Ballina Argëtim Jetë & Stil Ke sadopak kohë të lirë? Shfrytëzoje për një ecje në natyrë…

Ke sadopak kohë të lirë? Shfrytëzoje për një ecje në natyrë…

Kohët e fundit po vihet re një rënie e aktivitetit fizik në radhët e popullatës urbane, si dhe një rritje e nivelit të ankthit, stresit, depresionit dhe shumë sëmundjeve të tjera të natyrës neurologjike dhe jo vetëm. Studime të shumta kanë nxjerrë në pah një varësi lineare midis sëmundjeve kardiovaskulare dhe mungesës së aktivitetit fizik. Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë ka shtuar sëmundjet e zemrës, si dhe të enëve të gjakut. Mjafton të përmendim aterosklerozën dhe me siguri do të keni dëgjuar dhe shtimin e rasteve të reja me infarkt akut të miokardit (IAM). Në Amerikë po bëhet shkaku kryesor i vdekjeve në vit, për shkak se shumica e popullatës është bërë e varur ndaj punëve përpara kompjuterit dhe jetës sedentare, duke lënë pas aktivitetin fizik dhe rrjedhimisht dhe shëndetin e tyre.

Pavarësisht fushatave ndërgjegjësuese për të shtuar aktivitetin fizik dhe për t’iu larguar jetës sedentare, sërish njerëzit vazhdojnë me të njëjtat ritme, duke mos bërë ndryshime rrënjësore në përditshmërinë e tyre. Por nëse sot ke sadopak kohë të lirë, mos bëj atë që ke bërë përherë. Mos e telefono dikë për të pirë një kafe në lokalin pranë shtëpisë. Vishu, telefonoje një mik dhe dil një shëtitje. Jo çdo zonë në qytet është e ndotur. Madje edhe në kryeqytet ku gjithçka duket si një katrahurë e vërtetë, ekziston zona e liqenit që sadopak është e pastër dhe mund ta vizitosh në çdo moment.

Mos qëndro strikt i një rutine stresuese ku pas punës detyra vjen të kujdesesh për shtëpinë. Nga një punë ku qëndron mbyllur, të kalosh në një mjedis ku po ashtu do të qëndrosh mbyllur. Ndysho sepse të duhet të ndryshosh. Përgjegjësi për shëndetin tënd mban vetëm ti, ndaj bëj çdo gjë që ke në dorë për të jetuar shëndetshëm. Mjafton një ecje në natyrë përditë dhe do të shohësh ndryshimin në shëndetin tënd fizik e mendor. Do ta kesh më të lehtë të biesh në peshë, si dhe do të ndihesh shumë herë më mirë mendërisht. Nuk do ta ndjesh atë peshën e rëndë të stresit të përditshëm.

Bëj zgjedhje të zgjuara. Mos prit urbanin të shkosh diku. Bëje atë rrugë në këmbë, qoftë dhe nëse të duhet të nisesh një orë përpara. Mund të lodhesh më tepër në fund të ditës, por do të jetosh më gjatë dhe më mirë. Të gjithë kërkojnë ta arrijnë një gjë të tillë, ndonjëherë pa e kuptuar se sa shumë e kanë në dorë ta arrijnë me vendimet e tyre.

@tn.lajmelokale
@tetovanews