Ballina Aktualitet Rajoni Çfarë nënshkruan qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës?

Çfarë nënshkruan qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës?

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar në Pejë disa marrëveshje me të cilat brenda gjashtë muajve unifiohen doganat, hiqet romingu dhe parashikohen masa të tjera.

Me disa marrëveshje të nënshkruara dhe me një fotografi të përbashkët me shenja duarsh që simbolizon shqiponjën, përfundoi mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila u mbajt në qytetin e Pejës. Kjo është mbledhja e pestë më radhë e përbashkët e dy qeverive, e cila ka nxitur reagime të ashpra në Beograd. Por pavarësisht reagimeve në Beograd, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, u pajtuan që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut dhe të heqin tarifat doganore. Kjo duhet të ndodhë më së largu deri në qershor të vitit 2019.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova dhe Shqipëria po konkretizojnë prioritet e vena kohë më parë.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë mund të llogarisë me Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën. Por edhe Kosova çdo herë ka llogaritur dhe llogaritë me Shqipërinë”, tha Ramush Haradinaj. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e quajti taksën e vendosur nga Kosova për produktet e Serbisë, si një “përgjigje racionale politike ndaj veprimeve iracionale të Serbisë”. Rama kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, tranzitit me 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën, e do të ndërmarrim edhe hapa të tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor”, theksoi Rama. Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se “kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel, është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim.” Serbia e para, sipas tij, duhet të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi.

Rama: T’i jepet fund pulitikës së thikave pas shpine

Kryeministri i Shqipërisë kërkoi nga qeveria e Kosovës që së bashku me atë të Shqipërisë, ta bëjnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, me qëllim që të “ndihmohet integrimi i këtsre dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025”. Sa i përket taksave ndaj Serbisë, Rama tha se ato nuk kanë kurfarë logjike ekonomike. Por kjo ishte përgjigja e “vetme e mundshme politike e Kosovës”, sese Serbia po vazhdon me politikën iracionale “të futjes së thikës pas shpine”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “hipokrizi”, mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Sipas Vuçiqit, “përderisa Kosova ka vendosur taksë doganore 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, në anën tjetër me Shqipërinë po tenton t’i heqë kufijtë dhe taksat për mallrat e Kosovës, pra të heqë barrikadat ekonomike. Ky është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe për të gjithë ata që e lejojnë një gjë të tillë”, citojnë mediet në Serbi të ketë thënë Vuçiq.

Marrëveshjet e nënshkruara

Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është e pesta më radhë që nga viti 2014. Janë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjes tjera. Por sipas njohësve të çështjeve rajonale, shumë nga këto marrëveshje kanë mbetur vetëm të shkruara në letër.

Marrëveshjet e nënshkruara në Pejë, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, parashikojnë lehtësime të shumta në raprotet mes këtyre dy vendeve. Ato duhet të futen në fuqi më së largu deri në qershor të vitit 2019.

Marrëveshjtet e nënshkruara janë:

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming.

Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencive për pronësinë industriale.

Protokolli ndërmjet dy ministrive të Bujqësisë

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Marrëveshja për nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës./dw

@tn.lajmelokale
@tetovanews