuhës dhe përkatësisë etnike si shqiptar dhe jo me përqindje. Këto si duket janë përjashtuar?

Ne i kemi dorëzuar tashmë amandamentet me formulime juridike që nuk kanë mundësi të kontestohen nga asnjë. Mbetemi me shpresë se në fund qeveria do ta kuptojë se kërkesat tona janë garanca e një ardhmërie të sigurtë të shtetit dhe jo përfitim politik ditor. Kemi propozuar ndryshim në preambule ku Maqedonia veriore të definohet si shtet i barabartë i maqedonasve dhe shqiptarëve si dhe I bashkësive tjera etnike, poashtu kemi propozuar amandament i cili zgjedh problem e precizimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në teritorin e gjithë shtetit si dhe amandamenti propozim që të korigjohet amandamenti për sa i përket diasporës duke e obliguar shtetit që të kujdese për gjithë qytetarët e saj që janë shtetas por jetojnë dhe veprojnë jashtë, pa dallime etnike.

INA: Çka nëse nuk përfshihen këto pika apo kërkesa të juaja. Cilat janë alternativat apo të themi cilat janë pikat thelbësore dhe çështjet e agjendës politike dhe kërkesave të Lëvizjes BESA gjatë 2019?

Ne jemi të bindur se kjo që po bëjmë është rruga e drejtë dhe e vetme për artikulimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duam të paragjykojmë se këto propozime tona nuk do pranohen por shpresojmë se logjika do mbizotrojë në fund dhe qeveria do reflektoj rreth këtyre propozimeve reale. (INA)

Loading...