Ballina Aktualitet Lajme Gjithçka gati për protestën e sotme, ja njoftimi i fundit

Gjithçka gati për protestën e sotme, ja njoftimi i fundit

Lëvizja Studentore në prag të protestës së sotme në Tetovë, ka bërë publike kërkesat e tyre. Këto kërkesa ju drejtohen institucioneve të shtetit, si dhe udhëheqësise së Universiteteve në vend.
Nga këshilli për përgatitjen e protestës së nesërme mësohet se të gjitha përgatitjet janë kryer me kohë dhe se deri tani nëpërmjet e eventit të tyre të shpallur në rrjetet sociale, praninë e tyre e kanë konfirmuar mbi 5000 pjesëmarrës, student nga të tri Universitet shqiptare në Maqedoni. Poashtu, nga ky këshill organizativ njoftojnë se në mbështetje të protestës së nesërme praninë e tyre e kanë konfirmuar shumë shoqata joqeveritare, nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës si dhe shumë qytetarë.

Nga këshilli për organizimin e protestës apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit që të kontribuojnë në mbajtjen e rendit, pastërtisë në shesh (aty ku zhvillohet protesta) si dhe bëjnë apel për protestë të qytetëruar dhe pa involvimi të politikës dhe partive politike.

Në vazhdim kërkesat e studentëve dhe kujt i drejtohen:

Drejtuar:

Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Republikën e Maqedonisë;

Ministri: Arbër Ademi;

Rektoratit të Universiteteve;

Universiteti Shtetëror i Tetovës;

Universiteti i Europës Juglindore;

Universiteti “Nëna Terezë”

Qeverisë së Republikës së Maqedonisë;

Kryeministrit z. Zoran Zaev

Pas shumë konsultimeve me përfaqësuesit e grupeve studentore të fakulteteve të ndryshme pranë Universiteteve në vend, me mbështetjen e pedagogëve dhe prindërve tanë, formuam Lëvizjen Studentore në Maqedoni me të vetmin qëllim, realizimin e të drejtave të studentëve, eliminimin e dukurive negative brenda Universiteteve tona, edhe atë:

1. Kërkojmë reforma përmbajtesore në sistemin e arsimit të lartë në Maqedoni, në frymën e trendeve bashkëkohore në shtetet e përparuara të botës.

2. Liri akademike, transparencë, pjesëmarrje adekuate të studentëve në vendimmarrje, në organet drejtuese të fakulteteve dhe universitetit.

3. Sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për proces edukativ-arsimor efikas, biblioteka universitare, librari, ndërmarrje të studentëve etj.

4. Heqja e pagesës për praktikë dymujore në Universitet, zbritja e tarifës për studentët e huaj (50%), heqja e pagesës prej 100 € për çregjistrim nga Universiteti, heqja e pagesës prej 100 € për marrjen e diplomës etj.;

5. Të financohet ekskursioni profesional ose të hiqet si lëndë obligative;

6. Ndalimi i blerjs së librave dhe dispensave të palisencuara si kusht për
marrje të nënshkrimit nga profesorët;

7. Furnizimi, pajisja dhe renovimi i mësojtoreve, sallave, laboratorëve me mjete të domosdoshme për nevojat e studentëve;

8. Publikimi i statutit, rregulloreve të Universitetit dhe raportet e vlerësimit nga evaluimi i brendshëm dhe i jashtëm i Universitetit;

9. Parlamenti Studentor të jetë i pamvarur nga udhëheqësia e Universitetit dhe ndikimet partiake;

10. Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore;

11. Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave, sa është respektuar ligji , afatet kohore për marrjen e titujve mësimor-shkencorë;

12. Ndalimi i diskriminimit në baza gjinore dhe kushtëzimi i studenteve me akte të turpshme për shkëmbim të notave;

13. Kërkojmë nga organet kompetente të pushtetit, agjencioni për antikorrupsion, inspektoriati i arsimit dhe policia financiare që të hetojnë çdo shpenzim nga pjesa e buxhetit të universitetit që plotësohet nga kontributet e studentëve;

14. Të ndërpritet praktika e emërimit të udhëheqësve të Universitetit dhe mësimdhënësve nga partitë politike;

15. Të çlirohen Universitetet nga nepotizmi i skajshëm, në vend të familjarëve të punësohen kuadro të kualifikuar që do të punojnë në interes të studentëve e jo për interesa personale dhe familjare.

Tetovë, 17 dhjetor 2018
LËVIZJA STUDENTORE NË MAQEDONI

@tn.lajmelokale
@tetovanews