Ballina Aktualitet Lajme Mickoski paralajmëron “revolucion” kundër Qeverisë së Zaevit

Mickoski paralajmëron “revolucion” kundër Qeverisë së Zaevit

Protesta e të enjtes e VMRO-DPMNE-së shënon edhe fillimin e revolucionit kundër Qeverisë aktuale, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski në shënimin e një vjetorit të arrestimeve të përfaqësuesve të kësaj partie, por edhe të personave të tjerë lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill 2017.

Kreu i VMRO-së ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, për siç ka thënë, dhunimin e institucioneve dhe politikat e tjera të gabuara.

“Me protestën e sotme shpallin fillimin e revolucionit tonë të përgjithshëm nacional, ekonomik, social, arsimor kundër qeverisjes së gabuar të Zoran Zaevit. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë t’i ndalin rrugën LSDM-së dhe Zaevit në shkatërrimin e interesave nacionale ekonomike që të na bashkohen dhe krah për krah, të nisim revolucionin e përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës. Këtë do ta vazhdojmë në periudhën që vijon, jo vetëm në Shkup, por në të gjitha qytetet. Kjo është një lloj beteje të cilën, VMRO-ja dëshiron ta manifestojë dhe akumulojë të gjithë pakënaqësinë e qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

Kreu i opozitës maqedonase tha se mbetet në qëndrimin se VMRO-ja nuk do të marrë pjesë në trupin për pajtim kombëtar, por ka thënë se çdo zgjidhje ligjore që i jep fund përndjekjeve politike, do të ketë mbështetjen e subjektit tij.

“Çfarë do zgjidhje ligjore që i jep përgjigje kësaj përndjekje politike që po i ndodh VMRO-së dhe funksionarëve aktualë dhe të mëhershëm, do të ketë mbështetjen tonë”, ka deklaruar Mickoski.

prillit
Protesta e VMRO-DPMNE-së para qeverisë mbahet kundër arrestimit të zyrtarëve të saj të cilët po gjykohen për dhunën në Kuvend. Në mesin e tyre janë edhe gjashtë deputetë të përjashtuar të kësaj partie, të cilët akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”. Nga VMRO-ja hedhin poshtë akuzat duke i cilësuar akuzat dhe arrestimet si “përndjekje politike”.

Nga dhuna në Kuvend më 27 prill 2017 kishin pësuar shumë përfaqësues të opozitës së atëhershme, në mesin e të cilëve kryeministri Zoran Zaev dhe lideri Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

@tn.lajmelokale
@tetovanews