Ballina Aktualitet Reportazhe Në Shkup, mes shqiptarëve që na quajnë “Kalë Troje” për Gruevskin

Në Shkup, mes shqiptarëve që na quajnë “Kalë Troje” për Gruevskin

Bardhyl Berberi përshkruan Shkupin mes historisë dhe jetës moderne. Ai ndeshet me “zemërimin” e shqiptarëve të Maqedonisë për faktin që Gruevski u lejua t’i shpëtonte drejtësisë për krimet e bërë kundrejt shqiptarëve, pikërisht në Shqipëri

Shkupi është befasues sa herë që ta vizitosh. Pasi lëmë pas Strugën, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën, tej në horizont shfaqet Shkupi. Me ndërtesa shumëkatëshe, parqe pafund, me lumin ‘Vardar’ që kalon mes përmes qytetit me një nanuritje me qetësi perëndie midis urave të shumta dekorative të ngritura përgjatë lumit: Ky është Shkupi. Shkupi është një qytet me 650 mijë banorë, ku më shumë se 25% janë shqiptarë. Është lumi ‘Vardar’ që ndan lagjen shqiptare nga lagjet maqedonase dhe sllave në Shkup. Mbi ‘Vardar’, në anën e majtë jetojnë shqiptarët, ndërsa në krahun e djathtë maqedonasit. Hyjmë në ‘Bitpazar’, ose siç njihet ndryshe pazari i vjetër otoman, aty ku prej shekujsh e shekujsh me radhë sllavë e shqiptarë, turq, romë e serbë ishin të përzierë mes tyre dhe tregtonin së bashku.

Në Çarshinë e Shkupit

Në lagjen shqiptare takojmë një grua maqedonase rreth të 50-ve, Mira Trajkovskan, që mban në gjoks një kryq të madh të florinjtë. Gruaja pa pasur pikën e frikës jeton në lagjen shqiptare në anën e majtë të ‘Vardarit’. “Jetojmë këtu në mes të shqiptarëve. Nuk kemi armë, të vetmin mjet mbrojtës kemi miqësinë e mirë me fqinjët shqiptarë dhe pastërtinë e shpirtit tonë. Për hir të së vërtetës, kalojmë mirë me shqiptarët”, thotë Mira . Ajo mendon se shqiptarët, më tepër se për të kërkuar të drejta’ kanë nevojë që të zbatohen me rigorozitet ligjet ekzistuese. Në Çarshinë e Shkupit takojmë shumë shqiptarë ata aty kanë bizneset e tyre. Nimetulla Hasani ky shqiptar maqedonas i sheh gjërat ndryshe. Në fillim të bisedës ai paksa i revoltuar na thotë se na keni koritur… Pse i them unë ? – Si ka mundësi që Gruevski të kalojë nga Shqipëria për t’ju shpëtuar poshtërsive që na ka bërë ne shqiptarëve …U treguat për ne shqiptarët e Maqedonisë si “ Kalë Troje”. Më pas vazhdon: “Ne e dimë se maqedonasit e shohin veten më lart se ne. Ata për ne flasin me përbuzje dhe na trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë.

Vazhdimisht, sa herë ka regjistrim të popullsisë, maqedonasit me lloj-lloj mënyrash mundohen që të ulin përqindjet e shqiptarëve dhe mundohen që të zhdukin gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën tonë”, thotë Hasani. Ndërkohë, ai tregon se “vetëm para disa kohësh ne u përleshëm në Kalanë e Shkupit me maqedonasit, ku po ngrihet një kishë. Pikërisht në atë kala ku janë gjurmët e të parëve tanë, të Dardanëve që kanë jetuar në këto troje të lashta, mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës po ndërtohet një kishë ortodokse”.Valbona Reka për gazetën “ Shekulli” na thotë se është aktiviste e një lëvizje qytetare me 5000 anëtarë që proteston kundër diferencimit që i’u bëhet shqiptarëve. “Është turp për shtetin shqiptar që i krijoi kushte Gruevskit të arratiset nëpërmjet Shqipërisë, kjo na ka lënë një shije shumë të hidhur… Shkupi ka dy fytyra të një qyteti modern ku banojnë sllavët maqedonas dhe pjesa tjetër matanë urës së Vardarit ku jetojnë shqiptarët ka një kontrast të thellë. Është pikërisht lumi ‘Vardar’ që ndan rrjedhën e jetës së shkupjanëve”, thotë ajo.

Shkupi

Ndalim hapin në sheshin “Makedonia” në qendër të Shkupit. Ai është i stolisur me kryqe të mëdha ortodoksësh, përmendore të sajuara, që më shumë tregojnë historinë e një populli të munguar, që nuk e ka dhe është vetëm një trillium … Është zbatuar projekti “Shkupi 2014”. Ky një projekt që ka filluar ta transformojë Shkupin me lloj-lloj përmendoresh. Shumë shkupjanë mbledhin krahët, pasi nuk i njohin si figura të kombit të tyre monumentet e ngritura në sheshin qendror të qytetit. Po t’i hedhësh një sy të vëmendshëm Shkupit të viti 1963 para tërmetit të 26 korrikut, i cili pothuajse u rrafshua krejt, vë re se ai i ngjan një qyteti që kërkon t’i ikë së kaluarës.

Shkupi i sotëm kërkon që të zhbëjë themelet ku ishte ngritur dikur, ku të parët e tyre kanë qenë Dardanët. Duke qenë një qytet që kërkon të fshijë të kaluarën, ai zgjatet nga e djathta e lumit Vardar, në pjesën ku jetojnë maqedonasit, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne. Një shqiptar nga Shkupi, Bujar Gega na thotë: “Shikoni lagjen në të majtë të Vardarit që quhet lagjja e “Nerezit” e banuar me shqiptarë autoktonë, është lënë si e getonizuar në kushtet e një mjerimi social. Shqiptarët e Shkupit janë autoktonë të vërtetë dhe nuk është ashtu siç shkruhet në enciklopedinë skandaloze të botuar para pak kohësh apo librat e tjerë shkollorë, ku shqiptarët quhen si ardhacakë të ardhur nga mali.

Gjurmët e së kaluarës

Janë të pakta gjurmët që i kanë ngelur Shkupit nga e kaluara, nga fisi i ilirëve (Dardanët) që janë të parët e këtyre trojeve. Të paktat gjurmë që ka në mbetur nga koha e perandorit Justinian me orgjinë ilire nga Bedriana dhe nipit të tij të lindur në Tures, tregojnë që shqiptarët e Shkupit janë autoktonë dhe themeluesit e vërtetë të këtij qyteti. Në Shkup lindën këta perandorë të mëdhenj me orgjinë shqiptare dhe ndërtues të qindra kështjellave të shpërndara nëpër Dardani, mes të cilave edhe Kalaja e Shkupit, e cila edhe sot ngelet emblema njohëse e këtij qyteti. Por në Shkup, më rrallë po shihen edhe gjurmët e kohës së Perandorisë Osmane, kur ky qytet shkëlqeu dhe u bë qendër e rëndësishme ushtarake për të gjithë rajonin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews