Ballina Aktualitet Opinione Dimri i madh i Kosovës

Dimri i madh i Kosovës

Pas themelimit të ushtrisë qytetarët e Kosovës ndoshta në aspektin psikologjik do të ndihen më mirë. Por, themelimi i ushtrisë nuk do ta përmirësojë ajrin në Prishtinë, nuk do ta bëjë Kosovën më të pasur, korrupsioni do të vazhdojë t’ia zë frymën vendit nëse nuk luftohet, plaçkitësit e arkës së shtetit do të vazhdojnë zanatin e tyre, polarizimi ekstrem politik do ta bëjë Kosovën palë të dobët në negociata me Serbinë. Pushteti nuk ka legjitimitet, opozita është e hutuar dhe një pjesë e saj luan lojëra në shërbim të pushtetit.

Nga Enver Robelli
I.
Pas shumë dëshpërimeve të muajve të fundit, një lajm i mirë – një sheqerkë nga Amerika – ngjalli pak entuziazëm në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, kryeqendrën e qejfit të kosovarëve. Miratimi i pakos ligjore që mundëson themelimin e ushtrisë së Kosovës u bë me përkrahjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve dhe me mbështetjen paksa të rezervuar të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Një moment për histori.

II.
Çdo shoqërie i duhen momente gëzimi. Ato momente shërbejnë për të krijuar ndjenjën e përbashkësisë së një shoqërie, për ta bërë atë të vetëdijshme për të kaluarën e vështirë dhe përgjegjëse për të ardhmen. Dje ishte një moment i tillë, ndonëse akti i votimit në parlament dominohej nga sjelljet e pahijshme të përfaqësuesve të popullit, mungesën e durimit gjatë votimit amendament pas amendamenti, gjuhën vulgare që pëshpëritej në mikrofona dhe publiku bëhej dëshmitar i pavullnetshëm i seksizmit parlamentar. Të gjitha këto u harruan për disa çaste. Kryeministri i Kosovës mbajti në mbrëmje një fjalim të mirë, ndër të rrallët në historinë e re të Kosovës kur një politikan arrin të prekë emocionalisht të pranishmit.

III.
Por, pas fjalimeve dhe gëzimit të kuptueshëm problemet dhe sfidat që Kosova kishte dje mbesin të njëjta edhe sot. Pas festës kosovarët u zgjuan të shtunën mbase me një ndjenjë lehtësimi e krenarie, por njëkohësisht mediat dhanë lajmin se John Boltoni, këshilltari për siguri i presidentit amerikan Donald Trump, ka shkruar në Twitter si vijon: «Kam mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë në një takim ministrin e Jashtëm slloven Miro Cerar. Si aleatë të NATO-s, ne diskutuam interesat tona të përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë në Europë dhe nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur». Nëse një zyrtar i lartë amerikan i dërgon këso porosie Kosovës dhe Serbisë edhe pas një takimi me ministrin e Jashtëm slloven, atëherë kjo është shenjë se Washingtoni po insiston në një zgjidhje të shpejtë të nyjës serbo-kosovare. Dimri i madh i Kosovës ka filluar.

IV.
Por, në Kosovë duket se ende nuk janë kuptuar shenjat e kohës. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sillet si një fëmijë i hidhëruar, sepse pasi e ka zgjedhur Hashim Thaçin president e ka vështirë të arrijë moshën e pjekurisë dhe besueshmërisë në opinion. Tani LDK i shtrëngon bërrylat në një qoshe dhe merret me atë që quhet Parti Socialdemokrate e Kosovës (PSD), e ringjallur nga hiri pas ikjes së 12 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit, pra VV, «parimisht» nuk dëshiron të hyjë në dialog me Serbinë në kuadër të një ekipi negociator të përbashkët, sepse refuzon grackat e Thaçit. PDK është rreshtuar pas presidentit Thaçi si përherë, e paaftë të ketë qëndrim të qartë politik sa i përket çështjes thelbësore: a është për apo kundër «korrigjimit» të kufijve të Kosovës, një eufemizëm që tani për tani askush nuk e di se çka fshihet pas tij, përveç Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit dhe gjeografëve të tyre politikë, përfshirë edhe ndonjë lobist të paguar mirë. Parimësia e AAK-së është parë në rastin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi: sapo të vijë në pushtet ia tregon gishtin e mesëm opinionit me mesazhin: ha, ha – e hëngrët sërish! Në këto rrethana të polarizimit ekstrem politik vështirë se bën punë edhe gatishmëria e personaliteteve të shoqërisë civile si Veton Surroi për të ndihmuar me ekspertizën e tyre në proceset e vështira që e presin Kosovën.

Cila është zgjidhja? Zgjedhjet e reja? Ndoshta. Sikur t’i lejonin shtetet e mëdha perëndimore. Kështu ka qenë gati përherë në Kosovë: zgjedhjet parlamentare janë mbajtur kur kjo i është përshtatur agjendës së zyrave të pesë shteteve më me ndikim në Prishtinë.

V.
Pas themelimit të ushtrisë qytetarët e Kosovës ndoshta në aspektin psikologjik do të ndihen më mirë. Por, themelimi i ushtrisë nuk do ta përmirësojë ajrin në Prishtinë, nuk do ta bëjë Kosovën më të pasur, korrupsioni do të vazhdojë t’ia zë frymën vendit nëse nuk luftohet, plaçkitësit e arkës së shtetit do të vazhdojnë zanatin e tyre, polarizimi ekstrem politik do ta bëjë Kosovën palë të dobët në negociata me Serbinë. Pushteti nuk ka legjitimitet, opozita është e hutuar dhe një pjesë e saj – me mandate të deformuara – luan lojëra në shërbim të pushtetit.

Sfidat e Kosovës janë të mëdha. Njëra ndër to është Gjykata Speciale. Tajmingu i themelimit të ushtrisë nga këndvështrimi perëndimor është zgjedhur mirë: në prag të arrestimeve të dhjetëra ish-komandantëve të UÇK-së shqiptarëve u jepet një sheqerkë për t’ua ëmbëlsuar dimrin e madh. Tani për tani efekti është arritur: po i thërret Gjykata Speciale krerët e UÇK-së njërin pas tjetrit në Hagë dhe gati askush s’po bëhet merak për këtë. Nuk ka protesta – as në rrugë, as në Facebook. Kjo është shuplaka më e fortë që populli ua jep prijësve të UÇK-së sot. Në sytë e shumë qytetarëve ata nuk janë më çlirimtarët e djeshëm, por vjedhësit e sotëm (e sotmja është paslufta, është jeta në liri e anarki). Ky është fati i tyre, që e kanë krijuar vetë.

VI.
Pas themelimit të ushtrisë nuk do të përmirësohet qeverisja në Kosovë. Në njëvjetorin e shkuarjes së Ramush Haradinajt për pushime në një hotel luksoz në St. Moritz, shoqëria e Kosovës ende nuk e di se kush ia pagoi këtë pushim, cilët oligarkë e shoqëruan, a shkoi me avion privat nga Zürichu në St. Moritz apo me veturë, tren apo limuzinë të përfaqësive diplomatike të Kosovës në Zvicër? Pas themelimit të ushtrisë nga buxheti i Kosovës vazhdojnë të marrin para mbi 80 zëvendësministra. Sistemi shkollor do të jetë ai që ka qenë: i fundit në listën e PISA-s. Në rrafshin diplomatik suksesi më i madh do të jetë kur ministri i Jashtëm falënderon ambasadorin amerikan për përkrahjen për themelimin e ushtrisë. Muajve të fundit e kemi parë se numri i shteteve që kanë njohur Kosovën po bie dhe diplomacia kosovare nuk ka arritur asnjë sukses, për më tepër Ministria e Jashtme është shndërruar në zyrë biznesi, siç e thonë edhe diplomatët që të dëshpëruar kanë ikur nga MPJ ose ende vazhdojnë të durojnë parodinë e përditshme diplomatike kosovare.

VII.
Pas themelimit të ushtrisë ndoshta nuk është sakrilegj të përkujtohet se nuk janë krijuar as 200 mijë vende të punës të premtuara nga PDK, as 120 mijë të premtuara nga LDK, as nuk janë bërë rrogat 1000 euro siç premtonte AAK-ja e Ramush Haradinajt. Ha, ha – e hëngrët sërish! As nuk janë hapur vende të reja pune, as nuk u hoqën vizat për vendet e Schengenit. Ndërkohë që presioni social në Kosovë po rritet. Mjafton që në Prizren të përhapet lajmi se një firmë gjermane po rekruton punëtorë dhe qindra njerëz vërshojnë qytetin në kërkim të zyrës së rekrutimit të punëtorëve.

Sipas një studimi Gjermanisë çdo vit i duhen 400 mijë punëtorë. Nëse në vitet në vijim nuk arrihet të kthehet vetëbesimi se Kosova mund të jetë shtet funksional dhe me ekonomi që dalëngadalë fillon t’i marrë këmbët, atëherë Kosova rrezikon të humb mijëra qytetarë. Shembulli i Shqipërisë është tronditës: sipas një ankete të Gallup-it 1,7 milionë shqiptarë duan të braktisin Shqipërinë. 30 vjet plaçkitje e Shqipërisë e ka një çmim. Siç e ka edhe plaçkitja 20-vjeçare e Kosovës. Dimri i madh që ka filluar në Kosovë (dhe pjesërisht në Shqipëri) mund t’i japë kah tjetër rrjedhës së historisë në vitet e ardhshme ose të çimentojë stagnimin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews