Ballina Aktualitet Rajoni A po kthehet protesta e studentëve në lëvizje politike? Arlind Qorri: Situata...

A po kthehet protesta e studentëve në lëvizje politike? Arlind Qorri: Situata mund të dalë jashtë kontrollit, dhe jo vetëm për Ramën

Protesta e studentëve nuk rrezikohet vetëm nga militantët e PD-së dhe LSI-së.Nëpërmjet kësaj proteste, një grup neo-marksist, me përfaqësuesin më të njohur pedagogun Arlind Qorri, thotë se në fakt ata mund të rrëzojnë jo vetëm qeverinë, por gjithë sistemin politik. Qorri dhe grupi i tij neo-marksist fshihen pas lëvizjes me emrin “Për Universitetin”, e cila ka disa vite që funksionon. “Kanë frikë se nëse nuk i plotësojnë në kohë të gjitha kërkesat studentëve situata mund të dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar kështu jo vetëm qeverinë, por krejt sistemin politik në Shqipëri” – thotë Qorri në një bisedë me gazetaren e Dta-s, Entela Resuli. Ai i quan deklarimet e kryeministrit për “studentë ngelësa” si përçmuese dhe arrogante.

“Të ishin ngelës nuk do të përmbytej Tirana dje dhe sot. Për sa u përket “ngelësve”, qeveritarët gojëprishur ndoshta nuk e dinë se sa shumë studentë detyrohen të punojnë. Për pasojë shtyrja e provimeve është e vetmja mundësi që kanë për të studiuar sistematikisht: – thotë ai. Qori duket edhe vetë i befasuar me pjesëmarrjen: “Unë ende nuk po e besoj realitetin që po bashkëjetoj me mijëra të tjerë. Jemi si në ëndërr, ku një e ardhme e re po lind në zemër të të sotmes”.

-A e shihni ministren Nikolla të frikësuar nga kjo protestë?

Të frikësuar shoh gjithë qeverinë me Ramën në krye. Ata janë shastisur nga masiviteti dhe entuziazmi i paprecedent i protestës studentore. Besoj se kanë frikë se nëse nuk i plotësojnë në kohë të gjitha kërkesat studentëve situata mund të dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar kështu jo vetëm qeverinë, por krejt sistemin politik në Shqipëri.

-Nëse plotësohen kërkesat do të kërkoni dorëheqjen e saj apo do të ndërprisni protestën?

Nuk jam në gjendje të flas për një masë të madhe dhe të larmishme studentore. Koha do ta tregojë se cilat do të jenë hapat që do të hidhen.

-Në gjykimin tuaj, si është Lindita Nikolla si ministre?

Edhe për faj të saj, edhe për faj të politikave arsimore që janë përcaktuar nga qeveria, Lindita Nikolla do të hyjë në historinë e Shqipërisë për keq. Ligji klientelist i arsimit të lartë, që parashikon financimin e universiteteve private me paratë e popullit, ka qenë pika e humbjes së çfarëdo autoriteti moral nga ana e qeverisë dhe ministres Nikolla.

-A mund të shfrytëzohet kjo energji e protestës së studentëve, edhe për një kërkesë më tepër për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset Shqipëria?

Për momentin lumi i protestës mbetet tek universiteti. Po jam i sigurt që pas fitores së kërkesave studentore, shumëkush do të frymëzohet për të kërkuar të drejtat e mohuara. Kështu që me hir apo pahir do të ndryshohet edhe mënyra se si jemi qeverisur këtë çerek shekulli.

@tn.lajmelokale
@tetovanews