Ballina Aktualitet Lajme GJYKATA: GRUEVSKI ISHTE I RREGULLT NË SEANCA, PSP-JA NUK KËRKOI PARABURGIM

GJYKATA: GRUEVSKI ISHTE I RREGULLT NË SEANCA, PSP-JA NUK KËRKOI PARABURGIM

Pas akuzave për përgjegjësi lidhur me ikjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, Gjykata Penale ka dalë me arsyetim lidhur me mos shqiptimin e masës së paraburgimit. Nga kjo gjykatë thonë se në radhë të parë Prokuroria Speciale Publike nuk kishte kërkuar paraburgim për Gruevskin në rastin “Tanku” dhe se i akuzuari nuk ka shkelur rregullat e gjykatës dhe se është paraqitur me rregull në terminet e caktuara.

“Është me rëndësi të theksohet se në lëndën konkrete, që nga ngritja e aktit të paditsë deri në shqiptimin e vendimit të shkallës së parë, prokuroria kompetente në asnjë moment nuk kërkoi caktimin e një mase më të fuqishme, si masa e paraburgimit, për të akuzuarin Nikolla Gruevski, që nuk ishte rast me të akuzuarin e parë për të cilin prokuroria gjatë shqiptimit të vendimit të shkallës së parë propozoi, ndërsa gjykata menjëherë caktoi masën e paraburgimit deri në fuqizimin e plotë të vendimit”, thuhet në njoftimin me shkrim të Gjykatës Penale të Shkupit.

Më tej, në njoftim thuhet se në rastin tjetër ku i akuzuar ishte po ashtu Gruevski, rastin “Titanik”, gjyqi i kishte caktuar masa kujdesi gjegjësisht detyrim për t’u paraqitur një herë në muaj në gjykatë, që është respektuar në përpikshmëri nga ana e tij. Gjykata ka konfirmuar po ashtu se Gruevskit i janë marrë edhe pasaporta personale edhe ajo diplomatike. /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews