Ballina Aktualitet Lajme Avokatët kritikojnë PSP-në për zvarritjen e rastit “Monstra”

Avokatët kritikojnë PSP-në për zvarritjen e rastit “Monstra”

Avokatët mbrojtës në rastin “Monstra” e kritikojnë Prokurorinë Speciale për siç thonë, zvarritjen e rastit, pasi edhe pse duhej që në fillim t’i dorëzojnë provat që i kanë nga bisedat e përgjuara, ende nuk ka asnjë shenjë se PSP do të prezantojë prova të reja në këtë rast. Avokati Naser Raufi e kujton PSP-në se ata duhet ta mbështesin kompetencën e tyre me biseda të përgjuara telefonike, prandaj bisedat duheshin dorëzuar Këshillit Gjyqësor qëmoti. Përkundër faktit që deri më tani nuk ka rrethana të reja në gjykim, Raufi beson se prokuroria do të rikualifikojë veprën dhe të akuzuarit nuk do të përndiqen për terrorizëm.

NASER RAUFI, AVOKAT

“Sipas meje, PSP duhej që në fillim t’i japë provat që i posedon për këtë rast pasi kompetenca e PSP-së duhet të argumentohet me këto prova. Ne deri më tani nuk i kemi kërkuar provat duke e pritur PSP-në dhe mendoj se kjo është arsyeja përse zgjatet ky proces, pasi po përsëriten provat e vjetra… Deri tani asnjë segment i lëndës nuk tregon për terrorizëm. Si aktakuzë mendoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Sigurisht se do të ketë rikualifikim”

Gjatë seancës së sotme të rastit “Monstra” dëshmuan inxhinier informatik që nga ekspertiza e kompjuterëve të më shumë se 18 personave, kishin konstatuar se të akuzuarit kanë pasur komunikim interneti mes vete. Por përmbajtja e tyre do të lexohet në seancat e ardhshme.

DAFINKA IVANOVSKA

“Inxhinierët e informatikës kanë konstatuar se ekzsiston një numër i madh komunikimesh mes të akuzuarve. Komunikime janë marrë edhe prej të afërmve të tyre…Këto komunikime janë me email, mesazhe, komunikime në Fejsbuk dhe Skajp. Ajo që i intereson gjykatës është përmbajtja e cila nuk është në kompetencë të inxhinierëve. Ekzistojnë CD dhe program i veçantë për ti hapur bisedat në internet. Ajo që na intereson neve më së shumti është pra përmbajtja e bisedave, koha kur është zhvilluar biseda dhe komunikimi ndërmjet personave konkret”

Për Naser Raufin, avokatin e mbrojtjes është simptomatike që prokurori i mëparshëm nuk kishte kërkuar të shkruan koha dhe data e saktë kur janë zhvilluar komunikimet në internet, në mënyrë që të konstatohet nëse të akuzuarit kanë folur para ose pas vrasjes.

Mbi 18 persona në fillim ishin dyshuar për rastin Monstra, mes tyre edhe një loke 60 vjeçare dhe nëna e Sami Lutës Ibadete Luta. Në mesin e të dyshuarve ishte edhe motra e Alil Demirit. Policia kishte shkuar në dhjetëra shtëpi dhe kishte konfiskuar dhjetëra kompjuterë të 18 personave dhe kishte gjetur komunikimin e tyre në internet.

@tn.lajmelokale
@tetovanews