Ballina Aktualitet Lajme KUSH PO I KËRCËNON OPOZITARËT? MINISTRI I BRENDSHËM DËSHMON SE KA DENONCIME...

KUSH PO I KËRCËNON OPOZITARËT? MINISTRI I BRENDSHËM DËSHMON SE KA DENONCIME (VIDEO)

Sa më shumë që afrohet seanca kuvendore për Marrëveshjes e Prespës, aq më shumë po rritet presioni tek maxhorana dhe opozita. Ndonëse ka shumë shpresa, pushteti ende nuk është i sigurt nëse do t’i kapë 2/3-tat për ndryshimet kushtetuese, sepse i duhen edhe 9 vota të opozitës që Marrëveshja e Prespës të marrë jetë. Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE vazhdon bindur me retorikën se Marrëveshja është e dëmshme për identitetin maqedonas, andaj thonë se asnjë nga deputetët e saj nuk do të votojnë “pro”. E në gjithë këtë pasiguri politike, mbrëmë Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski në emisionin Klik Plus, deklaroi se anëtarë të VMRO-DPMNE-së në polici kanë denoncuar se janë kërcënuar.

“Deri më tani një pjesë e deputetëve nuk kanë denoncuar por kanë denoncuar një pjesë e anëtarëve dhe nga kryesia e VMRO-DPMNE, për kërcënime që u drejtohen dhe për këtë po zhvillohen procedurat në MPB”, tha Oliver Spasovski, Ministër për Punë të Brendshme.

Spasovski madje u apeloi edhe deputetëve opozitarë që nëse kërcënohen, t’i drejtohen policisë, duke iu siguruar se Ministria e Brendshme nuk do të tolerojë asnjë kanosje ndaj të zgjedhurve të popullit. Megjithatë i pari i policisë nuk shpalosi emra se kush kë po e kërcënon. E nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se nuk dinë gjë.

“Unë s’kam informacione të tilla për çfarëdolloj kërcënimi, ndërsa Ministri Oliver Spasovski përderisa ka denoncime të tilla, presim që hapur t’i tregojë dhe të njëjtat t’i procedojë, gjegjësisht të tregojë kush janë ata dhe kë e kanë kërcënuar, e jo vetëm të hedhë të tilla ndoshta spekulime “ tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE lëshoi akuza ndaj qeverisë se është pikërisht ajo që po bën presion dhe kërcënon deputetët. Në lidhje me këtë sot foli edhe deputeti i Partisë së Re Socialdemokrate Goran Misovski. Sipas tij presionet dhe kërcënimet janë të papranueshme për një shtet demokratik dhe që synon anëtarësim në strukturat euroatlantike. Ai u bëri thirrje kolegëve deputetë të VMRO-DPMNE-së që të përkrahin ndryshimet kushtetuese dhe me këtë të tregojnë përgjegjshmëri për të ardhmen e vendit. Seanca plenare për të votuar këto ndryshime është caktuar për të hënën, më 15 tetor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews