Ballina Bota Analiza Alban Dudushi spektator i spektaklit të tij: nisi si “Top…” mbaroi si...

Alban Dudushi spektator i spektaklit të tij: nisi si “Top…” mbaroi si “Rama show”

Në prag të 17-vjetorit të Top Show-t, një ndër programet më jetëgjatë në ekranet shqiptare, drejtuesit e këtij emisioni, organizuan me sforco një debat, që po rezulton artificial, mes kryeministrit dhe studentëve, duke vënë një pikëpyetje të madhe mbi paanshmërinë e tij, në funksion të propagandës qeveritare.

Në fakt, studentët, ata që prej më shumë se një jave gjenden në rrugë ku po protestojnë në mënyrë paqësore, duke treguar një kulturë të lartë qytetare, refuzuan paraprakisht debatin si një ndër vendimet që gëzoi mbështetje unanime. Madje, edhe në atë që u prezantua si “kushtetuta e studentit”, një ndër pikat ishte: Jo dialog! Jo negociata! Jo bisedime!


Kushtetuta e studentit

E pavarësisht kësaj, emisioni u organizua si i tillë, si një dialog nën okielon: Edi Rama përballë studentëve!

Në prezantimin e tij, drejtuesi i programit, Alban Dudushi, i cili është “autoriteti përgjegjës” për atë që ndodh në “shtëpinë e tij”, në Top Show, pohoi se përballë kreut të qeverisë janë studentë nga thuajse të gjitha qytetet e vendit:

Jemi me kryeministrin Edi Rama, përballë studentëve nga universiteteve të ndryshme, jo vetëm nga Universiteti i Tiranës, por edhe të Shkodrës, Beratit, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit… janë këtu në studio përballë kryeministrit Rama.

Në këtë moment, si një “zot shtëpie”, presupozohet se moderatori, autori apo gazetarët e këtij emisioni kanë përzgjedhur dhe ftuar ato studentët, duke garantuar opinionin publik qe mendohet se i shërbejnë, se ato të rinj përfaqësojnë një mendim të tyre personal, sigurisht me qëndrime politike të caktuara, por pa ngjyrime apo njëanshmëri partiake. Pra në thelb, studentët e emisionit presupozohet se ndajnë të njëjtin shqetësim sikundër dhe studentët që po qëndrojnë paqësisht në rrugë.

Por, mesa duket, situata ishte krejt tjetër!

Në një artikull të tij portali Lapsi.al, e më pas dhe disa media të tjera, denoncuan sesi dialogu me studentët ishte në të vërtetë me studentë të rinj anëtarë, koordinatorë të FRESSH ose persona të lidhur me FRESSH.

Megjithëse kryeministri tentoi ta mbulonte këtë skenar, me një performancë të jashtëzakonshme prej show man-i , që do ta kishin zili shumë drejtues emisionesh talk show, dekonspirimi erdhi në një moment kur një prej studentëve të ftuar, i gjendur nën presionin e komenteve në rrjetet sociale, pranoi publikisht se është një koordinator i FRESSH. (Emisioni, minutazhi 01:10:00)

Krahas kësaj, gazetari-moderatoro-aktor, ndryshe nga herët e tjera që drejton në këmbë spektaklin e tij, na shfaqet i ulur, ndërsa kreu i qeverisë merr vetë “timonin” dhe “frenat” e programit dhe nis të lëvizë nga cepi në cep, duke iu drejtuar edhe vetë kamerës, në një one man show, që për çudi, zgjati më shumë se 2 ore e 30 minuta.

Ky ndërrim rolesh, ku moderatori ishte spektator i spektaklit të tij, ndërsa një artist tjetër mori rolin e drejtuesit, është simbolika më e mirë përshkruese e kësaj puntate, e cila në vend që t’i shërbente studentëve dhe opinionit publik, i shërbeu politikës.

Me ndihmën e Top-it, programi nisi si një “Dudu show” dhe përfundoi si një “Rama show”!

Marrë nga: https://www.medialook.al/alban-dudushi-spektator-i-spektaklit-te-tij-nisi-si-top-mbaroi-si-rama-show/

@tn.lajmelokale
@tetovanews