Ballina Argëtim Showbiz Rita Ora rrëfen për albumin, biseksualitetin dhe Shqipërinë

Rita Ora rrëfen për albumin, biseksualitetin dhe Shqipërinë

Që pas publikimit të albumit “Ora” në vitin 2012, Rita Ora la mënjanë muzikën dhe iu përkushtua spektakleve si “The Voice”, “The X Factor” dhe “America’s Next Top Model”, apo edhe fushës së aktrimit me rolin e saj në “Fifty Shades”.

Por më në fund, Rita Ora iu përkushtua siç duhet muzikës dhe ka gati albumin e saj “Phoenix”. Ky album nuk është i veçantë sepse kthen këngëtaren shqiptare fuqishëm në muzikë, por nga ana tjetër rrëfen edhe historinë e saj personale.

“Kam mësuar si të bie në paqe me ndjenjat e mia nga ky album, si të flas për to dhe si të kërkoj ndihmë kur është nevoja. Mendoj se ky është një hap i madh për të gjithë. Mendoj se është kaq e rëndësishme që të mos kemi turp të kërkojmë ndihmë. M’u hapën sytë. Doja të sillja një fillim të ri, prandaj edhe e quajta ‘Phoenix’. Dua të frymësoj gjithë njerëzit që të besojnë se ka përherë një fillim të ri.” – u shpreh këngëtarja shqiptare në një intervistë për “Stylist”.

Ndër të tjera, Rita Ora rrëfeu se ishte biseksuale, përmes këngës “Girls” dhe u shoqërua me shumë reagime të ashpra. Por çfarë mendon Rita për këtë?

“Ka qënë gjithmonë një temë shumë e ndjeshme për mua. Ishte historia ime dhe e dija që shumë njerëz do të surprizoheshin sepse unë nuk kisha folur në publik më parë në lidhje me këtë gjë. Unë nuk mendoj se do ta kisha treguar këtë sot po të mos ishte për komunitetin LGBT si dhe për fansat e mi. Ishte një moment në jetën time që doja t’i jepja shumë besim vajzave të cilat ndihen në kurth dhe nuk mund t’i tregojnë prindërve se janë lezbike. Unë doja t’i jepja njerëzve një fije shpresë që edhe ata ta kalonin këtë. Kjo është historia ime dhe e vërteta ime. Unë nuk kisha frikë ta bëja publike. Prita sepse mendoj se nuk ishte koha e duhur. Unë jam një person adult, ndjeja nevojën se duhet ta kisha bërë këtë për të ecur përpara. Jam shumë krenare për atë që jam dhe rrugëtimin që më solli këtu. Çdo njeri duhet të kalojë këto gjëra për të mësuar më shumë në lidhje me veten” – tha Rita Ora.

Sakaq, në intervistën për britaniken “Stylist” Rita Ora nuk nguron të flasë për rrënjët e saj dhe sesa krenare ndihet se në venat e saj rrjedh gjak shqiptari.

“Nuk ka fjalë për të shprehur sa krenare jam për rrënjët e mia. Performova në fillim të këtij viti në Kosovë për 10-vjetorin e Pavarësisë dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time. Në familjen tonë, ne komunikojmë shqip shpeshherë sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne” – përfundoi këngëtarja shqiptare Rita Ora.

@tn.lajmelokale
@tetovanews