Ballina Sport Juventusi, leksion Mourinjos. Reali dhe Siti nuk gabojnë

Juventusi, leksion Mourinjos. Reali dhe Siti nuk gabojnë

Cristiano Ronaldo u rikthye në Manchester, për t’u përballur me “Djajtë e kuq” të Unitedit, skuadër në të cilën edhe nisi shkëlqimin e tij, plot 15 vite më parë, kur erdhi nga Sportingu i Lisbonës, për t’u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm të formacionit të Alex Ferguson.

Gjithsesi, pavarësisht lojës mjaft të mirë, portugezi nuk arriti të lërë shenjë në këtë takim, që gjithsesi u fitua nga Juventusi me rezultatin minimal 0-1, falë një goli të shënuar nga argjentinasi Paulo Dybala, i cili po konfirmon edhe njëherë se është njeriu “Champions”.

Bardhezinjtë e Allegrit bënë një pjesë të parë perfekte dhe arritën të dominojnë kundërshtarin, teksa gjetën edhe golin me Dybalën, që shfrytëzoi një largim të gabuar të mbrojtjes angleze, për të ndëshkuar portierin De Gea.

Manchester United u zgjua në pjesën e dytë dhe zhvendosi lojën tërësisht në gjysmëfushën juventine, por nuk arriti të shënojë golin që do t’i jepte të paktën një pikë në këtë sfidë, teksa rastin më të mirë e pati Pogba, por topi i tij u përplas në shtyllë.

Reali i Madridit u rikthye te fitorja që i mungonte prej shumë javësh, teksa mposhti modestët çekë të Viktoria Plzenit me rezultatin 2-1, në sfidën e luajtur në “Santiago Bernabeu”.

Karim Benzema dhe mbrojtësi brazilian Marcelo shënuan golat për madrilenët e Lopeteguit, ndërsa për çekët rihapi takimin Hrosovksy 10 minuta nga fundi i ndeshjes.

Fitore të pastër 3-0 mori edhe Roma përballë rusëve të CSKA-së, në një sfidë të dominuar tërësisht nga verdhekuqtë e Di Francescos, ndërsa golat u shënuan nga Edin Dzeko, dy herë dhe turku Under.

David Silva, Laporte dhe Bernardo Silva sihin autorët e golave për Manchester Cityn, që rrëmbeu një fitore 0-3 në transfertën e vështirë ukrainase ndaj Shakhtar Donetskut.

Lyoni nuk shkoi më shumë se një barazim spektakolar 3-3 në Gjermani, teksa kaloi dy herë në avantazh përballë Hoffenhaimit, ndërsa Ajaxi shënoi një gol në shtesë, për të marrë 3 pikët nga përballja me Benficën në Amsterdam.

Më herët, Bayerni i Mynihut triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertën greke ndaj AEK-ut të Athinës, falë golave të Javi Martinezit dhe Robert Lewandowskit, ndërsa Valencia nuk mori më shumë se një barazim 1-1 në transfertën zvicerane ndaj Young Boys.

@tn.lajmelokale
@tetovanews