Ballina Aktualitet Shqipëri Portalet me financime greke, “tradhti kombëtare”. Drejtuesit: Të dalin emrat

Portalet me financime greke, “tradhti kombëtare”. Drejtuesit: Të dalin emrat

Lajmi për financimet greke të mediave shqiptare nuk është i ri për drejtuesit e portaleve në vendin tonë, pasi episode të tilla nuk kanë munguar as në të shkuarën.

Ata që pyetëm nuk zbulojnë para kameras emrat e kolegëve, por bëjnë një identikit të tyre.

Çim Peka, i syri.net, thotë: “Mjafton të shohësh portalet që kanë sulmuar Presidentin për marrëveshjen me Greqinë apo i bëjnë jehonë takimeve të dy ministrave dhe e kupton se kush janë mediat e sponsorizuara. E njëjta gjë me sponsorizimet ruse, kush flet për tigrin rus apo forcimin e ushtrisë ruse”.

Në një vend me demokraci të brishtë si Shqipëria, rreziku është i madh në analizën e drejtuesit të “Gazeta Shqiptare”, pasi mercenarizimi në gazetari merr trajtat e “tradhtisë” kombëtare.

“Në vende me demokraci të brishtë, mercenarizmi merr trajtat e tradhtisë kombëtare. Tjetër gjë që paratë të mbrojnë interesat e një vendi dhe tjetër gjë kur paratë i merr për të dëmtuar interesat e vendit tënd. E udhës është që institucionet shqiptare ta marrin me seriozitet këtë çështje. Përsa kohë që publikimi i lajmit dëmton interesat e shtetit grek, fshehja e lajmit dëmton interesat e shtetit shqiptar”, tha Erli Murati.

E për sa kohë dëmtohen interesat kombëtare të Shqipërisë, është e nevojshme edhe transparenca, sipas drejtueses së newsbomb.al, Anila Basha: “Edhe vetë mediat të jenë të qarta kush dhe kur e ka bërë një gjë të tillë, aq më shumë se ka të bëjë me sigurinë tonë kombëtare. Kështu, Ministria e Jashtme duhet të bëjë transparencë”.

Alfred Lela ka një këndvështrim tjetër. Lajmi për të zbulon detaje të rëndësishme të marrëveshjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Fajtori ka edhe një emër për të: “I bie që qeveria shqiptare nuk ka siguruar marrëveshjen e duhur dhe të nevojshme. Ne nuk dimë gjë për marrëveshjen, por ky fakt na tregon se kush është marrëveshja. Të fajësojmë fajtorin kryesor që është qeveria, se asnjë drejtues portali nuk ka hedhur firmë në marrëveshje”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews