Ballina Aktualitet Kosovë Konflikti Kosovë-Serbi, për Liqenin e Ujmanit (Video)

Konflikti Kosovë-Serbi, për Liqenin e Ujmanit (Video)

Top Story transmetoi për herë të parë pamje ekskluzive të Liqenit të Ujmanit, që nga serbët ndryshe njihet si Gazivoda. Ky liqen ndan Kosovën dhe Serbinë, dhe mund të krijoj një konflikt mes këtyre dy shteteve.

Ujmani furnizohet nga Serbia dhe Mali i Zi, ka një sipërfaqe prej 12 km2, me një thellësi prej 105 metrash dhe shtrihet 75 % e tij në territorin e Kosovës. Pjesa tjetër e Liqenit shtrihet në territorin e Serbisë.
Por përveç aspektit natyror, Ujmani ka një rëndësi jetike për ekonominë e Kosovës.

Vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike e Kosovës pa ujin që merr nga Ujmani. Në rast të ndërprerjes së ujit, i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet elektrike, Kosova përballet direkt me kolaps energjetik.

Uji i liqenit shërben gjithashtu për vaditjen e 20 mijë hektarëve tokë bujqësore të Kosovës si dhe për fabrikën e “Ferronikelit” në Drenas.

Ujmani është ndërtuar midis viteve 1979-1984, nga kompania e ndërtimit “Hidroteknika” dhe është projektuar nga Kompania “EnergoProjekt” me seli në Beograd.

Diga e liqenit, ose siç thirret ndryshe Penda e Ujmanit, ka kushtuar plot 90 milion dollarë, ku 45 milion dollarë janë marrë kredi në Bankën Botërore dhe janë paguar nga Serbia ndërsa 45 milion dollar të tjera janë derdhur nga fondi i Kosovës, si pjesë e Republikës së ish Jugosllavisë.

Aktualisht, Prishtina përfiton rreth 10 milion euro në vit nga të ardhurat e Ujmanit, ndërsa Serbia merr në mënyrë ilegale 6.5 milion euro energji elektrike.

Të ardhurat për Serbinë, në fakt nuk shkojnë për investime, por për të fuqizuar strukturat paralele në Veri të Kosovës. Struktura paralele janë institucione të pushtetit të Serbisë të cilat funksionojnë dhe ofrojnë shërbime brenda territorit të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare është përpjekur për të vendosur rendin në këtë pjesë të territorit të Kosovës, por deri më tani ka dështuar. Kosova e menaxhon Liqenin e Ujmanit në distance, nga Prishtina, pasi në terren kjo është e pamundur. Mbi digën e Hidrocentralit të Ujmanit valviten flamuj të Serbisë.

I gjithë liqeni shtrihet në një gjatësi prej 24 kilometrash, ndërsa ndahet mes Kosovës dhe Serbisë, në pikën kufitare të Bërnjakës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews