Ballina Bota Analiza Ana e “errët” e vizitës së Trump në Irak

Ana e “errët” e vizitës së Trump në Irak

Vizita e parë e Donald Trump në një zonë lufte, përveç fjalëve të bukura është shoqëruar me një sërë gabimesh, mashtrimesh dhe fërkimesh të Presidentit me trupat amerikane dhe autoritetet vendase. Veprime, që sikurse komentojnë mediat amerikane, mund t’i bëjë vetëm një president amator.

Vizita surprizë e Donald Trump në Irak mund të quhet e suksesshme në aspektin moral, bazuar në ovacionet me të cilat Presidenti u prit nga trupat amerikane. Por pavarësisht kësaj, udhëtimi pati momentet e tij kontradiktore dhe pasioni i Trump për rrjetet sociale i dokumentoi më së miri ato. Trump udhëtoi në bazën ajrore “Al Asad”, në perëndim të Bagdadit, për të falenderuar personelin ushtarak për suksesin në luftën ndaj Shtetit Islamik.

“Deri dy vjet më parë, kur u bëra president, ata ishin një grup dominant. Sot nuk janë më”, tha Trump.

Duke përgëzuar trupat për punën e shkëlqyer, presidenti amerikan u shpreh: “Sot nuk jemi më dështakë, miqtë e mi. Sot jemi të respektuar sërish si komb”.

Anomalia e parë u verifikua menjëherë pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë braktisi hapësirën ajrore irakene, kur me shumë krenari postoi në rrjetet sociale një video nga vizita. Por nuk u desh shumë dhe ndjekësit e tij vunë re diçka që presidentit dhe këshilltarëve të tij mund t’u ketë shpëtuar. Në video Trump shfaqet bashkë me anëtarët e një njësie speciale Navy Seal, identitetet e të cilëve mbrohen me ligj.

Por shfaqja pastër e fytyrave të tyre kompromenton punën e komandove, pasi nëse njëri prej tyre kapet, administrata amerikane nuk do të mund të mohojë më përgjegjësinë për atë që ka bërë. Por kjo nuk ishte e vetmja e metë e vizitës së parë të presidentit amerikan në një zonë lufte. Gjatë takimit me ushtarët, Trump u tha atyre se u ka mundësuar një rritje të ndjeshme të pagës.

“Disa këshilltarë më sugjeruan ta rrisja 2 ose 3 për qind, por unë u thash jo. Do ta rris 10 për qind, ose më shumë”, tha Trump.

Por sipas mediave amerikane, personeli i forcave të armatosura ka patur rritje page çdo vit në dekadën e fundit dhe rritja për vitin 2019 e aprovuar nga Kongresi dhe e firmosur nga presidenti në gusht do të jetë vetëm 2.6 për qind. Udhëtimi i një kryetari shteti në një zonë lufte duhet të planifikohet deri në detajet minimale, në mënyrë që në aspektin e sigurisë të mos ketë defekte. Por Trump, sërish me shumë krenari u tha gazetarëve se si kishte udhëtuar gjatë natës me drita të fikura për të mos tërhequr vëmendje.

Por duke qenë se bëhet fjalë për avionin më të njohur në botë, shanset për ta vënë re janë gjithmonë të larta. Dhe një përdorues i rrjeteve sociale nuk ka vonuar të postojë një foto të “Air Force One” teksa fluturon mbi Shefilld, në Mbretërinë e Bashkuar. I njohur si një president politikisht jo korrekt, gjatë vizitës nuk mungoi edhe fërkimi me autoritetet irakene. Trump kishte në plan të takohej me kryeministrin Adel Abdul Mahdi, por takimi u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve mbi organizimin.

Zyra e shtypit e qeverisë irakene ka sqaruar se Trump kishte kërkuar që takimi të mbahej në bazën “Al Asad”, por një gjë e tillë bie ndesh sipas saj me të gjitha protokollet dhe nga aspekti moral mund të konsiderohet shpërfillje e sovranitetit të Irakut. Me pak fjalë, gabime amatore nga një president kontradiktor./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews