Ballina Aktualitet Rajoni 78% e mjekëve duan të lënë Shqipërinë?

78% e mjekëve duan të lënë Shqipërinë?

Largimet masive nga Shqipëria të mjekëve dhe infermierëve, kryesisht në Gjermani, tashmë është kthyer në një problem për vendin tonë. Sipas një ankete të bërë nga Shoqata ‘Together For Life’ bilanci flet për shifra të ‘frikshme’, pasi 78% e mjekëve tanë pohojnë se mund të largohen nga Shqipëria.

Në konkluzionet e këtij anketimi thuhet se Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë shumë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre. Gjithsesi, mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare.

Shoqata “Together for Life” e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria.

Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Një faktor tjetër që nxit largimin e tyre është edhe dënimi për një gabim njerëzor, pasi ata janë shumë pak të mbrojtur si nga ligji por edhe nga situata në të cilën ndodhen.

@tn.lajmelokale
@tetovanews