Ballina Bota Fillon ”lufta” kundër plastikës në oqeane

Fillon ”lufta” kundër plastikës në oqeane

Filloi “lufta” për të shpëtuar oqeanet nga mbeturinat plastike.

Breshka të ngulfatura nga qeset, balena me barqe të mbushura me gota plastike, plazhe të mbuluara me mbeturina… Injorimi i oqeaneve të mbushur me plastikë është i vështirë dhe bota filloi të ndërgjegjësohej, pasi duhej kapur thelbi që të luftohej për këtë çështje.

“Pa dyshim, interesi për problemin e plastikës është në modë. Po fillojmë ta shohim problemin ashtu siç është”, thotë George Leonard, drejtori i shoqatës ”Ocean Conervancy”.

“Mbetemi shumë optimistë mbi çështjet që do mund të zgjedhim”, thotë gjithë shpresë specialisti i ekologjisë marine.

Ai beson se ky entuziazëm i konstatuar këtë vit nuk do të zhduket shpejt.

Në rrjetet sociale, publikohen me shumicë fotografi ku shihen male prej plastike duke notuar ose balena ”të burgosura” në rrjetat e peshkimit.

Historia e balenës, e gjetur e ngordhur në një plazh në Indonezi, e cila kishte gjashtë kilogramë plastikë, ka rrezik përsëritjeje.

”Tetë milionë tonë plastikë hidhen çdo vit nëpër oqeane”, sipas një studimi të revistës “Science”.

”Kjo shifër i dedikohet vetëm mbeturinave që vijnë nga toka”, sipas François Galgani, kërkues në Institutin Francez të Kërkimeve mbi Shfrytëzimin e Detit. Ai mendon se duhen shtuar një ose dy milionë tonë që vijnë nga anijet dhe që shpesh janë rrjeta peshkimi.

”Rezultati? Më shumë se 700 specie janë të prekura, veçanërisht breshkat, që ngatërrojnë qeset plastike me kandilat dhe i hanë ato”, shton kërkuesi.

Për t’iu përgjigjur këtij fenomeni, pak nga pak, një shtet pas tjetrit po ndalon përdorimin e qeseve plastike.

Bashkimi Europian ka në plan t’i ndalojë sendet prej plastike njëpërdorimshe para 2021.

Është një lajm i mirë për François Galganin, pasi ato përfaqësojnë 30 deri në 40% të mbeturinave të hedhura në oqean.

Sipas një studimi të revistës ”Science Advances”, nga mbi 8,3 miliardë tonë plastikë mes viteve 1950 dhe 2015, 6,3 miliardë tonë u shndërruan në mbeturina ndotëse dhe vetëm 9% u çuan për riciklim.

@tn.lajmelokale
@tetovanews