Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut Deri të martën afati i fundit për të dorëzuar kërkesat për amnisti

Deri të martën afati i fundit për të dorëzuar kërkesat për amnisti

Deri të martën të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë do të mund të parashtrojnë kërkesa për amnisti në Gjykatën Penale. Të pandehurit mund të paraqesin kërkesa në Gjykatë personalisht dhe me postë. Pas përfundimit të afatit të parashtrimit të kërkesave, Gjykata dhe Prokuroria do të kenë gjithashtu një afat prej pesë ditësh për t’u përgjigjur se kush do të falet dhe kush nuk do të falet.

Ligji për amnisti të enjten u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikë së Maqedonisë , pasi ky ligj u nënshkrua nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov. Kuvendi i Maqedonisë më datën 18-të të këtij muaji me procedurë të shkurtër me 95 vota “PËR”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e miratoi Ligjin për amnisti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Sipas ligjit, amnistia nuk do t’i përfshijë organizatorët, personat të cilët kanë kryer dhunë fizike, të cilët kanë mbajtur armë, si dhe personat zyrtarë të cilët i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare. Secili nga të pandehurit për “27 prillin” ka të drejtë të kërkojë amnisti nëse ai konsideron se i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj.

Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend janë akuzuar gjithsej 33 vetë, prej të cilëve 31 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje. ( Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakariе Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vllatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski).

@tn.lajmelokale
@tetovanews