Ballina Kronika Çdo ditë 1 orë rrugë për në shkollë me makinën private, si...

Çdo ditë 1 orë rrugë për në shkollë me makinën private, si humbi jetën në aksident mësuesja (FOTOT)

Bënin çdo ditë më shumë se një orë rrugë nga banesat e tyre në një tjetër fshat për të dhënë mësim.

Por dje ekipi me pesë mësues dhe një infermier të zonës janë përfshirë në një aksident, ku për pasojë njëra prej arsimtareve gjeti vdekjen. Ngjarja e rëndë ndodhi në segmentin rrugor Miras–Arrzë, në afërsi të fshatit Sinicë në rrethin e Devollit. Viktima 48-vjeçare Luiza Dule ishte duke udhëtuar së bashku me disa kolegët e saj nga fshati Miras në drejtim të shkollës së Arrëzës, kur automjeti me të cilin po udhëtonin u batua në rrugë dhe gruaja gjeti vdekjen e menjëhershme. Dyshohet se aksidenti ndodhi si pasojë e rrugës së vështirë dhe ngricës.

“Rreth orës 07:30, pesë arsimtarë dhe një infermiere u aksidentuan në afërsi të vendit të njohur si “Shkallët”, ndërkohë që ishin nisur për të ndjekur ditën e tyre rutinore të punës”, bëri të ditur Policia.


Luiza Dule

Mësohet se vetë njëri prej arsimtarëve drejtonte mjetin tip “Range Rover” me targa AA 112 CA. Çlirim Hoxha, gjithashtu mësues në fshatin Arrzë, kishte marrë në automjetin e tij personal edhe kolegët si edhe infermieren e zonës. Siç mësohet, në mungesë të transportit nga ana e Drejtorisë Arsimore, mësuesit e kishin zgjidhur në këtë mënyrë të shkonin në punë, duke ndarë shpenzimet e makinës bashkërisht.

Por dje, në afërsi të një kthese të fortë, ai ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përfshirë në aksident. Rruga e vështirë me gropa dhe baltë, por edhe ngrica e krijuar si pasojë e temperaturave të ulëta dyshohen si faktorët që ndikuan në aksident. Fatkeqësisht, njëra prej arsimtareve humbi jetën pa mundur të mbërrinte në shkollë.

Viktima ndodhej si pasagjere ne vendin e parë të automjetit, i cili u batua në krahun e malit dhe si pasojë e goditjes solli vdekjen e nënës së dy fëmijëve, ndërsa pesë personat e tjerë, pavarësisht lëndimeve që kanë marrë, ndodhen jashtë rrezikut. Menjëherë në vendngjarje shkuan banorët e fshatit Sinicë dhe më pas mbërritën punonjës të Policisë së Devollit dhe staf nga spitali për t’u dhënë ndihmë të aksidentuarve.

Aksidenti u regjistrua në afërsi të fshatit Sinicë, ndërsa, sipas banorëve, arsimtarët udhëtonin çdo ditë në segmentin e vështirë rrugor për të dhënë mësim, disa në shkollën e Sinicës dhe të tjerë në atë të Arrëzës.

“Kjo rrugë ka 30 vite në këtë gjendje. Është e tmerrshme. Pavarësisht kësaj, mësuesit dhe infermierja vinin çdo ditë për të bërë punën e tyre, përveç rasteve kur zona izolohej. Ata bënin çdo ditë sakrificë, duke udhëtuar mbi 1 orë në këtë rrugë të vështirë, sidomos në dimër. Nuk është marrë asnjë masë për të përmirësuar gjendjen. Kjo rrugë është rrezik për këdo që kalon sidomos në dimër”, u shprehën banorët.

Ata bëjnë thirrje për ndërhyrje në këtë aks, pasi, siç theksojnë, shkak për aksidentin veç ngricës, është bërë edhe rruga e keqe. Banorët shprehen se kjo rrugë është rrezik për të gjithë ata që janë të detyruar të qarkullojnë në të, sidomos në stinën e dimrit./PANORAMA

@tn.lajmelokale
@tetovanews