Ballina Top Lajm FSHATI VESHALLË- “KURBETI DHE BLEGTORIA, E VETMJA SHPRESË PËR JETË”

FSHATI VESHALLË- “KURBETI DHE BLEGTORIA, E VETMJA SHPRESË PËR JETË”

ËSHTË BOTUAR NË “FAKTI” MË 17.05.2002/
TË DHËNAT E PËRGJITHSHME

Prof. Ismet Jonuzi-Krosi

Fshati Veshallë graviton në Komunën e Shipkovicës. Ky fshat gjendet në Malësinë e Sharrit 18 kilometra larg Tetovës, lartësi mbidetare prej 1120 deri më 1270 metra, numëron mbi 150 shtëpi dhe mbi 1.200 banorë. Ka 3057 ha. sipërfaqe të përgjithshme agrare dhe atë 605 ha. tokë punuese, 1546 ha. kullota dhe 906 ha. pyje. Veshalla haset në historiografi përkatësisht nëpër defterët osman me emrin Veshlloviq e më vonë Veshallë me sa vijon; më 1452/53 me 52 familje, më 1467/68 me 70 familje dhe 4 beqarë, më 1481/82 me 48 familje e 3 vejushe, më 1544/45 me 33 familje dhe më 1568/69 me 24 familje dhe 6 beqarë. Në të dhënat e 1467/68. /Të dhëna osmane, shih në librin e autorëve Aleksandar Stojanovski & Dragi Gjorgiev “NASELBI I NASELENIE VO MAKEDONIJA-XV I XVI VEK”-SKOPJE 2001/

Në rrafshin e antroponimisë të defterëve osman të regjistrimeve të vitit 1467/68 ku përmenden emrat si Gjin, Gjon, Lekë e tjerë nga ky fshat si p.sh. /Cvetko, b. Lekos/fsh. Veshallë NT TD 302/, Rale, b. Gonit, Stepan, b. Gonit, Dabizhiv, b. Gonit, Gon, b. Andrijas/ fsh. Veshallë NT TD 302/, /Gin b. Nikollës fsh. Veshallë NT TD 302. /shih më detajisht nga prof.dr. Qemal Murati “DËSHMIME ONOMASTIKE PËR AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË TROJET ETNIKE TË TYRE NË MAQEDONI”-Shtëpia botuese “FAN NOLI”-Tiranë, 1993 në faqet 93,94 dhe 95.
Etimologjia e VESHALLËS ( VESHALA; V-sh-l-v-i-q , TD 302), fshat në veriperëndim të Tetovës afër Brodecit dhe Bozovcës. Rrjedh nga një emër personal shqiptar VES, VESH me të cilin lidhet edhe emri i fshatit VESHAN në Berat i vitit 1431 dhe VESHKUQ si mbiemër familjar. NIKOLLA VESHKUQI KOLOVAC / MAT, që përmendet më 1467, e VISHTINË, NIKOLLA VESTINA në Shkodër ( Shuteriqi LSHPB 371), VESKOVC fshat në VUÇITËRNË (KOSOVË). Përbrenda tërthoreve shqiptare të Maqedonisë krahaso VESHET (fshati Çegran i Gostivarit) e VISHET (Tërnovë) patronime (llagape) në Gostivar; PRROJ VESHET –toponim në Pohum të Strugës. Mbi këtë bazë ka dalë edhe VEVÇANI fshat në Strugë nga një paraformë e kryehershme VESH’ÇAN që përmendet në një kartë të mbretit Dushan në vitin 1342 si >> SELO VESH’ÇANI<< TOPB 64, nëpërmes VEHÇAN-VEFÇAN-VEVÇAN. Si patronim shqiptar i sllavo-maqedonizuar e hasim të përdoret me formën VESHOVSKI e KARAVESHOVSKI në trevën e Manastirit (shih në TI,385,395), pastaj KËRVESHI mbiemër shqiptarësh në Pejë të Kosovës, e të ngjashme. Historikisht ky fshat thonë dy herë gjatë historisë është djegur nga luftërat ballkanike. Është fshat tipik me elemente të traditës shqiptare. Në këtë fshat i cili shtrihet në Malësinë e Sharrit gjegjësisht shpateve pra ky fshat shtrihet në zemër të bjeshkëve të Sharrit.


Si shumë fshatrat tjerë edhe Veshalla i ka Bashkësinë Vendore, Shkollën territoriale “BESA” dhe atë me objekt, 1991 është ndërtuar shkolla e re me vetëkontributin e banorëve ku mësimin e vijojnë 250 nxënës, ambulancën të shëndëtësisë ku nuk punohet dhe një Xhami. Edhe këtë fshat plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me mbi 50% e popullatës që gjenden me punë të përkohshme jashtë vendit që do të thotë se çdo shtëpi ka nga një mërgimtar. Si në gjithë Malësinë e Sharrit edhe në këtë fshat ka mbi 80% që jetojnë nga ndihmat sociale. Më të përqendruar janë në vendet e Evropës si dhe 1 familje në Amerikë, 1 familje në Australi e gjetiu. Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje me të mesme 30% dhe pjesa dërmuese me fillore, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore gjegjësisht vetëm 9 persona janë të inkuadruar në punë. Por, duhet theksuar se nga ky fshat pas fillimit të ri në Maqedoni ende nuk ka asnjë të punësuar në policinë rezerve e ku në atë të rregullt. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është pak i zhvilluar ku aktualisht funksionojnë afro 3 lokale afariste. Shumë pak merren me blegtori gjegjësisht 3 familje me 500 kokë dhensh, para një dekade kanë pasur mbi 8 mijë dhenë.

Në këtë vend arat e këtij fshati thuajse janë simbolike ku më së shumti përdoren për kullota që realisht janë mbi 630 hektarë. siç shprehet një blegtor i njohur në këtë fshat Haqif Reshiti i cili ka mbi 300 kokë dhenë, që me shumë peripeci gjendet në tregun e kësaj kohe që është edhe shkas për mos mbajtjen e bagëtisë. Këtu bujqit kultivojnë këto rendimente si: grurin, patatet, domatet, thekrën, elbin e kështu me radhë. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet me atë të Brodecit, Bozovcës, Kodrën e Diellit dhe me bjeshkët e Dragashit të Kosovës.

INFRASTRUKTURA

Me vetë kontribut është zgjidhur çështja e ujit për pije, i cili projekt është realizuar më 1985 e që ka kushtuar mbi 100 mijë DM. Ka ujë të mjaftueshëm.. Mbi 90% të Veshallës janë me lidhje telefonike celularë.
Ndriçimi publik i këtij fshati është i rregulluar me vetë kontribut. Rrugët nuk janë të shtruara, por mirëmbahen nga banorët, që nënkuptohet se duhet punuar në këtë rrafsh. Por, bujqit dhe blegtorët e këtij fshati kanë probleme të përhershëm me plasmanin e produkteve të pakta që i kanë edhe pse kanë mbi 630 hektarë kullota dhe pyje të pasura me drunj nga ahu dhe bredhi. Ky fshat është lënë jashtë lidhjes me jetën urbane që vetë banorët thonë se :” kemi mbetur fshat i lënë pas dore apo thjesht sikur nuk ekzistojmë fare” por, edhe për këtë dukuri e cila i preokupon seriozisht ata thonë se lidhja me qytetin e Tetovës një ditë do të rregullohet, udhëtimi i nxënësve, për plasmanin e produkteve bujqësore, blegtorisë nëpër ditët e tregjeve e kështu me radhë. Këshilli i B. Vendore për rregullimin e kësaj çështjeje thonë se zgjedhje e vetme është rregullimi i rrugës me qëllim që të qarkullojnë në linjën Veshallë-Shipkovicë-Tetovë që nënkupton edhe kyçjen e këtij fshati. Edhe pse kjo çështje është sensibilizuar mjaftë, por kjo dukuri ende nuk ka zgjidhja adekuate nga organet e nivelit republikan, po për të njëjtën gjë është dërguar projekt nëpër instancat e duhura duke filluar nga Komuna e Shipkovicës deri tek ato republikane dhe se presin përgjigje. Por për të gjitha këto projekte kryetari Bashkësisë Vendore Refik Ademi ka shpresë se një ditë do të bëhen realitet objektiv. Mbeturinat edhe në këtë fshat janë çështje e pazgjidhur ngase mbeturinat në terren japin pamje të mjerueshme ku në radhë të parë ndotet ambienti, natyra dhe që është dukuri që duhet ndaluar edhe lumi i cili gjendet në fund të këtij fshati malor si dhe dy proskat që janë anësh fshatit edhe këto janë në gjendje të keqe. Është karakteristike se banorët e këtij fshati, Bashkësia Vendore dhe dy këshilltarët komunal i kanë sikur duhet më shumë të punojnë për të mirën e vet fshatit.

SHKOLLIMI

Shkolla territoriale “BESA” ku mësimin e ndjekin 250 nxënës dhe atë në dy ndërrime ka të punësuar 12 arsimtarë dhe 2 punëtorë teknik, mësimin e vijojnë deri në klasë të VIII. Shkolla e Veshallës është ndërtuar më 1991 ka 5 mësonjëtore, ku kushtet për procesin edukativo-arsimor thuajse janë në gjendje të mjerueshme. Objekti është dykatësh që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për standarde. Siç kuptojmë nga kryetari i Bashkësisë Vendore, Refik Ademi se deri më sot janë shtruar kërkesa për ta pajisur me kushte themelore që ende nuk kanë hasur në mirëkuptim, ai ndër të tjera thotë se :”kërkesat për të nuk kanë hasur në mirëkuptim deri më sot edhe pse gjendja është mjaftë e keqe, por shpresat se një ditë do të intervenohet besoni se kanë filluar të veniten, pore pse siç shprehet kryetar i Bashkësisë vendore se:” mjetet mësimore për të mbajtur mësim thënë shkurtë nuk i kemi, u jemi drejtuar donatorëve të jashtëm dhe të brendshëm që veprojnë në Maqedoni dhe atë disa herë është biseduar me ta si në UNHCR, Mercy corps, OSBE-se Dhelprës së Kuqërremtë e shumë të tjerave.” Me këtë rast ai thotë :”shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i ftoj të gjithë arsimdashësit e me theks të veçantë organizatat e ndryshme që veprojnë në Maqedoni që këtë kërkesë tonën le ta marrin në konsideratë serioze ngase nxënësit e këtij fshati nuk kanë asnjë faj e dikush t’i lë pas dore, prandaj është kohë e fundit që të ndërmerren hapa konkrete për të realizuar projektet tona që janë me peshë jetike.”. Me insistimin e kryetarit të B.v Refik Ademi disa herë është takuar me kryetarin e komunës së Shipkovicës Zulqufli Ajvazi ku janë shtruar kërkesat reale, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Është për t’u habitur fakti se për udhëtimin e nxënësve të këtij fshati për në Tetovë është tepër i rëndë që rezulton edhe me vijimin e shkollimit. Po ashtu shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit ku vlen të përmendet shkollimi i femrës që karakteristikë e malësisë.

Nga ky fshat ka një numër të konsiderueshëm që ndjekin studimet si në UT, Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Në rrafshin e sporteve tradicionale siç është mundja ky fshat ka dhënë shumë emra të njohur ndër ta janë kalitur në kujtesën e opinonit tonë si vëllezërit Idriz dhe Ramadan Zenuni-Veshalla, Tahir Mehazi, Ermijah Veshalla e të tjerë. Gjithashtu, duhet theksuar se nga ky fshat është Arif Sinani, që rapsodi popollor edhe sot e kësak dite e këndojnë për trimërinë e tij, ndonëse ky personalitet ka historinë e lavdishme si familje Zeni me shumë ushtarakë të periudhave të ndryshme dhe të artsitëve e mundësve që për fat të keq ende nuk janë ndriçuar fare.

Po ashtu edhe në rrafshin e shkencave pozitive dhe ato ekzakte kanë dhënë njerëz të spikatur që sot janë mburrje e Veshallës si prof. Hafet Sherifi, prof. Vebi Bexheti e shumë e shumë të tjerë. Bashkëpunimi i qeverisjes vendore me Komunën e Shipkovicës nëpërmjet të dy këshilltarëve nga ky fshat s’janë aspak produktive . Siç thonë pjesa dërmuese se krejtësisht jemi të lënë anash nga institucionet e shtetit, nuk na shohin me sy të mirë, na vizitojnë vetëm në kohën e zgjedhjeve, na premtojnë dhe asgjë nuk realizojnë për sa u përket problemeve madhore si të rrugës, ambulancës, rrugëve të fshatit, shkollës, ujësjellësit. Por, kryetari i Komunës së Shipkovicës Zulqufli Ajvazi për krizën e vitit të kaluar për sigurinë dhe gjendje socio-ekonomike për fshatin Veshallëse thotë:” viti 2001 ka qenë vit i luftës ku shumica e banorëve të Veshallës u larguan për në Kosovë nga forcat maqedonase, ku në muajin gusht, pra pas Marrëveshjes së Ohrit të gjithë janë kthyer dhe sipas mundësive që kemi pasur me shoqata e ndryshme ne jemi munduar që t’ua zbusim gjendjen kryesisht me ndihma humanitare dhe me ushqime për bagëti.”

Ndërkaq sa i përket infrastrukturës ai thotë:” kryesisht gjatë vitit 2001 nuk është punuar asgjë, ndërsa në vitin 2000 pasi që unë u zgjodha kryetar komune është shtruar rruga për në fshatin Veshallë prej 2 kilometra me asfalt, që shpresojmë se edhe këtë vit do të vazhdojmë dhe do të arrijmë, ku kemi siguruar deri më tash mjete financiare nga “TELEKOMI” në vlerë prej 63 mijë euro. Shpresojmë se për këtë vit do të mund ta realizojmë këtë program.” Gjithashtu aktivitete tjera kryetari i Komunës së Shikovicës Zulqufli Ajvazi përmend edhe ambulancën e shëndetësisë që kanë ndërmend siç shprehet:” në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtorin e Spitalit të Tetovës, hapëm një vend pune për një mjek dhe për dy motra medicinale, por për fat të keq ende nuk mund të gjejmë mjek, kështu që ende popullata e Veshallës dhe e Bozovcës që janë me një ambulancë nuk kanë mjek dhe motra medicinale për arsye objektive pse nuk mund të gjejmë mjek.” Për ndihmat e ndryshme nga shoqata e ndryshme humanitare destinuar Veshallës, Ajvazi në cilësi të kryetarit të komunës thotë: “të gjitha shoqatat shkojnë në koordinim me komunën dhe me bashkësitë vendore dhe këshilltarët komunal, për Veshallën mund të përmendi shoqatën “AKTET” që ka ndihmuar kryesisht me misër, po ashtu me farëra si të patateve dhe plehrave artificial.”

Sa i përket në rrafshin e shkollës ai thotë:” në fshatin Veshallë kemi pasur probleme me drejtorinë e shkollës ku ish-drejtori ka pasur probleme me punëtorët dhe arsimtarët gjegjësisht me një arsimtar i shkollës nuk ka mbajtur mësim afër një vit. Por, kjo çështje është zgjidhur tash kemi drejtor të ri dhe punët ecin mbarë.” Mërgimtarët e Veshallës sipas Ajvazit ai thotë :” Dihet se kjo është një brengë e madhe këta të gjithë kanë dëshirë të kthehen, siç dihet rajoni i Komunës së Shipkovicës është rajon malor ku shumë pak ka perspektiva për t’u kthyer direkt në vendlindje edhe pse një pjesë e vogël mundohen të marrin lokale afariste edhe në Tetovë.

Kemi pasur kontakte edhe me mërgimtarët, na kanë ndihmuar gjatë luftës me mjete financiare për t’ua ndarë familjeve më të varfra që kanë qenë prezent në luftë.” Edhe pse edhe Veshallës graviton në Komunën e Shipkovicës që kohëve të fundit përflitet mjaft që të shpallet park nacional Zuqufli Ajvazi thotë :” Është një brengë e madhe ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë dëshiron të shpallë Malin Sharr për park nacional që për Komunën e Shipkovicës dhe mbarë rajonin ku mendojnë të përfshihet ky park nacional do të jetë humbje e madhe. Me park nacional kufizohen lëvizjet e qytetarëve faktikisht qytetarët do të futen në një rezervat. Unë nuk di se a ka diku në botë ku mbi 18 mijë banorë të jetojnë e të shpallet park nacional.” Ditëve të fundit në këtë komunë respektivisht nëpër fshatrat e saj është e angazhuar shoqata CERSI nga Italia që merret me shpendaria e cila kryesisht në çdo fshat të komunës kanë marrë të dhëna për të në ndarë nga 50 pula.

Shtabi për mbrojtjen civile gjatë tërë kohës së krizës së vitit të kaluar për fat të mirë nuk kanë pasur të vrarë ngase kanë qenë syçelur për gjithçka. Por, gëzon fakti se gjallëria e bujqve, blegtorëve që kryejnë obligimet pranverore të jep përshtypjen se këtu jeta ka marrë trajtën e rregullt edhe pse me vështirësi. Si shumë fshatra të Malësisë së Sharrit edhe ky fshat me banorët e tij përpëliten me aktualitet e jetës, por janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira në malësi.

MASAKRA SERBE NË VITIN 1915
Në fshatin Veshallë u kapën 5 veta i lidhën, i nxorën në qendër të fshatit dhe i vranë, ndërsa fshatin e dogjën. (AQSh.. Fondi 810, viti 1944, dos. 63, f.3. Dokumenti është firmosur nga nënkiyetari i Komunës së Shipkovicës, Isak Hyseni, nr. 269,9 gusht 1944. Në qendër të fshatit duarlidhur u vranë: Haki Bekteshi, Kamber Bakiu, Halit Murtezani, Ali Kiçiku dhe Hasan Ferati.)

@tn.lajmelokale
@tetovanews