Ballina Sport Napoli bën spektakël me Empolin, tripletë e Mertensit

Napoli bën spektakël me Empolin, tripletë e Mertensit

Napoli ka rimarrë përkohësisht vendin e dytë në klasifikimin e kampionatit italian pasi ka mundur me rezultatin 5-1 Empoli-n në shtëpi, në një ndeshje që ka qenë e vlefshme për javën e 11-të të Serisë A. Lajme të mira edhe për Elseid Hysajn, i cili ka luajtur nga minuta e parë deri tek ajo e fundit, por i aktivizuar në krahun e majtë të mbrojtjes.

Nëntë minuta i kanë mjaftuar vendasve për të zhbllokuar rezultatin me Lorenzo Insinge, i cili ka mposhtur portierin Provedel me një goditje të saktë me të majtën brenda zonës së rreptësisë pas një pasimi të marrë nga Koulibaly.

Shtatë minuta para fundit të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i dytë për skuadrën e Ancelotti-t, me Mertens që ka realizuar me një goditje të bukur nga jashtë zone. Reagimi i miqve ka ardhur në minutën e 58-ë me Caputo-n, që ka rihapur takimin para se Mertens të mbyllte përfundimisht në të 64-ën, duke realizuar golin e tretë. Në fundin e ndeshjes, në minutën e 90-të, ka ardhur edhe goli i katërt i realizuar nga Milik para se Mertens të fiksonte shifrat në 5-1 në minutën e 93-të.

Kjo fitore e ka dërguar Napoli-n në kuotën e 25 pikëve, tri pikë larg Juventus-it kryesues dhe tri larg Inter-it të vendit të tretë, por bardhezinjtë dhe zikaltrit kanë një ndeshje më pak. Ndërkohë, Empoli ka marrë humbjen e shtatë në këto 11 javë të para të kampionatit dhe mban vendin e 18-të në kampionat me 6 pikë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews