Ballina Argëtim Kuriozitete Historia e bixhozit nga qeveria e Ismail Qemalit tek qeveria Rama (VIDEO)

Historia e bixhozit nga qeveria e Ismail Qemalit tek qeveria Rama (VIDEO)

Kush fiton në bixhoz, biznesi apo ai që luan? Nëse doni të fitoni mos luani kurrë!

Por duke besuar tek fati i fillestarit thuajse të gjithë janë joshur të provojnë shansin në lojëra nga më të ndryshmet. Të cilat në fakt, janë të panumërta. Nga më të thjeshtat deri tek ato pa asnjë rregull loje. Vëmë gjithçka në lojë, nga pasuria deri tek jeta.

Por cilat janë arsyet që njerëzit luajnë bixhoz?

Arsyeja më e dukshme është kryesisht dëshira për të fituar. Ana tjetër është natyra shoqërore e aktivitetit. Shumëkush ekzaltohet nga pamja apo zhurma e kazinove ndërsa kërkojnë aty emocionet maksimale.

Ëndrrat për pasuri të menjëhershme shtyjnë lojtarët të venë shuma të mëdha në kazino. Biznes i cili fiton gjithmonë. Dhe fiton pa asnjë kosto.

Pas viteve ‘90 lojërat e fatit morën një shtrirje të frikshme në Shqipëri. Të rrethuar nga kaq shumë mundësi të ndryshme për të luajtur, tashmë shumë njerëz luajnë për shkak të një çrregullimi në sjellje që quhet kumar apo bixhoz patologjik. Duke mos kontrolluar nevojën e tyre për të luajtur. Te rinjtë me nivel me të ulët vetëvlerësimi janë më të prirur për të luajtur.

Ata e shohin lojën si mundësi për të përmirësuar gjendjen emocionale. Studimet tregojnë se bixhozi patologjik mund të jetë edhe një problem i trashëguar. Edhe pse në mënyrë me pak të dukshme bixhozi është i ngjashëm me varësinë e drogës dhe të alkoolit.

https://youtu.be/q3CMZPFcTVQ

Bixhozi patologjik veç vështirësive financiare, sjell pasoja si përfshirje në krime dhe çrregullim të marrëdhënieve personale. Por pasojat shkojnë përtej individit. Shumica e bashkëshorteve të bixhozxhinjve kanë probleme te forta emocionale, ato luftojnë me depresionin dhe vetminë.

Studime të ndryshme tregojnë tendencën e lartë për të kryer vetëvrasje nga individët e prekur nga bixhozi patologjik. Sipas një anketimi në Angli, rreth 50% e personave që luajnë, treguan se e kane menduar të paktën një herë të kryejnë vetëvrasje.

Ndërsa 20% kishin tentuar të vetëvriten. Statistikat tregojnë se personat që kërkojnë ndihmë janë kryesisht 30-40 vjeç. Trajtimi i lojtarëve patologjik ka kostot e veta, por sfida është kurimi dhe parandalimi i rikthimit të varësisë.

Lojërat e fatit historikisht janë konsideruar si aktivitet njerëzor thellësisht problematik, degjenerues dhe mëkatar. Ndaj përgjithësisht ka qenë i ndaluar ose i rregulluar me ligj.

Bixhozi apo kumari edhe pse janë nga aktivitetet më të vjetra njerëzore, ndaloheshin që në antikitet, madje edhe në kulturat fetare që nga hebrenjtë, rregullat biblike, islamike, dhe budiste.

Ndalimi i lojërave të fatit citohet edhe në kanunin e Lekë Dukagjinit. Ku ndalohet ndarja e tokës me anë të “gurapeshit” dhe të “rrasës së ngarkueme”.

Edhe pas shpalljes së Pavarësisë u tentua disa herë të ndaloheshin.

Dokumentet tregojnë se që në 1912, në kafenetë e kohës lulëzoi bixhozi. Madje shumë shtëpi u kthyen në “kazino”. Me urdhër të gjeneralit holandez De Veer ligjërisht rezulton se bixhozi u ndalua plotësisht në vendet publike, pasi ndëshkimi për lojtarët ishte burgosja, po sërish nuk mungojnë raportime për shkeljen e këtij urdhri.

Në vitin 1922 do të miratohej vendosja e monopolit shtetëror për letrat e shkrepëset, duke përfshirë në këtë ligj edhe letrat e lojës apo të bixhozit.

Tentativa e dytë për ndalimin e bixhozit ishte në vitin 1927.

Tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme u kthye në një problematikë serioze, aq sa në parlament do të shkonte një propozim konkret për ndalimin e të gjitha lojërave, të paktën në orarin e punës.

Propozues i nismës do të ishte deputeti Hiqmet Delvina, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Bilbili i Zogut”.

Projektligji parashikonte se dy ndëshkime; burg dhe gjobë. Privimi i lirisë ishte nga 24 ore deri në një muaj. Ndërsa gjoba nga 100 deri në 1000 franga ari. E në rast përsëritje dënimi përfshinte të dy masat e lartpërmendura” shkruhej në projektligjin e depozituar në parlamentin e kohës. Gjatë sundimit të mbretit Ahmet Zogu, në vitin 1937, kryeministria urdhëronte nëpunësve të mos luanin bixhoz. Në të kundërt do të ndëshkoheshin sipas ligjit.

Edhe gjatë regjimit komunist, bixhozi ishte i ndaluar rreptësisht por sërish nuk munguan bastet ilegale dhe lojëra të tjera. Në rastet evidentimi lojtarët i priste burgu. Vetëm në vitin 1989 në regjistrin e gjendjes gjyqësore rezultojnë 229 të pandehur për veprën penale të bixhozit.

Liria edhe për bixhozin erdhi pas vitit ‘90.

Por me një urdhër të kryeministrit Edi Rama, bastet dhe kazinotë në Shqipëri do të mbyllen sërish më 31 dhjetor 2018. A do të mundet vallë Edi Rama ta finalizojë këtë sfidë? Po shqiptarët a do munden të shërohen nga kjo patologji?/bw

@tn.lajmelokale
@tetovanews