Ballina Aktualitet Opinione Mundja e Perëndimit në FYROM

Mundja e Perëndimit në FYROM

Nga Qemal SAKAJEVA

Betejat – e fituara apo të humbura – përgjithësisht marrin  emrin e vendit ku zhvillohen, shoqëruar me datën kur ndodhin. Kësaj here, beteja e humbur e Perëndimit ishte  në  FYROM, më  30 shtator 2018. Referendumi i shtetit të vogël ballkanik për ndryshimin e emrit,  braktisjen e pseudonimit me iniciale dhe pagëzimin Republika e Maqedonisë së Veriut,  angazhoi faktorë të mëdhenj vendorë e botërorë. Njëra  palë – për të fituar. Pala tjetër – për ta dështuar.

Presidenti i vendit Gjorge Ivanov – jo qytetari dosido por kreu i shtetit – qëllimin e referendumit e cilësoi “vetëvrasje historike”, dhe deklaroi  publikisht gjatë vizitës në SHBA: unë nuk shkoj të votoj! Kryeministri Zoran Zaev  bëri thirrje që referendumi të mbështetej masivisht, sepse të nesërmen Maqedonia do të ishte edhe  më afër Europës. Ngecja e gjatë për rreth 30 vjet, ishte besuar se, më në fund, do të kapërcehej me votat e nevojshme , në përgjigje të pyetjes së formuluar matematikisht: ”A jeni për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO duke përkrahur marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Joshja  dhe kushtëzimi  ishin të salduara mes tyre fort,  për dy çështje krejtësisht  të ndryshme. Joshja: anëtarësim në NATO dhe BE. Kushtëzimi: përkrahje e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të vendit. Secila e shprehur në një gjysëm fjalie, në një balancim të detyruar, si të përfitimit dhe të sakrificës, qartësisht e nënkuptuar kështu: doni të futeni në BE dhe NATO, pranoni  emrin Maqedonia e Veriut!

Për t’u fituar kjo betejë,  ose për të dështuar, përveç faktorit të brendshëm  maqedonas të ballafaquar në shkallën më të epërme, pati  dhe një përfshirje të fortë të faktorit ndërkombëtar. Të gjithë shkuan në Shkup: Kancelarja  gjermane Angela Merkel, gjeti kohë dhe shkoi vetë në Maqedoni. Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini u përfshi me të gjithë fuqinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në Shkup  se vendi do të futej menjëherë në NATO. Kancelari i Austrisë Sebastian Kurtz mbërriti në Maqedoni të jepte mbështetje. Vajtja në kryeqytetin maqedonas e  sekretarit amerikan të Mbrojtjes James Mattis, i dha edhe më peshë domosdoshmërisë së fitores së referendumit. Ai tha se, “Rusia ka transferuar fonde të mëdha dhe, rusët kanë ndërmarrë fushata të gjithanshme për të influencuar votën në referendumin e së dielës”, “me qëllim, që pikërisht, të bllokohet mundësia  e këtij vendi që të anëtarësohet në NATO”.

Nga Rusia: Këtë mbështetje e sulmoi ashpër ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, duke folur në një konferencë për shtyp në Nju Jork, menjëherë pas fjalimit që mbajti në OKB: “ Shikoni çfarë po ndodh para referendumit në Maqedoni. Liderët e vendeve të BE, personalisht dalin në publik duke thënë ju duhet të bëni një zgjedhje në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe të ndryshoni emrin po ashtu. E njëjta gjë është kërkuar edhe nga liderët amerikanë, së fundmi nga zoti Mattis, ministri amerikan i Mbrojtjes. Përfaqësuesja e lartë e  BE, në një deklaratë në fillim të muajit, tha se Ballkani është territor i Bashkimit Europian. Pra, aty ku jemi ne, nuk ka vend për të tjerë”.

Rezultati i kësaj beteje ishte humbës për Maqedoninë dhe Perëndimin: nga 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote, në votim dolën 36.89 përqind e tyre; vetëm 605 016 veta ose 91.46 përqind votuan pro, ndërsa 5.66 përqind votuan kundër. Po të llogaritet se shqiptarët morën pjesë  në numër të njëjtë si në disa nga zgjedhjet e fundit,  tregon se mbështetja e komunitetit maqedonas zbriti në një shifër dramatike, domethënë  votuan rreth 300 000 maqedonas, duke pasur parasyshë daljen në votim edhe të një numri nga komunitetet e tjera. Pavarësisht  problemeve organizative, duke përfshirë  edhe pasaktësitë në  listat e votuesve, përpjekjet politike për të  interpretuar me entuziazëm pjesëmarrjen e  ulët për një çështje të madhe ishin tejet të sforcuara, ndërsa presidenti i vendit Gjorge Ivanov si dhe kryetari i VMRO- DPMNE në opozitë Hristian Mickovski, thanë të vërtetën se referendumi dështoi. Edhe kryeministri Zoran Zaev ishte i vërtetë me shprehjen standarte se “Në demokraci vendimet merren me anë të votimit”. Por proverbiale mbetet gjetja e shkakut të humbjes nga ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, i cili, ndoshta, për ta mbajtur mirë diplomatikisht me komunitetin maqedonas, fajësoi për humbjen e referendumit shqiptarët, se një parti shqiptare paska bojkotuar. Këtë nuk duhet ta thoshte as një malësor i Pindit!

Kësisoj, procesi do t’i kalojë kuvendit. Përsëri  beteja do të jetë e vështirë, për më tepër që, edhe po të mbështetet Marrëvershja e Prespës,  do të mbarten pasoja për jetëgjatësinë dhe përhershmërinë e vendimit: ndryshimi i emrit me një numër deputetësh për të arritur dy të tretat, nuk i jep vendit kurrfarë  stabiliteti. Gjithë ky konflikt mes dy shteteve ka diçka nga absurdi: nëse do t’i vihet Maqedonisë mbiemri “e veriut”, Greqia  thuajse nuk fiton gjë nga bllokimi shumë i gjatë sepse, Maqedonia përsëri do të thirret shkurt Maqedoni, përveçse nëpër libra dhe harta që do të jetë në formën  Maqedonia e Veriut. Kësaj që bëri Greqia mund t’i thuhet “Mbajti shumë gjatë ramazan dhe bëri iftar me hudhër”. Edhe Maqedonia nuk humbet ndonjë gjë nëse heq pseudonimin FYROM dhe vetemërtohet Republika e  Maqedonisë së Veriut, sepse edhe më pas ajo do të thirret po njëlloj – Maqedoni, përveç se  në harta e libra. Kokëfortësia e pashoqe për të mos gjetur zgjidhje e ka vonuar dhe dëmtuar vendin.

Pa e anashkaluar faktorin Rusi dhe ndikimin e saj për të influencuar mbi votën, diçka tjetër nuk të ikën nga mendja: si është e mundur që Perëndimi nuk  e parashikoi humbjen në FYROM? Në “ishullin” Ballkani Pendimor, i rrethuar nga të gjitha anët me vende të Bashkimit Europian, po ndodhin fermentime të shpejta politike dhe  rënie  serioze e mbështetjes së popujve për anëtarësim në BE. Këto vende zvarriten drejt integrimit, Bashkimi Europian zvarritet drejt pranimit.  Maqedonia është një sinjal alarmi, për të  vendosur çfarë duhet bërë ndryshe. Nuk është Serbia alarmi, sepse kush nuk e sheh Serbinë siç është, nuk shikon thelbin. Bashkimi Europian nuk ka për ta pasur kurrë Serbinë një mbështetëse dhe anëtare të besueshme. Ajo dashurinë e bën në Moskë, ekonominë e do në Bruksel. Ky  vend që i luftoi përgjakshëm popujt me të cilët kishte gati një shekull me të cilët bashkëjetonte në një shtet , brenda Bashkimit Europian gjithmonë do të rrijë e gatshme për  konflikt dhe Srbexit!

Fatkeqësisht, dështimi i Perëndimit po troket edhe në Kosovë, me bisedimet Serbi – Kosovë dhe të ashtuquajturin “korrigjim i kufirit”. Nëse në Maqedoni dështoi referendumi  për t’i shtuar emrit një mbiemër, një referendum i  detyruar në Kosovë për “korrigjimin e kufirit” (e ka përmendur presidenti Hashim Thaçi), prej të cilit së paku humben  Mitrovica, miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, dështimi i referendumit do të ishte spek-ta-ku- lar. Te populli i Kosovës mund të krijohet mendimi: A mos lufta paska qenë për t’i çliruar njerëzit, ndërsa paqa për t’ua marrë territoret?

@tn.lajmelokale
@tetovanews