Ballina Aktualitet Kosovë Thaçi e Vuçiq, kritikohen në Prishtinë e Beograd për dialogun

Thaçi e Vuçiq, kritikohen në Prishtinë e Beograd për dialogun

Dialogu ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, në Prishtinë dhe Beograd po shihet në mënyra të ndryshme. Rivalët politikë të dy presidentëve, në Prishtinë dhe Beograd, besojnë se Thaçi dhe Vuçiqi janë më shumë të interesuar për një agjendë tjetër të bisedimeve, sesa nga ajo që e ka përcaktuar Bashkimi Evropian si lehtësues në këtë proces.

Nisur nga takimi i fundit i mbajtur të enjten mbrëma në Bruksel, Qeveria e Kosovës thotë se nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për taksën prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë, me gjithë faktin që presidenti serb, Vuçiq ka paralajmëruar tërheqjen nga dialogu deri në shfuqizimin e kësaj mase.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj gjatë një debati me bizneset kosovare, tha se Kosova është e interesuar për bashkëpunim rajonal, mirëpo Serbia, sipas tij, nuk mund që ta ketë tregun e hapur në Kosovë, e në të njëjtën kohë të lobojë dhe financojë në gjitha forumet ndërkombëtare dhe të pengojë anëtarësimin e Kosovës.

“Bashkëpunimi rajonal nuk nënkupton që ju të shisni produktin në Kosovë, t’i merrni fitimet dhe me ato fitime të shkoni në vendet e botës për t’u bërë presion atyre që të tërheqin njohjen e Kosovës”, tha Limaj.

Pa marrëveshje – taksa për importet serbe, pengesë në dialog
Paralajmërimet e Serbisë për tërheqjen nga dialogu me Kosovën në Bruksel po komentohet në mënyra të ndryshme në Prishtinë dhe Beograd. Partitë opozitare në të dyja vendet e vënë theksin te dialogu për ndryshimin e kufijve më shumë sesa te marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në Kosovë, partitë opozitare kanë kërkuar që presidentit Hashim Thaçi t’i ndalohet të vazhdojë dialogun përderisa, siç kanë theksuar, ai nuk e ka mandatin për të udhëhequr me dialogun.

Shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Avdullah Hoti, shkroi në profilin tij në Facebook se presidenti Thaçi e ka sjellë Kosovën në pozitën më të keqe në marrëdhëniet me jashtë në dhjetë vjetët e shtetësisë.

“Askush nuk ka mandat të dialogojë për territorin e Kosovës, ndërkaq Thaçi nuk ka mandat as të zhvillojë dialog me Serbinë. Ai duhet të ndalet nga Kuvendi ose nga qytetarët kundër këtyre skemave për të minuar shtetësinë e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq, kryetari i Partisë tjetër opozitare, Vetëvendosje, Albin Kurti, shkroi në Facebook se takimi i së enjtes mbrëma në Bruksel u mbajt pa platformë parimesh, pa ekip negiciator, si dhe pa mandat të Kuvendit.

Në anën tjetër, ish-shefi i delegacionit të Serbisë për negociatat me Kosovën, Borko Stefaniviq, i tha Radios Evropa e Lirë se për presidentët Thaçi dhe Vuçiq, nuk janë të rëndësishme bisedimet në Bruksel, por ato që i mbajnë fshehtas për përcaktimin e kufijve.

“Çështja e ngritjes së taksës për mallrat serbe nga ana e Kosovës, nuk është asgjë e re, por Vuçiqi po e shfrytëzon për ngritje të tonit. Tërë kohën, ai shikimin e ka te dialogu tjetër, i cili është i padukshëm, dialogu që zhvillohet në mes Thaçit e Vuçiqit në vende të ndryshme të Evropës, e i cili për ata dy është më i rëndësishmi”.

“Në parim, për ta është i rëndësishëm ai dialog i fshehtë për përcaktimin e kufijve, të cilin e mbajnë të fshehtë nga opinioni publik dhe nga të gjithë aktorët tjerë edhe në shërbimin e jashtëm të BE-së”, deklaroi Stefanoviq.

Përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën finale, analistë të çështjeve politike vlerësojnë se tensionet po rriten, mirëpo edhe të dyja palët po marrin vendime për pozicione sa më të favorshme në mënyrë që të përfitojnë më shumë në fund të dialogut.

Bobo Weber nga Këshilli për Politika të Demokratizimit, i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë ekziston një tension serioz në mes dy vendeve dhe se bazuar në deklaratën e BE-së, atëherë ekziston një shqetësim se është kërcënuar stabiliteti.

“Kjo sigurisht që është një shenjë se duhet të bëhet një rivendosje serioze e këtij dialogu. Kam frikë se të tre negociatorët janë të humbur në këtë drejtim. Duket se kanë qenë thellësisht të mbivlerësuar se mund të kenë sukses. Pra, pyetja është nëse zyrtarët e BE-së janë të gatshëm të ndërpresin procesin ose duhet të presin ardhjen e Komisionit të ri Evropian. Mendoj se shtetet më të rëndësishme duhet të tërheqin vërejtjen se nuk lejohet të luhet me zjarr dhe se ende ka forcë në terren që të parandalojë eskalimin si dhe të gjitha këto tensione dhe rivalitete politike”, tha Weber.

Ndërkaq, për analistin nga Prishtina, Artan Muhaxheri, veprimet e të dyja palëve në dialog në këtë fazë ndërmerren për të forcuar pozicionin e tyre.

“Etapa e fundit e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë tashmë ka filluar dhe çdo vendim i rëndësishëm i Kosovës dhe Serbisë duhet të shihet si pozicionim sa më i mirë për pjesën kruciale, e cila do të rezultojë edhe me marrëveshjen ligjërisht obliguese. Pra, të dyja palët dëshirojnë që t’i rrisin kërkesat maksimalisht, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë kur të vjen moment i dialogut dhe i relatizivimit reciprok të këtyre kërkesave që gjë ndodh në secilin dialog”, tha Muhaxheri.

Të enjten në Bruksel u mbajt takimi i radhës ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa ndonjë marrëveshje konkrete për shkak se pala serbe tha se nuk do të shkojë më në Bruksel derisa Prishtina të mos e tërheqë vendimin e fundit për taksën 10 për qind ndaj mallrave serbe, si dhe të ndalë kërcënimet ndaj serbëve për dërgimin e ushtrisë në veri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë tha se gjasat për marrëveshje janë të vogla, mirëpo dialogu do të vazhdojë. Ndërkaq Bashkimi Evropian iu bëri thirrje palëve të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit./rel

@tn.lajmelokale
@tetovanews