Ballina Sport “Nga ferri në parajsë”, Holanda i ngrin buzëqeshjen Gjermanisë në shtesë

“Nga ferri në parajsë”, Holanda i ngrin buzëqeshjen Gjermanisë në shtesë

Holanda është rikthyer fuqishëm në arenën e më të mëdhave të futbollit europian, teksa është bërë skuadra e katërt, që bashkë me Anglinë, Zvicrën dhe Portugalinë, do të diskutojnë trofeun e Ligës së Kombeve.

Skuadrës së drejtuar nga Ronald Koeman i duhej vetëm një pikë në transfertën e “Veltins Arenës”, ndaj Gjermanisë dhe ia doli ta marrë në vetëm 5 minutat e fundit, kur edhe rikuperoi disavantazhin prej dy golash.

Vendasit shënuan dy herë në pjesën e parë, fillimisht me anë të sulmuesit Timo Werner dhe më pas me anë të anësorit të Manchester City-t, Leroy Sane dhe dukej se gjithçka po shkonte në favor të Francës, që lutej për fitoren e Gjermanisë sonte.

Por “portokallinjtë” nuk u dorëzuan dhe rihapën takimin në minutën e 85-të, kur Promes shënoi pas një rrëmuje në zonë, ndërsa vetëm 6 minuta më vonë, në të parën shtesë, ishte mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, që shënoi golin e barazimit.

Pas një krosimi në zonë, Van Dijk mori mirë topin mbi vijën e 5-metërshit dhe gjuajti qetësisht, duke e dërguar në rrjetë, ndërsa më pas shpërtheu festa holandeze, me skuadrën që u ngjit në krye të grupit, me pikë të barabarta, por me golaverazh më të mirë se Franca.

@tn.lajmelokale
@tetovanews