Ballina Lajme Kosovë Haradinaj godet në Washington Post planin e Thaçit

Haradinaj godet në Washington Post planin e Thaçit

SHPËRNDAJE

Gazeta prestigjioze amerikane, The Washington Post, ka publikuar sot një shkrim autorial të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Kosova, ka thënë Haradinaj, nuk do ta lejojë Serbinë ta cenojë sovranitetin e saj. Gazeta Express sjell, të përkthyer në shqip, pjesën thelbësore të shkrimit të Haradinajt.

Shkrimi i Ramush Haradinaj

Vendit tim, Kosovës, po i kërkohet të bëjë një zgjidhje të pamundur, e cila do ta zbehte sakrificën e bërë nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara, e cila do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit, dhe e cila do të rrezikonte aleatët e Amerikës. Përballë sulmit të vazhdueshëm nga Serbia, që ka për qëllim të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin tonë, janë disa që duan që Kosova të angazhohet në të ashtuquajturin spastrim “paqësor” etnik në Ballkan. Kjo është një përpjekje jolargpamëse, për t’iu nënshtruar ngacmuesit, me shpresë se ngacmimet do të ndalen. Ne nuk do ta bëjmë këtë – përkundrazi, ne do të ngrihemi kundër atyre që duan të na shfrytëzojnë, duke punuar në të njëjtën kohë për një marrëveshje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse.

Pas një fushate terrori e gjenocidi, Kosova fitoi pavarësinë e saj nga Serbia, nëpërmjet sakrificës së madhe, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO’ja. Që nga lufta e 1999’s dhe nga shpallja e pavarësisë sonë më 2008, ne kemi ndërtuar një shtet modern, i vendosur për demokraci, dhe për integrim me NATO’n, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara. Sot, më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara njeh pavarësinë tonë.

Megjithatë, Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, kanë refuzuar të njohin sovranitetin tonë, dhe janë përpjekur të bllokojnë anëtarësimin tonë në Kombet e Bashkuara. Duke shkelur marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve, Serbia ka punuar që të bllokojë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, si dhe drejt anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare. Javën e kaluar, përpjekja jonë për t’iu bashkuar Interpol’it u pengua, duke i ndihmuar kështu krimit të organizuar dhe duke dëmtuar zbatimin ndërkombëtar të ligjit.

Tani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mbështetur nga Rusia, na ka bërë një ofertë të turpshme: Serbia do ta njohë Kosovën, nëse ne ia japim asaj një pjesë të territorit tonë. Serbia dëshiron të krijojë një shtet të “pastër” etnikisht, duke ua hequr shtetësinë qytetarëve dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre.

Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar. Ne nuk do ta shkelim kushtetutën tonë, nuk do ta japim sovranitetin tonë, dhe nuk do ta shkatërrojmë integritetin tonë territorial, vetëm që Serbia ta njohë atë që tashmë është fakt. Ne gjithashtu nuk do të krijojmë një precedent të rrezikshëm, që do të destabilizonte Ballkanin e gjerë dhe vendet që po luftojnë për integritetin e tyre territorial, sikurse Izraeli, Ukraina dhe India.

Shumica e ekspertëve ndërkombëtarë e kundërshtojnë këtë ide. Ajo gjithashtu është refuzuar fuqishëm nga populli i Kosovës – teksa 77 për qind janë shprehur kundër në një anketë të realizuar së fundmi. Si kryeministër i vendit, unë kurrë nuk do ta mbështes një pazar të tillë.

Për më tepër, ne gjithashtu nuk kemi besim se Serbia do t’i respektojë zotimet e saj, duke ditur se ajo në të kaluarën nuk ka vepruar në mirëbesim. Serbia ka dështuar të zbatojë çfarëdo marrëveshje të madhe që ka nënshkruar me Kosovën, përfshirë Planin e Ahtisaarit, marrëveshjen e Brukselit të 2013’s për normalizimin e marrëdhënieve, dhe marrëveshjet e 2013’s dhe të 2015’s për furnizimin me energji elektrike. BE’ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë garantues të këtyre marrëveshjeve, duke demonstruar se si Serbia shpërfill trysninë ndërkombëtare kur ajo aplikohet.