Ballina Diaspora Shqiptarët e Rumanisë festojnë Festën Kombëtare

Shqiptarët e Rumanisë festojnë Festën Kombëtare

Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë organizoi më 26 nëntor një pritje me rastin e ditës kombëtare të shqiptarëve në mjediset e Hotel Marshal Garden, në Bukuresht. Së bashku me anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë ishin të pranishëm deputetë e senatorë të Parlamentit të Rumanisë, përfaqësues të Qeverisë dhe të institucioneve publike qendrore, intelektualë, studentë shqiptarë, miq të Shqipërisë etj. Deputeti Bogdan Alin Stoika, në fjalën e tij të hapjes, evokoi historinë e marrëdhënieve të afërta gjatë gjithë historisë midis rumunëve dhe shqiptarëve. “Veprimtaritë e e organizuara nga ALAR”, shtoi deputeti Stoika, “evokojnë gjithmonë përpjekjet e kolonisë shqiptare të Rumanisë për përgatitjen e pavarësisë.

Takimi në Bukuresht i përfaqësuesve të komunitetit shqiptar të Rumanisë, si Asdreni, Ibrahim Themo etj. me atin e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin, me Luigj Gurakuqin etj., më 5 nëntor 1912, do të ishin vendimtare për shqiptarët. Nuk duhet të harrojmë mbështetjen që lëvizja kombëtare shqiptare ka marrë nga Mbreti Karol i I i Rumanisë dhe qeveria rumune, as gëzimin me të cilin opinioni publik në Bukuresht priti lajmin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë “.

Deputeti Bogdan-Alin Stoika theksoi se: “Shqiptarët duan një shtet rumun të fuqishëm, sepse shikojnë tek Rumania një aleat historik, ata dëshirojnë një Rumani që beson në vlerat e vërteta evropiane, por dhe të denjë në skenën ndërkombëtare, për të vepruar si një faktor ekuilibri në Ballkan “. Kryeministrja e qeverisë rumune, Viorica Dăncilă, dërgoi si përfaqësuese të saj, për të nderuar Festën Kombëtare të Shqiptarëve, znj. Oana Alarc-Elena Pintilie, sekretar shteti në Sekretarinë e Përgjithshme të qeverisë rumune.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Pintilei theksoi se shteti unitar i Rumanisë nuk do të ishte bërë i mundur pa rolin dhe ndihmesën e pakicave kombëtare, tolerancës etnike dhe bashkëjetesës harmonike mes pakicave në Rumaninë moderne. Në emër të kryeministres ajo uroi shqiptarët, kudo që ndodhen, “Gëzuar Festën e Flamurit”. Kryetari i grupit parlamentar të pakicave kombëtare në Dhomën e Deputetëve, z. Varuzhan Pambuccian, në fjalën e tij theksoi se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Europës, i cili, në sajë të vetëmohimit dhe forcës që e ka karakterizuar në shekuj, u ka bërë ballë gjithë dallgëve të historisë.

Gjithashtu, ai shtoi se “shqiptarët në Rumani nuk janë vetëm një pakicë që ka ruajtur identitetin e vet, që ka kontribuar në të gjitha fushat në ndërtimin e shtetit rumun, por edhe një pakicë që punon për zhvillimin e këtij identiteti, gjë që dëshmohet nga veprimtaritë e organizuara nga ALAR.” Drejtori ekzekutiv i organizatës, Dr. Radu Cosmin Savulescu, lexoi mesazhin e dërguar nga z. Fate Velaj, deputet i qytetit të Vlorës dhe një nga nismëtarët e vendosjes së bustit të Skënderbeut në qytetin e Craiova-s dhe të ditëve të kulturës shqiptare, që u organizuan në fund të tetorit të këtij viti: “Më lejoni t’ju përcjell urimet e mia dhe të gjithë kolegëve të mi parlamentarë, të cilët, së bashku me ju patëm nderin, të marrim pjesë në një moment lartësues dhe fisnik – inaugurimin e bustit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, në qytetin e bekuar e Rumanisë, Craiova “.

Gjithashtu, deputeti Velaj përcolli përshëndetjet dhe urimet e autoriteteve lokale të qytetit të Vlorës dhe të komunitetit të artistëve dhe intelektualëve të këtij qyteti, pjesëmarrës në evenimentin mbresëlënës të “ditëve të kulturës shqiptare, Craiova dhe Vlora një short europian.” Zoti Velaj, në mesazhin e tij shprehu dëshirën që marrëdhëniet rumuno-shqiptare të zhvillohen më tej, duke u bazuar në potencialin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, historike, gjuhësore, sociale dhe politiko-diplomatike.

Në mjediset e Hotelit Marshall Garden në Bukuresht u çel dhe ekspozita fotografike e mjeshtrit vlonjat të peizazhit, Ahmet Axhushi. Miqtë dhe të ftuarit ndoqën me interes pamje nga mrekullitë e natyrës shqiptare, perëndimet në Detin Jon, por dhe transformimet e mëdha të qytetit të Vlorës. Në pritje u zhvillua një moment i posaçëm artistik.

Florentina Barbu (vokal) dhe Daniel Bertesteanu (kitarë), anëtarë të grupit vokal-instrumental “Serenada” të ALAR-it kënduan mjeshtërisht këngë lirike qytetare shqiptare. Miqtë e ftuar morën botimin më të fundit të Shtëpisë Botuese së ALAR “Asdreni”, “ Guidë bashkëbisedimi rumanisht-shqip” me autor Dr. Luan Topçiu dhe një CD me muzikë shqiptare. Veprimtaria u transmetua nga televizioni publik rumun, TVR1.

@tn.lajmelokale
@tetovanews