Ballina Top Lajm Kastriot Myftaraj: Samir Mane e ndihmoi Gruevskin që të arratiset përmes Shqipërisë

Kastriot Myftaraj: Samir Mane e ndihmoi Gruevskin që të arratiset përmes Shqipërisë

Opinionisti nga Shqipëria, Kastriot Myftaraj, i pyetur nga Infomagazin se si u bë i mundur kalimi i ish-kryeministrit nga Maqedonia Nikolla Gruevski nëpër Shqipëri, Myftaraj thotë se se biznesmeni shqiptar, Samir Mane është i përzier në këtë histori.

”Biznismeni më i madh në Shqipëri, Samir Mane, ka negociuar me Kryeministrin Rama për kalimin transit të Gruevskit nëpër territorin e Shqipërisë. Ndërlikimi në këtë histori ishte se, Gruevskit, ndonëse mori miratimin e Ramës, i duhej të hynte ilegalisht në Shqipëri. Kjo pasi atë sigurisht që do ta ndalonte Policia Maqedone nëse do të paraqitej në ndonjë nga vendkalimet kufitare zyrtare, me Shqipërinë.

Por Gruevskit i duhej që të dilte legalisht nga Shqipëria, pasi në ndërkohë do të ishte paraqitur në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë për të kërkuar azil. Diplomatët hungarezë nuk mund ta nxirrnin atë jashtë Shqipërisë duke shmangur vendkalimet kufitare zyrtare. Por autoritetet kufitare shqiptare nuk mund të lejonin të kalonte kufirin shtetëror një person, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, duke kryer kështu një vepër penale, për të cilën duhej të arrestohej dhe të dilte para një gjykate në Shqipëri. Pra, Gruevski duhet të kishte garancinë se nuk do të ndalohej nga Policia Shqiptare në daljen nga kufiri shqiptar”, thekson Myftaraj.

Ai ndër të tjera shton se realizimi i këtij operacioni ishte i ndërlikuar dhe për këtë pagoi shumë para Mane.

”Që të mund të realizohej ky operacion kaq i ndërlikuar u paguan shumë para nga ana e z. Mane, te ata zyrtarë të cilët ishin të përzier në këtë histori, pa përjashtuar Kryeministrin Rama. Përjashtohet mundësia që të ketë marrë para vetëm Rama, sepse asnjë funksionar shtetëror nuk do të guxonte të bashkëpunonte në këtë histori kriminale. Arsyeja për të cilën z. Mane u përzie në këtë histori është se ai ka pasur shumë favore nga Gruevski, kur ky ishte në pushtet; le të sjellim ndërmend bizneset e mëdha, të dyshimta, të z. Mane në Maqedoni”, shton Myftaraj.

Përndryshe, Gruevski është arratisur në Hungari përmes Shqipërisë dhe tani ka bërë kërkesën për azil politik. Ai akuzohet për blerjen e autoblindës Mercedes, gjegjësisht rast “Tank” i hapur nga PSP-ja.

Shpjegim: Samir Mane është biznesmeni më i pasur në Shqipëri. Ish projekti i tij ‘City Mall’ në Shkup u ndërtua në kohën kur ishte Gruevski kryeministër.

@tn.lajmelokale
@tetovanews