Ballina Bota Analiza Evropa: Hendeku psikologjik midis Lindjes dhe Perëndimit

Evropa: Hendeku psikologjik midis Lindjes dhe Perëndimit

Nga Koert Debeuf

Në vitin 2006, isha pjesë e takimet zyrtare në Varshavë midis kryeministrit belg dhe 2 vëllezërve Kazinski. Takimi i parë ishte me Leh Kazinskin, presidentin e atëhershëm të Polonisë, i cili vdiq në një aksident ajror në vitin 2010. I dyti ishte me Jarosłlav Kazinskin, kryeministër i Polonisë, i cili është ende sot udhëheqës i Partisë Ligj dhe Drejtësi në pushtet.

Më kujtohet mjaft mirë, se si delegacionet belge dhe polake, nuk dukej se e kuptonin njëri-tjetrin. Ne belgët, u befasuam kur dëgjuam se sa Kazinskit, ishin të shqetësuar lidhur me rreziqet ruse dhe gjermane. Nga ana tjetër, pala polake nuk e kuptonte se përse ne belgët iu luteshim për më shumë integrim evropian.

Sot, rreth 12 vjet më vonë, ky keqkuptim ndoshta personal, është transformuar në një përçarje të hapur, midis Evropës Perëndimore dhe Lindore (ose Qendrore). Kjo ndarje, u bë mjaft e qartë në Parlamentin Europian në muajin shtator, kur shumë parti të Evropës Lindore, votuan kundër vendosjes së sanksioneve ndaj qeverisë hungareze, të udhëhequr nga Viktor Orban, për shkeljet e sundimit të ligjit.

Shumë evropianë perëndimorë, nuk e kuptonin këtë lloj mbështetje, ndaj asaj që vetë Orban e quan “demokraci jo liberale”. Njëherazi, shumë evropiano-lindorë i konsideronin sanksionet si të padobishme, dhe sigurisht një hap shumë i tepruar. Po nga vjen ky keqkuptim reciprok?

Disa do të argumentojnë, se ai është rezultat i të ashtuquajturës krizë evropiane të refugjatëve e vitit 2015, kur vendet e Evropës Perëndimore u përpoqën t’i nxisin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të pranojnë dhe të integrojnë një përqindje të caktuar refugjatësh.

Refuzimi nga Lindja, e frustroi Perëndimin. Por unë besoj se përçarja e BE-së në aksin Lindje-Perëndim, është shumë më e vjetër dhe më bazike. Ajo është pasojë e historive të ndryshme, dhe pikëpamjeve të ndryshme, se çfarë është ose duhet të jetë Evropa. Me fjalë të tjera, Evropa Lindore dhe Perëndimore nuk ndajnë të njëjtën psikologji politike.

Bashkimi Evropian, u ndërtua mbi traumën e Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 1940- 1950, udhëheqja politike franceze dhe gjermane, e kuptoi se vetëm një bashkëpunim i ngushtë, mund të shmangte një konflikt të ri, dhe një shkatërrim total të kontinentit evropian.

Ata ranë gjithashtu dakord, se duhej të neutralizonin shkaqet e luftës:fashizmin dhe nacionalizmin. Për shtetet themeluese të BE – Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgun dhe Hollanda – projekti evropian, ishte një bashkëpunim gjithnjë e më i madh, me më shumë demokraci, dhe gjithnjë e më pak kufij.

Duhet gjithashtu të thuhet, se integrimi evropian është nxitur shpesh si një reagim ndaj shtrëngimit të kontrollit sovjetik në Evropën Lindore. Vetëm një Evropë e bashkuar, liberal-demokratike, do të qe në gjendje të rezistonte kundër bllokut komunist agresiv.

Nuk është rastësi që Traktati i Romës, dokumenti themelues i BE-së, u firmos vetëm një vit pas pushimit të Hungarisë nga ushtria sovjetike më 1956. Në Evropën Lindore, plagët e Luftës së Dytë Botërore, u pasuan shpejt nga një traumë e re:Pakti i Varshavës, ose vasaliteti i imponuar nga ana e Bashkimit Sovjetik.

Në fakt, në vitin 1956 Moska e bëri të qartë, se çfarë do të thoshte ky “anëtarësim”, duke e pushtuar Hungarinë, dhe duke shtypur revoltën e hungarezëve. Pesë vjet më vonë, u ndërtua Muri i Berlinit, duke simbolizuar faktin se nuk kishte një rrugëdalje.

Më pas, në vitin 1968, sovjetikët dërguan një mesazh tjetër në Pragë:asnjë vend i Paktit të Varshavës nuk mund të kishte politikën e vet të pavarur. Kur u shemb Muri i Berlinit në vitin 1989, secili nga vendet e Evropës Lindore, mundi më në fund të vazhdonte ëndrrën e vet për të qenë zotër të shtetit të tyre, dhe për të vendosur vetë të ardhmen e tyre.

E vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë ëndërr nga një pushtim i ri rus, ishte që të bëheshin sa më shpejt që të ishte e mundur, anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Me pak fjalë, për vendet e Evropës Perëndimore, BE-ja është një garanci kundër luftës dhe fashizmit (ose kauzës së luftës).

Për shtetet anëtare të Europës Lindore, Brukseli është një garanci kundër pushtimit rus dhe vasalizmit politik. Megjithatë, për të kuptuar përçmimin e refugjatëve në këtë rajon, ne duhet të shqyrtojmë edhe një fakt tjetër historik. Duke nisur nga vitet 1950, Europa Perëndimore organizoi emigrimin e organizuar nga Algjeria, Maroku, Tunizia dhe Turqia (si dhe nga Italia) për të kryer punët e saj të pista.

Megjithëse asnjë nga këto vende në Evropë, nuk e trajtoi mirë këtë fluks, evropianët perëndimorë mësuan të punonin dhe të jetonin bashkë me njerëz me origjinë të ndryshme. Situata në Evropën Lindore ishte e kundërta:që nga vitet 1950, njerëzit u përpoqën të largohen nga këto vende.

Evropa Perëndimore ka një histori të emigracionit nga jashtë, ndërsa Evropa Lindore ka një emigrimit drejt Perëndimit. Kjo analizë historiko-psikologjike, nuk është e re. Por duket se është harruar me mjaft shumë lehtësi. Që nga vitet 1950, Evropa Perëndimore u mësua të drejtohej nga aksi franko-gjerman. Nëse Parisi dhe Berlini binin dakord për diçka, atëherë BE-ja lëvizte përpara me të. Nëse jo, atëherë nuk ndodhte asgjë.

Beneluksi, luan zakonisht rolin e promovimit të ideve, dhe përpjekjes për të bindur dy vendet e mëdha simotra. Por shumë vende të reja anëtare të BE-së, e shohin aksin franko-gjerman si një pushtet qendror, nga i cili ata janë tejet të përjashtuar. Brexit i përkeqëson këto perceptime, prandaj Berlini, Parisi dhe vende të tjera anëtare “të vjetra”, duhet të përpiqen të përfshijnë Katërshen e Vishegradit (që përbëhet nga Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia) në projekte dhe ide rreth të ardhmes së BE-së.

Nëse nuk e bëjnë këtë, Evropa Lindore do të distancohet akoma më shumë nga Perëndimi i Evropës.

Kur shohim evolucionin politik drejt prirjeve joliberale në Evropën Lindore, tashmë ka arsye të mjaftueshme për t’u shqetësuar shumë. Këtu përfshihet dhe militarizimi i shoqërive. Vetëm në Republikën Çeke, ka 2500 njerëz të organizuar në 90 grupe milicish, që patrullojnë rrugëve, me pretendimin e ndalimit të refugjatëve dhe “krimit të romëve”.

E njëjta gjë po ndodh në Sllovaki dhe Slloveni. Në vitin 2017, Republika Çeke u dha azil vetëm 145 personave, Sllovenia 152, dhe Sllovakia 60. Për krahasim, në të njëjtin vit, Belgjika u dha azil afro 13.000 njerëzve. Për pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Lindore, kriza e refugjatëve është një problem i imagjinuar, por me pasoja të rrezikshme politike.

Çuditërisht, grupimet dhe partitë jo-liberale në Evropën Perëndimore dhe Lindore, po trokasin në derën e ish-armiqve të tyre në Moskë. Aty ku e djathta dhe e djathta ekstreme, e shihnin dikur Rusinë komuniste si arsyen kryesore për bashkëpunimin evropian, tani e shohin “mbretin” e demokracisë joliberale, Vladimir Putin, si një aleat kundër të njëjtit bashkëpunim evropian.

Ata konstatojnë, se Evropa është bërë shumë liberale, dhe këmbëngul shumë në ndërtimin e shoqërive të hapura. Dhe ata duken të lumtur që Moska po i ndihmon ta ndalojnë këtë përpjekje, deri më tani jo krejtësisht të pasuksesshme.

Përkundër gjithë kësaj, Bashkimi Evropian ka qenë gjithnjë dhe është ende një projekt liberal-demokratik. Mjerisht, ai është shndërruar në një projekt mbrojtës, në të cilin demokracia liberale është duke u mbrojtur, dhe nganjëherë edhe duke u imponuar. Është kjo e fundit, ajo që zemëron vendet e Vishegradit.

Imponimi i vlerave, nuk është rruga që duhet ndjekur. Nëse projekti liberal-demokratik evropian, dëshiron të bëhet sërish tërheqës, do të duhet të dalë me ide të reja. Vendosja e të gjitha shpresave tek aksi klasik franko-gjerman, është një recetë për dështimin.

Është koha për një mirëkuptim të ri midis Evropës Lindore dhe Perëndimore, dhe për një dialog të ri, që merr parasysh se nga vjen psikologjia e secilit vend. Vetëm atëherë, Evropa do të jetë në gjendje të ecë sërish përpara.

Shënim: Koert Debeuf, është drejtor i Institutit Tahrir për Politikat e Lindjes së Mesme në Evropë. Ai ka qenë ish-këshilltar, dhe zëdhënës i kryeministrit të Belgjikës.

Burimi: “Carnegie Europe” – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews