Ballina Bota Analiza “Kllouni” që u bë president

“Kllouni” që u bë president

Brazilianët nuk u besojnë politikanëve. Ata i besojnë kishave dhe ushtrisë, dy institucionet tek të cilat Bolsonaro kërkoi më shumë mbështetje. Me zgjedhjen e tij, Brazili është “një hap më pranë fashizmit”

Një vit më parë, Jair Bolsonaro konsiderohej një “klloun” shkruante “O Estado de São Paulo” (Brazil) në një editorial. Tashmë brazilianët e kanë zgjedhur populistin e të djathtës ekstreme, si president të tyrin. Ish kapiteni 63-vjeçar i ushtrisë, Bolsonaro ka kaluar disa dekada si një anëtar aspak efektiv i parlamentit dhe njihej kryesisht për faktin që ishte gojëlëshuar. Ai i tha një ligjvënëseje se ishte shumë e shëmtuar për t’u përdhunuar, i ka quajtur brazilianët me ngjyrë si bullafiqë e dembelë, dhe ka deklaruar se, më mirë ta shohë të birin të vdesë në një aksident me makinë, se sa t’i thotë që është homoseksual.

Një katolik i devotshëm, ai ka paralajmëruar se “shteti është kristian dhe pakica duhet të ndryshojë”. Megjithatë, gjëja më e frikshme për Bolsonaron është mbshtetja e tij “për torturën dhe diktaturën ushtarake” që udhëhoqi Brazilin, nga 1964 deri në 1985. Pak ditë para zgjedhjeve, ai thërriste se kundërshtarët e tij majtistë do të vriteshin apo burgoseshin, nëse nuk largoheshin nga vendi.

Bolsonaro nuk di asgjë për ekonominë, e madje edhe hsumë mbështetës të tij thonë se është “krejt i papërgatitur për të udhëhequr”.

Atëherë, përse 58 milionë njerëz – më shumë se 55% e atyre që votuan – e mbështetën? Për shkak se ai shfaqet si antiteza e zemëruar e Partisë sëPunës të majtë, që e ka qeverisur Brazilin për 13 vite.

Brazilianët ishin të dëshpëruar për ndryshim, shkruante Alejandro Katz në “La Nacion” (Argjentinë). Ata fajësojnë Partinë e Punës për për renë e zezë “të krizës ekonomike, korrupsionit dhe pasigurisë” që ka pllakosur. 13 milion brazilianë janë të papunë dhe krimi i dhunshëm është rritur frikshëm – vetëm vitin e kaluar pati 175 vrasje në ditë.

Partia e Punës u përpoq të shpëtojë Brazilin: shumë prej anëtarëve udhëheqës të saj, duke përfshirë ish presidentin tashmë të burgosur, Luiz Inácio Lula da Silva, janë shpallur fajtorë për faktin se kanë marrë rryshfete nga biznesi i madh. Kështu që, votuesit ia dhanë besimin një neofashisti, i cili ofron zgjidhje të thjeshta, mizore për problemet komplekse të Brazilit.

Megjithatë nuk ka arsye të besosh se Bolsonaro s’do jetë president kompetent, shkruante “O Globo” (Brazil) në një editorial. Në fakt, fitorja e tij në zgjedhje është dëshmi e forcës së institucioneve braziliane. Ish presidenti Lula u përpoq t’u bëjë presion gjykatave, që ta lejonin të kandidonte në zgjedhjet e këtij viti, pavarësisht dënimit, por “ligjet u respektuan” dhe ai u ndalua. Dhe Bolsonaro arriti të fitojë, pavarësisht mungesës së tolerancës dhe agresivitetit të të majtëve gjatë fushatës – një prej të cilëve e goditi dhe e plagosi me thikë, një muaj para votimeve.

Bolsonaro nuk është shkaku, por pasoja e një krize legjitimiteti në demokracinë braziliane, shkruan Pablo Gentili në Brasil.ElPais.com. Sondazhet kanë treguar se më pak se një e treta e brazilianëve mbështesin demokracinë – jo më kot, në vitin 2016 presidentja Dilma Rousseff e Partisë së Punës “u largua përmes një farce parlamentare dhe ligjore” dhe Lula u dënua një vit më pas për akuza korrupsioni. Brazilianët nuk u besojnë politikanëve. Ata i besojnë kishave dhe ushtrisë, dy institucionet tek të cilat Bolsonaro kërkoi më shumë mbështetje. Me zgjedhjen e tij, Brazili është “një hap më pranë fashizmit”.

Përgatiti: Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews