Ballina Diaspora Suhareka e Austrisë (Video)

Suhareka e Austrisë (Video)

Knitelfeld është qytezë e vogël në rajonin Shtajermark në jug të Austrisë, mirëpo shqiptarët që jetojnë në këtë qytezë kanë zemër të madhe dhe shquhen për mikpritjen e tyre. Pas austriakëve shqiptarët janë komuniteti i dytë për nga numri dhe paraqesin bashkësi mjaft të respektuar në këtë komunë.
Po pse kjo qytezë që gjendet 70 kilometra në perëndim të Gracit quhet Therandë, ose Suhareka e Austrisë? Bukuritë e maleve që e rrethojnë, vërtet ta përkujtojnë Therandën në Kosovë, por ky nuk është shkaku i vërtetë. Shkaku i vërtetë pse Knitelfeld quhet Theranda, ose Suhareka e Austrisë është se prej 1.700 shqiptarëve sa jetojnë në këtë qytezë me 11 mijë banorë, 70 për qind janë me prejardhje nga Theranda dhe fshatrat e saj.

Shqiptarët që jetojnë në Knitelfeld njihen si komunitet mjaft i organizuar. Bërthama e aktiviteteve të tyre zhvillohet në klubin Dardania, në kuadër të Shoqatës Kulturore Artistike me të njëjtin emër. Kryetari i kësaj Shoqate, Enver Tërshani, thotë se i gjithi aktiviteti i shoqatës ka për qëllim të ndihmojë rininë shqiptare të integrohet në shoqërinë austriake, por duke ruajtur vlerat e traditës së tyre popullore.
Dhe me të vërtetë, kultivimi i vlerave të traditës dhe kulturës shqiptare nga SHKA Dardani është për t’u lakmuar. E kultivojnë edhe gjeneratat që kanë mërguar më herët, por edhe gjeneratat e reja. Shqiptarët e Knitelfeldit jo vetëm që ruajnë traditën shqiptare në qytezën ku jetojnë, por e përfaqësojnë në nivel mjaft të lartë edhe jashtë Knitelfeldit. Ekipi i Lajm.Tv dhe Tv Dukagjinit, pati rastin të marrë pjesë në një festival të kulturave të ndryshme në Grac, ku prezantimi i kulturës shqiptare ishte ndër prezantimet që u prit më së miri.

Të rinjtë shqiptarë nuk fshehin prejardhjen e tyre. Përkundrazi krenohen me kulturat dhe traditat e veta dhe premtojnë se do ta ruajnë identitetin e tyre.

Knitelfeld është një komunë e cila vitet e fundit po shënon zhvillim të vrullshëm. Ky zhvillim ka ardhur në shprehje pas renovimit të Austria Ringut, respektivisht pistës së garave në Formula 1. Shqiptarët kanë kapur trendin dhe poashtu janë duke zhvilluar biznese mjaft të suksesshme. Një prej biznesmenëve të njohur shqiptarë nga Knitelfeldi është Fadil Bytyqi, pronar i Agjencisë së njohur për urdhëtime, Baci Turs.

Shqiptarët e këtushëm me shpirt e me zemër janë pranë trungut shqiptar. Ata me organizime të ndryshme festojnë çdo festë kombëtare dhe janë krenar që kanë organizuar edhe manifestime mjaft të mëdha, me të cilat shquhen në mbarë diasporën.

Jeta e mërgimtarëve në Knitelfeld është e njëjtë me jetën e shumicës së mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore. Pas një jave të lodhshme të punës, ata bëhen bashkë në klubin shqiptar ku qajnë hallet mes veti, si dhe bisedojnë për zhvillimet e fundit në vendlindje. Por për të harruar hallet që u shkaktojnë kokëçarje, kapin sharkinë dhe qiftelinë dhe ia thonë këngës për vendlindjen.

@tn.lajmelokale
@tetovanews