Ballina Aktualitet Lajme Rashidi: Gjuha shqipe, jo gjuhë e 20 përqindëshit

Rashidi: Gjuha shqipe, jo gjuhë e 20 përqindëshit

Komisioni për Çështje Kushtetuese nisi shqyrtimin e teksteve mbi draft-amendamentet e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Në fillim të mbledhjes, shumica dhe opozita u përplasën për çështjen e transmetimit të mbledhjes në kanalin zyrtar të Kuvendit. Kryeministri Zoran Zaev kërkoi proces gjithëpërfshirës në shqyrtimin e teksteve të amendamenteve, duke theksuar se identiteti maqedonas nuk shndërrohet në maqedonas verior.

https://youtu.be/p2SNtyBCBls

I qëndroj fjalës time se akoma vlen oferta për proces inkluziv në këtë fazë në suaza të shpirtit të marrëveshjes së Prespës. Jam i sigurt se Kuvendi i Maqedonisë si shtëpi ligjvënëse është institucioni kompetent dhe deputetët janë të zgjedhurit të cilët do ta zbatojnë procesin e ndryshimeve kushtetuese duke u thirrur në interesat e qytetarëve”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Ish kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski kërkoi nga shumica që për çdo nen kushtetues ku përmendet emri Maqedoni të propozohet amendament në vete.

A e dini në sa nene të Kushtetutës është termi Maqedonia? Mbi 50, ja Ilija Dimovski thotë se është 51 ndërsa në disa nene nga 3 apo 4 herë theksohet. Nuk është aq e thjeshtë që fjala Republika e Maqedonisë ndryshohet me fjalën Republika e Maqedonisë së Veriut. Vetëm në Preambulë, 6 herë duhet të shtohet Maqedonia e Veriut”- tha Trajko Veljanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare këmbëngul që në Kushtetutë gjuha shqipe të njihet si e tillë dhe jo si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës. Në angazhimin e shtetit ndaj diasporës, opozita kërkon që të përfshihen të gjithë qytetarët dhe jo vetëm ata maqedonas.

Unë dhe qytetarëve mi duam që gjuha që e flasim ne të quhet gjuha shqipe dhe jo gjuha e 20 për qindëshit. PO të ishim në një shoqëri normale, këtë propozim nuk do ta jepja unë këtu por do ta jepte cili do deputet jo shqiptar”- tha Syrija Rashidi, deputet i ASH-së.

Bëhet dallim i skajshëm në paragrafin 1 të këtij draft-amendamenti, tregohet kujdes për popullin maqedonas jashtë, trashëgiminë dhe historinë e saj, ndërsa ne të tjerët trajtohemi si shtetas apo qytetarët dhe kur të kemi ndonjëherë ndonjë punë jashtë Maqedonisë mund ta realizojmë ndonjë të drejtë qytetare”- theksoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa .

Ditëve në vijim Kuvendi do të shqyrtojë edhe tekstet e amendamenteve ndaj Preambulës, angazhimit të shtetit ndaj diasporës dhe pacenueshmërisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit. Më 1 dhjetor draft-amendamentet do të vendosen për votim në seancë plenare.

Adrian Kerimi

@tn.lajmelokale
@tetovanews