Ballina Aktualitet Ekonomi Lufta ekonomike Kosovë-Serbi

Lufta ekonomike Kosovë-Serbi

Vendosja e taksës mbrojtëse prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia, si dhe ndalimi i shitjes dhe importit të produkteve që nuk i referohen Kosovës si shtet, pritet të mos jenë masat e fundit që Kosova do t’iu vë produkteve të Serbisë.

Një grup i deputetëve kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për një debat parlamentar lidhur me nevojën urgjente për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti.

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova si shtet duhet të përgjigjet ndaj çfarëdo agresioni nga një shteti tjetër, në këtë rast nga Serbia.

Deputeti Korab Sejdiu, iniciues i kësaj nisme, thotë se “Serbia kohëve të fundit ka ndërmarrë një fushatë shumë të egër ndaj Kosovës” dhe kjo e ka nxitur atë që të kërkojë masa reciprociteti.

“Të fillojmë të veprojmë si shtet dhe këtë ide e kanë përkrahur edhe deputetë të tjerë. Synimi ynë është që ne të mos jemi financues të kësaj fushate të ashpër të Serbisë përmes 400 milionë euro në vit që ne ia dhurojmë ekonomisë serbe dhe e cila pastaj i përçohet Qeverisë serbe për të investuar në destabilizim të Kosovës, përfshirë edhe në betejën në mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”, thekson Sejdiu.

Kosova vazhdon të importojë nga Serbia produkte në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit, ndërkohë produktet e Kosovës në shtetin e Serbisë në vazhdimësi hasin në barriera të shumta, ku edhe vlera e eksportit të produkteve të Kosovës në Serbi është jo më shumë se 48 milionë euro në vit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se në rast të një vendimi të Kuvendit të Kosovës për embargo ndaj produkteve të Serbisë, do ta procedonin atë.

Shala shton se Kosova do të mund të zëvendësonte të gjitha produktet të cilat importohen nga Serbia.

“Kosova ka produkte edhe vendore, por edhe bizneset kosovare në mënyrë shumë të lehtë mund që produktet nga Serbia t’i zëvendësojnë me produkte fillimisht vendore, që janë edhe nga kualiteti më të mirë sesa produktet nga Serbia, por edhe nga çmimet. Po ashtu, edhe produktet të cilat Kosova nuk i ka bizneset kosovare, shumë lehtë mund t’i marrin nga vendet tjera”, thotë Shala.

Vendimi i ministrit Shala për vendosjen e taksës 10 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kishte nxituar shqetësime në Bruksel se po shkelet Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA.

Por, një vendim i tillë, është përkrahur në Kosova nga të gjithë përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertë të fushës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se vendosja e një embargoje për produktet e Serbisë do të kishte efekte jashtëzakonisht të vogla në ekonominë e Kosovës, pasi sipas tij, ekonomia e Kosovës pjesën kryesore të lëndës së parë e ka nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa Serbia me gjithë mekanizmat e saj politikë, institucionalë dhe ekonomikë e lufton shtetin e Kosovës edhe shteti i Kosovës duhet të përdorë mekanizmat që i ka në dispozicion për t’iu kundërvënë këtij sulmi të egër që po bën Serbia, e i cili fatkeqësisht po bëhet edhe me heshtjen e Bashkimit Evropian”, thekson Gashi.

Ndërkohë Deputeti Korab Sejdiu shton se në vazhdimësi nga Kosova është kërkuar që të jetë pala më mirëkuptuese karshi Serbisë, por, kjo që është duke ndodhur tani, shton Sejdiu, është që miqësia e Kosovës është duke u trajtuar si dobësi.

“Jemi në një situatë që nuk kemi zgjidhje që të ndërrojmë qasjen tonë ndaj Qeverisë së Serbisë dhe një fillim i mbarë do të ishte që ne mos të furnizojmë me mbi 400 milionë euro në vit ekonominë serbe. Unë besoj fuqishëm që në momentin që do të impononim një embargo të tillë, do të rritej presioni në Qeverinë e Serbisë që të ndalojë sulme dhe agresion të hapur që po bën ndaj Kosovës, jo vetëm në sferën ndërkombëtare, por edhe brenda shtetit tonë, në veçanti në katër komunat veriore”, thekson Sejdiu.

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Serbinë, janë përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta.

Serbia vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, pati ndaluar produktet e Kosovës në tregjet e saj, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës./REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews