Ballina Bota Analiza ANALIZA: Gruevski, Shqipëria dhe ikja në Hungari

ANALIZA: Gruevski, Shqipëria dhe ikja në Hungari

Nga Afrim Krasniqi

Ish kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i dënuar për korrupsion në vendin e tij, zgjodhi Shqipërinë si rrugë e sigurt drejt ikjes për në Hungari.

Politikani që ka drejtuar me dorë të hekurt vendin fqinj për më shumë se një dekadë me një stil arrogant raportesh me Tiranën zyrtare tashmë është një emigrant me sjellje turpëruese për karrierën dhe vendin e tij.

Dhe sigurisht, Shqipëria bën pjesë në dosjen e tij. Shqipëria është vend anëtar në NATO, bën pjesë në listën e vendeve me liberalizim të lëvizjes së lirë, aspiron të marrë vlerësim pozitiv për bisedimet për anëtarësim qershorin e ardhshëm, por nga ana tjetër, Shqipëria nuk arrin dot të identifikojë brenda territorit të saj lëvizjen publike njëditore të ish kreut të qeverisë së Maqedonisë.

Policia e Shtetit, në një njoftim publik post factum, deklaroi se ish kryeministri Nikolla Gruevski ka dalë nga territori i RSH në pikën e kalimit kufitar në Hanin e Hotit më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11. Ai ka qenë pasagjer “në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”.

Policia njoftoi se nuk ka pasur njoftim paraprak për shpallje personi në kërkim dhe se ky njoftim ka ardhur dy ditë më vonë, më datë 13.11.2018, rreth orës 19.35. Ajo që mungon në njoftimin e Policisë së Shtetit është pjesa tjetër e të dhënave, – koha kur shtetasi Gruevski ka hyrë në territorin e RSH. Policia nuk jep asnjë detaj dhe as nuk pranon se ka të dhëna në dispozicion. Sipas legjislacionit shqiptar, çdo shtetas i huaj që hyn dhe del nga pikat tona kufitare regjistrohet në sistem dhe në rastin konkret, edhe nëse për personin nuk ka të dhëna për shpallje në kërkim, autoritetet shqiptare mund të kërkonin të dhëna për mënyrën e hyrjes së tij në Shqipëri. Shoqërimi me makinë me targa diplomatike i jep mbrojtje individit, por në çdo rast Policia ka të drejtë të ketë të dhëna të plota për personat që udhëtojnë në automjete të tilla.

Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një nga mbi 3 mijë qytetarët e huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit të fundit me qëllim emigrimin drejt Perëndimit ose kërkimin e statusit të emigrantit politik, por kemi të bëjmë me një kryeministër. Gruevski është ish kryeministër, politikan i njohur dhe individ që në forma të ndryshme është i listuar në dosjet e shtetit shqiptar që kanë të bëjnë me politika të sigurisë kombëtare. Ndaj është e habitshme sesi një individ i tillë kalon gjysmën e territorit shqiptar, në mënyrë publike dhe pa shqetësim, hyn pa deklarim dhe del duke deklaruar të dhënat e tij përmes kartës së identitetit, – pa u konsideruar nga Policia e Shtetit dhe Shërbimi ynë Sekret.
Raporti i zotit Gruesvki me drejtësinë në vendin e tij është raport që nuk i intereson shtetit shqiptar deri në momentin që interpol bën shpalljen e tij person në kërkim. Por raporti midis Gruesvkit dhe shtetit shqiptar, sigurisë kombëtare, sovranitetit dhe integritetit shtetëror, – është dhe mbetet me rëndësi për vetë shtetin dhe institucionet e tij përfaqësuese.

Për këtë arsye është interesant fakti se ditë pas përdorimit të Shqipërisë nga ana e tij për largim drejt emigrimit, nuk kemi pasur asnjë akt zyrtar analize dhe reflektimi nga ana e institucioneve tona të sigurisë kombëtare dhe as nga institucionet përfaqësuese. Për shembull, nuk kemi pasur demarsh të MPJ ndaj ambasadës së Maqedonisë Veriore për të kërkuar sqarime sesi është e mundur që një politikan i lartë të përdorë ilegalisht territorin shqiptar si varkë shpëtimi apo ndaj ambasadës së Hungarisë për të pyetur sesi është e mundur që diplomatët dhe mbetet e transportit të saj janë vënë në dispozicion në territorin shqiptar ndaj një individi që ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territor. Nëse ambasada ka pasur një plan evakuimi të Gruevskit, atëherë qeveria e Hungarisë do të duhej të kishte informuar në kanalet e veta diplomatike dhe të shkëmbimeve midis shërbimeve sekrete për elementët thelbësorë të këtij plani. Ne sot nuk jemi në gjendje të kuptojmë nëse ka pasur një shkëmbim të tillë informacioni, për sa kohë të gjithë institucionet tona heshtin dhe vetë shteti shqiptar ka pranuar në heshtje përdorimin e territorit tonë në mënyrë të jashtëligjshme nga një ish kryeministër në kërkim dhe nga një njësi diplomatike.

Nuk ka ndonjë sekret në vlerësimin se kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Presidenti i sotëm i Shqipërisë dhe ish kryeministri i Shqipërisë kanë pasur dhe kanë raporte personale shumë miqësore me ish kryeministrin Gruevski. Ndonjë prej tyre e ka asistuar edhe në fushatën e tij elektorale dhe i ka ofruar mbështetje pa kushte në lobime diplomatike dhe në presion ndaj grupeve politike shqiptare për tiu bashkuar nismave dhe koalicionit të Gruevskit. Në raportet midis vendeve fqinje këto raporte janë normale, megjithëse shpesh bëhen anormale për shkak të mbivendosjes së agjendave personale ndaj atyre shtetërore. Megjithatë është interesant fakti se asnjëri prej këtyre shtetarëve në Shqipëri nuk ka bërë deklaratë publike lidhur me përdorimin e territorit shqiptar nga Gruesvki në rrugën drejt arratisjes nga drejtësia e vendit të tij, dhe se asnjë prej tyre nuk ka kritikuar dhe as apeluar organet e sigurisë kombëtare për të hetuar rastin dhe informuar profesionalisht për të gjitha detajet.

Nuk kemi parë të ketë as konsulta në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, as mbledhje të Komisionit të Sigurisë në Parlament, as mbledhje të Këshillit të Sigurisë në Kryeministri, as takime zyrtare konsultimi midis Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtorit të SHISH, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, as konsulta dhe analizë në Ministrinë e Jashtme apo në Ministrinë e Brendshme. Secila prej tyre do të kishte qenë sjellje normale institucionale e një shteti anëtar në NATO dhe aspirant për në BE. Shqipëria e humbi shansin të tregojë se është e tillë. Sepse në fund të fundit, Gruevski e përdori Shqipërinë dhe Shqipëria e lejoi përdorimin e saj prej tij.

Së fundi, ish kryeministri Gruevski u akuzua për korrupsion dhe mori një dënim shembullor nga gjykata e vendit të tij. Ai veproi si ish kryeministri kroat Ivo Sanader, i dënuar, i arratisur, më pak i arrestuar në vendin e tij. Janë tipike raste ballkanike të politikanëve të korruptuar që refuzojnë të përballen me drejtësinë. A është kjo cilësi e përbashkët ajo që de facto me veprim e mosveprim bëri bashkë Gruevskin dhe shumë prej shtetarëve të lartë në Shqipëri? Gjithçka që ndodh në shtëpinë e fqinjit ndikon tek fqinji ngjitur, dhe siç ka treguar përvoja në Ballkan, është një dukuri me efekt domino. Deri atëherë mund të duhen kohë e përpjekje të mëdha për drejtësi, por në çdo rast ajo që ndodhi me ish kryeministrin Gruevski në udhëtimin e tij përmes Shqipërisë meriton të mbetet dosje e hapur, prej nga mund të marrin jetë edhe ditët kur në Shqipëri të ketë drejtësi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews