Ballina Bota Analiza ANALIZA/ Angela Merkel, fundi i një epoke: Mbështetësve dhe kritikëve do u...

ANALIZA/ Angela Merkel, fundi i një epoke: Mbështetësve dhe kritikëve do u mungojë udhëheqja e saj “krejt pa skandale”

Mbështetësve dhe kritikëve do u mungojë udhëheqja e saj, “krejt pa skandale”, e drejtë dhe demokratike.

Ajo do të ishte shumë mirë në postin ceremonial, por moralisht të rëndësishëm të presidentes – dhe në vitin 2022, ai pozicion do të jetë i lirë.

Me një deklaratë të shkurtër, “gruaja më e pushtetshme në Evropë u shndërrua në një patë të çalë”, shkruante Joachim Dorfs i Stuttgarter Zeitung.

Pasi CDU e saj pësoi humbjen më të thellë që nga viti 1966, në shtetin e pasur të Hessenit, Kancelarja Angela Merkel tha se do të largohej nga pozicioni i udhëheqëses së CDU në dhjetor dhe nuk do të rikandidojë për kancelare në 2021.

Merkel, normalisht një politikane stoike dukej pothuaj e lumtur teksa shpallte tërheqjen e afërt, pas 13 vitesh si udhëheqëse e Gjermanisë dhe 18 vite në krye të CDU.

“Bëhuni gati për kohën pas meje”, tha ajo. Në thelb, Merkel u tërhoq përpara se ta largonin. Baza e partisë së saj është gërryer, dhe ligjvënësit e saj kohët e fundit larguan aleatin e vjetër të Merkelit, Volker Kauder, si udhëheqës i konservatorëve në parlament.

Zgjedhjet në Hesse, ashtu si ato në Bavari dy javë më herët, treguan se CDU dhe aleatët e vet po pësojnë hemorragji votash, që shkojnë jo vetëm tek Alternative fuer Deutschland e të djathtës ekstreme, por edhe të Gjelbërit e majtë.

Ylli i Merkelit ka ardhur duke u zbehur që nga viti 2015, shkruante Alexander Jungkunz në “Nürnberger Nachrichten”, kur ajo detyroi gjermanët të pranonin pothuaj 1 milionë azilkërkues nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Pasojat e atij vendimi, që ajo ia imponoi një CDU-je hezituese, kanë dominuar politikën qysh prej asaj kohe.

Gjermanët janë përballur me “suksesin me hope të integrimit, sistemin jofunksionues të dëbimit të azilkërkuesve të refuzuar dhe një rritje të krimit” – që kryhet edhe nga të ardhurit rishtaz, por edhe ata që i urrejnë këta të fundit. Zemërimi kundër refugjatëve u shfrytëzua me shpejtësi nga e djathta ekstreme, thirrja konstante e të cilës është: “Merkel duhet të ikë!”

Udhëheqësja që në Gjermani e thërrasin me nofkën “Mami” ka qenë gjithmonë një centriste pragmatiste, shkruante Robert Misik në “Die Zeit” – kriza e imigrantëve thjesht nxorri zbuluar dallimet e saj me të djathtën. Për më shumë s enjë dekadë, ajo e mbajti Gjermaninë në qendër të Evropës. Ajo ka qenë një mburojë përballë udhëheqësve të djathtë që kanë marrë pushtetin në Hungari, Poloni, Itali dhe gjetkë, mishërimi i “mirësisë përballë acarimit, qetësisë në mesin ë britmave”.

Fatkeqësisht, ajo gjithashtu e udhëhoqi CDU larg prej “trashëgimisë dhe traditave”, shkruante Ulf Poschardt në “Die Welt”. Nën udhëheqjen e Merkelit, CDU pa një largim nga energjia bërthamore, fundin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, si dhe një ndërprerje të uljes së taksave – politika që dikur kanë qenë qendrore për partinë. CDU duhet të bëhet sërish një parti me të vërtetë konservatore, nëse dëshiron që të pretendojë “Të Djathtën”.

Merkel thotë se është e gatshme të qëndrojë në detyrë deri në 2021, shkruante Jürgen Kaube në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Por tani që koalicioni i saj i madh me socialdemokratët e majtë po lëkundet, gjasat janë që ajo të zëvendësohet në zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm.

Mbështetësve dhe kritikëve do u mungojë udhëheqja e saj, “krejt pa skandale”, e drejtë dhe demokratike. Ajo do të ishte shumë mirë në postin ceremonial, por moralisht të rëndësishëm të presidentes – dhe në vitin 2022, ai pozicion do të jetë i lirë.(Bota.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews