Ballina Lajme Shqipëri Rama ripropozon Lleshin, Meta nuk tërhiqet

Rama ripropozon Lleshin, Meta nuk tërhiqet

SHPËRNDAJE

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama firmosi sot kërkesën e re dërguar presidentit Ilir Meta përmes së cilës ai ripropozon gjeneralin Sandër Lleshi, në postin e ministrit të Brendshëm. Kërkesa, siç shpjegon zoti Rama përmes një statusi në Twitter, është shoqëruar dhe me “një relacion të detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”.

Mbrëmë gjatë emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në televizionin “Vizion Plus”, zoti Rama tha se paraqitja e kërkesës për zotin Lleshi, synonte që “t’i japim presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë e të rifutemi në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, tha kryeministri.

Ai paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë “shpresoj në pranverën e ardhshme” mund t’a marrë në shqyrtim dhe “të sqarojë një herë e mirë dhe këtë aspekt”.

Qëndrimi i presidentit u shoqërua me polemika të shumta, për shkak të faktit se Kushtetuta nuk ja njeh shprehimisht një kompetencë të tillë Kreut të Shtetit. Gjatë fjalës së tij në parlament, ditën e hënë, zoti Rama këmbënguli në faktin se Presidenti nuk mund të refuzojë emërimin e një anëtari të Qeverisë. Nga ana e tij, zoti Meta nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar mbi motivet që e shtynë të kundërshtojë propozimin e kryeministrit. Ai edhe sot u shfaq i bindur se ka vepruar drejt, ndërsa u pyet nga gazetarët për motivet ligjore. “Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti”, u shpreh ai.

Kreu i Shtetit duket se ju përgjigj drejtpërdrejtë kryeministrit kur shtoi se “të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë”, u shpreh zoti Meta, duke lënë kështu të kuptohet se pavarësisht përpjekjes së re të kryeministrit, asgjë nuk pritet të ndryshojë.

Zotit Sandër Lleshi ju besua megjithatë drejtimi i Ministrisë së Brendshme, ndonëse “de jure” vetëm në rolin e një zëvendësministrit. Një situatë për të cilën, dje reagoi dhe ambasada amerikane. Përmes një deklarate ajo u shpreh se “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në të njejtën linjë ka qenë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Luigi Soreca theksoi se “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale, në gjendje të vazhdojë të luftojë me forcë kundër krimit të organizuar është thelbësore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”./voa