Ballina Bota CNN, padi ndaj Presidentit Trump për kthimin e kredencialeve të korrespondentit

CNN, padi ndaj Presidentit Trump për kthimin e kredencialeve të korrespondentit

CNN-i ka ngritur një padi kundër administatës së Presidentit Donald Trump me anë të së cilës ka kërkuar që t’i rikthehen kredencialet korrespondentit të Shtëpisë së Bardhë, Jim Acosta.

Shtëpia e Bardhë ia kishte hequr gazetarit Acosta kredencialet javën e kaluar.

Rrjeti televiziv e depozitoi padinë të martën në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit.

“Heqja e gabuar a kredencialeve shkel të drejtat e CNN-it dhe Jim Acostas për lirinë e shtypit, parashikuar në Amendamentin e Parë (të Kushtetutës) dhe të drejtat e tyre për procesin e duhur, parashikuar nga Amendamenti i Pestë”, thuhet në një deklaratë të CNN-it.

“Ne i kemi kërkuar kësaj gjykate të lëshojë menjëherë një urdhër për kthimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të kredencialeve për Jim-in”.

Acosta është një nga gazetarët më të njohur të CNN-it. Ai ka një reputacion për pyetje të forta ndaj Presidentit Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Javën e kaluar, administrata e Presidentit Trump pezulloi “kredencialet e përhershme” të gazetarit në Shtëpinë e Bardhë. Pezullimi u bë, pasi zoti Acosta e sfidoi portretizimin që i ka bërë zotit Trump karvanin me imigrantë nga Amerika Qendrore duke e quajtur një “pushtim”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin akuzuar gjithashtu gazetarin Acosta se “kishte prekur” një ndihmëse të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila po përpiqej t’ia merrte mikrofonin nga duart gjatë shkëmbimit me Presidentin. Videoja nga ai moment tregon se Acosta nuk ishte agresiv me ndihmësen e shtypit.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë tha të martën se “mbështet me forcë synimin e CNN-it për të kërkuar rikthimin e kredencialeve të lëshuar nga Shërbimi Sekret që Shtëpia e Bardhë as nuk duhet t’ia kishte hequr”.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë punë që të zgjedhë arbitrarisht se cilët gazetarë e mbulojnë atë”, tha Presidenti i Shoqatës, Olivier Knox.

Që kur hyri në skenën politike në vitin 2015, zoti Trump vazhdimisht ka sulmuar verbalisht gazetarët dhe rrjetet mediatike që i sheh si të padrejtë ndaj tij. Një nga emërtimet më të ashpra që ai ka përdorur ndaj tyre është kur i ka quajtur “armiq të popullit”./voa

@tn.lajmelokale
@tetovanews