Ballina Aktualitet Rajoni “Kush i gjuan me gurë shtëpisë, ikën”! A ishte ky mesazhi i...

“Kush i gjuan me gurë shtëpisë, ikën”! A ishte ky mesazhi i Ramës për Xhafajn

Prania në dorëzimin e teserave të PS për të anëtarësuarit e rinj në Lushnje u duk e qetë për kryeministrin Edi Rama, pavarësisht se në Tiranë politika po “ziente” nga hipotezat për të shpjeguar dorëheqjen surprizë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Kryeministri nuk ia përmendi emrin e nuk tha qoftë edhe një fjalë për largimin e Xhafajt, por mes rreshtave të një batute të Ramës me një nga të rinjtë gjejmë një mesazh, i cili mund të jetë “i koduar” për ish-ministrin e Brendshëm.

Mesazhi ka të bëjë me “lirinë e veprimit në Partinë Socialiste” dhe vjen vetëm pak ditë pasi me urdhër të Fatmir Xhafajt dhe bashkëpunimin me autoritetet gjermane u arrestuan dy ish-deputetë të PS dhe u trondit pozita e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, pasi dolën përgjimet e tij me grupin Avdylaj nga Shijaku.

“Çfarë është liria kur je brenda PS-së”, pyeti Rama të rinjtë dhe përgjigjen e dha vetë.

“Kur hyn në një parti nuk i bën do të gjitha. Diskutojmë ne me njëri tjetrin dhe kemi ndonjë shok që thotë jam njeri i lirë. Jo mo se nuk je njeri i lirë, je i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je i lirë të dalësh atje e të gjuash me gurë shtëpinë ku jemi bashkë se nuk ka kuptim”, tha Rama.

E si për të treguar që ky mesazh mund t’i adresohet Xhafajt që si ministër i Brendshëm arrestoi dy anëtarë të “familjes” socialiste, Rama shtoi edhe këtë fjali shumë dyshuese: “Nëse do të dalësh t’i gjuash me gurë shtëpisë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë”.

Pohimet e kryeministrit mund të mos kenë qenë me tendencë, por të ardhura në një moment delikat për qeverinë, çdo aludim mund të vlejë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews