Ballina Bota Gjermania drejt një “Ostpolitike” të re?

Gjermania drejt një “Ostpolitike” të re?

Nga Ulrich Speck

Gjatë 2 dekadave të fundit, politika e jashtme gjermane ka ecur në 2 drejtime:disa aktorë kryesorë kanë parë nga Perëndimi dhe kryesisht Amerika, ndërsa të tjerët nga Lindja drejt Rusisë. Qeveria kuqe-gjelbër e viteve 1998-2005, na jep një shembull të mirë.

Në mandatin e tij të dytë, kancelari Gerhard Shrëder i Socialdemokratëve (SPD) u përqendrua në marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, në një përpjekje për të krijuar një kundërpeshë ndaj Amerikës së Xhorxh W.Bushit, së bashku me presidentin francez Zhak Shirak.

Por, ndërsa Shrëder po shfrytëzonte refuzimin e luftës në Irak për përfitimet e veta elektorale, ministri i tij i jashtëm, Joshka Fisher i të Gjelbërve, i cili ishte njëlloj kundërshtar i luftës në Irak, vazhdoi të artikulonte pikëpamje krejtësisht pozitive mbi Amerikën.

Kancelarja Angela Merkel, e cila pasoi Shrëderin në detyrën e kancelares, është padyshim një “perëndimore”. E rritur në Gjermaninë Lindore nën sundimin sovjetik, Merkel e sheh Perëndimin e udhëhequr nga SHBA-ja, si një kundër-model politik dhe kulturor, ndaj asaj që përjetoi në vitet e para të jetës së vet.

Megjithatë ministrat e saj të jashtëm, kanë qenë të prirur të përqëndrohen më tepër tek Rusia. Frank-Valter Shtajmajer, ish-shefi i kabinetit të Shrëder, në dy mandatet e tij (2005-2009 dhe 2013-2017) u përpoq fillimisht ta sillte Rusinë më pranë Perëndimit, nën temrin “partneritet i modernizuar”, dhe pastaj ndonëse shpërthyen tensione të mëdha rreth Ukrainës, vazhdoi të argumentojë pa u lodhur, nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimit me Moskën.

Guido Vestervele, ministër i jashtëm në vitet 2009-2013, ishte po aq i butë ndaj Moskës, duke bërë thirrje për “më shumë respekt” ndaj kësaj të fundit. Sigmar Gabriel, i cili pasoi Shtajmajerin në vitin 2017, ishte një skeptik i hapur i sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës, dhe një forcë shtytëse për projektin e një gazsjellësi të dytë midis Rusisë dhe Gjermanisë, “Nord Stream 2”.

Shrëder, Shtajnmajer dhe Gabriel, i përkasin të gjithë SPD-së, që e konsideron Ostpolitikën e themeluar nga Vili Brand në vitet 1970, si markën e saj të politikës së jashtme. Në fakt, Ostpolitika ende luan një rol të rëndësishëm në diskursin publik të Gjermanisë, veçanërisht në rradhët e socialdemokratëve.

Por ndërsa Ostpolitika gjatë Luftës së Ftohtë, synonte të nxiste ndryshime politike në lindje, dhe ishte e orientuar drejt Evropës Qendrore, dhe jo më pak ndaj Rusisë, sot ky term është shndërruar shpesh në një sinonim për marrëdhënie të mira me Kremlinin.

Përkundër këtij sfondi, ministri i Jashtëm aktual Heiko Mas, gjithashtu një socialdemokrat, ka bërë një ndryshim të habitshëm të kursit. Vetë Mas, është në përgjithësi një “perëndimor” ashtu si Merkel. Ai ka një angazhim të fortë ndaj vlerave liberale dhe perëndimore, dhe i kushton rëndësi të veçantë rregullave dhe institucioneve ndërkombëtare.

E megjithatë, “Perëndimi” i tij duket ndonjëherë më i përcaktuar nga Franca se sa nga Amerika (Mas vjen nga Sar, një rajon fqinj me Francën). Menjëherë pasi u bë ministër i Jashtëm në mars të këtij viti, ai e bëri të qartë se ai nuk do të ndiqte hapat e Shtajnmajer dhe Gabriel në lidhje me Rusinë.

Ai nuk pranoi të përdorte retorikën e zakonshme mbi nevojën “ndërtimit të urave” me Moskën, dhe për të “mbajtur kanale të hapura”, të cilat shpesh ishin të shoqëruar me kritikat ndaj qasjeve “shabllon” që Perëndimi ka ndaj Rusisë. Përkundrazi, Mas ka vendosur një ton të ri, duke vënë në dukje se “nëse Rusia e përcakton veten gjithnjë e më shumë në dallim, madje edhe në antagonizëm me Perëndimin”, atëherë kjo e ndryshon “realitetin e politikës sonë të jashtme”. Dhe kohët e fundit, Mas ka filluar të flasë mbi nevojën e një “Ostpolitike të re”, që është më e fokusuar tek Evropa Qendrore.

Një pikë kyçe e qasjes së tij të re, është se shtetet anëtare të BE duhet të koordinojnë më mirë politikat e tyre ndaj Moskës:”Ne kemi nevojë për një mirëkuptim midis të gjithë anëtarëve të BE-së, në lidhje me themelet e veprimit të përbashkët ndaj Rusisë”- është shprehur Mas. Sipas tij një Ostpolitikë e re, duhet të marrë në konsideratë nevojat e të gjithë evropianëve – ato të shteteve balltike, Polonisë, si dhe të vendeve të Evropës Perëndimore.

Për të arritur këtë unitet, Gjermania duhet të veprojë si një urë-ndërtuese, duke balancuar çarjen e fundit midis Lindjes dhe Perëndimit të BE-së, të shkaktuar nga kriza e refugjatëve. Në vend se thjesht të kritikojnë fqinjët e Lindjes për qëndrimet e tyre, “gjermanët, duhet të mësojnë ta shohin Evropën më shumë nëpërmjet syve të evropianëve të tjerë”, tha Mas.

“Ne gjermanët në veçanti, duhet të ndalojmë parjen e krizës së emigracionit përmes lenteve të moralit, dhe sidomos përplasjen me partnerët tanë nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Gënjeshtra e ndërsjelltë dhe moralizimi arrogant, vetëm sa do të thellojnë ndarjet”- theksoi shefi i diplomacisë gjermane.

Një hap i parë konkret në këtë drejtim, ishte pjesëmarrja e Mas në takimin e tretë të Nismës së Tre Detrave në Bukuresht në shtator 2018, ku gjithashtu bëri të qartë, se Gjermania do të donte t’i bashkohej këtij grupimi. Nisma, e ndërmarrë nga Polonia dhe Kroacia, synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në infrastrukturë dhe energji, nga Balltiku në Mesdhe nëpërmjet Detit të Zi.

Në një fjalim të mbajur në Bukuresht në muajin gusht, Mas parashtroi kontekstin strategjik të vizionit të tij. Së pari, qëllimi kryesor për Mas është një “një Evropë sovrane dhe e fortë”, në një periudhë kur motori franko-gjerman, nuk është më “i aftë ta shpjerë i vetëm përpara Evropën”.

Së dyti, ka një sfidë nga Kina. “Evropa duhet të ketë kujdes nga përçarjet, që mund t’i ndodhin për shkak të ndërhyjeve nga jashtë. Kina ka ambicie të qarta ekspansioniste, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore. Ndaj, ne kemi nevojë për një politikë të përbashkët evropiane në marrëdhëniet tona me Kinën. Vetëm atëherë, Kina do të na perceptojë si një partner në një nivel të barabartë”- tha ai.

Së treti, ekziston një presion edhe nga Rusia. “E njëjta gjë vlen edhe për Rusinë. Si evropianë, ne duhet të mbrojmë parimet e rendit evropian të paqes dhe sigurisë. Vetëm një kulturë e veprimit të përbashkët, dhe e koordinuar në qasjen tonë ndaj lagjes tonë lindore, mund të prodhojë marrëdhënie të mira me Rusinë”- theksoi ai.

Kjo është “muzika” e re që po luhet në Berlin. Mas po i vë kapakun një politike ndaj Rusisë, që nuk ka arritur rezultatet e dëshiruara. Në vend se të bëhej më liberale, demokratike dhe paqësore, Rusia është bërë më shumë autokratike dhe agresive ndaj fqinjëve të saj dhe Perëndimit.

Njëherazi, Mas po sinjalizon se Gjermania e kupton rëndësinë strategjike të Evropës Qendrore dhe Lindore, në kohën e një ripërtëritje të rivalitetit mes fuqive të mëdha. Ky është një rajon ku Gjermania duhet të angazhohet thellësisht, dhe jo vetëm përmes mekanizmit të BE-së.

Sfida më e madhe për Mas, do të jetë shndërrimi i ideve dhe iniciativave të tij në realitet politik. Ministri i Jashtëm, do të ketë nevojë për mbështetje të konsiderueshme nga kancelarja Merkel, në mënyrë që të bindë partnerët e Evropës Qendrore, se linja e re gjermane është e vërtetë, veçanërisht për shkak se besueshmëria gjermane është minuar dukshëm, nga mbështetja e vazhdueshme e Berlinit për projektin “Nord Stream 2”.

Gjermania duhet të gjejë një rrugë të mesme, duke balancuar një qasje të bazuar në vlerat ndaj Hungarisë dhe Polonisë (lidhur me qëndrimet e tyre ndaj demokracisë liberale), dhe nevojën për ta mbajtur Europën të bashkuar, në një mjedis konkurrues dhe shumë-polar gjeopolitik. Bashkëpunimi me fqinjët lindorë të Gjermanisë mbi infrastrukturën dhe energjinë, nëpërmjet nismës së Tre Detrave, siç ka propozuar Mas, duket si një hap i mirë i parë.

Shënim: Ulrich Speck, është bashkëpunëtor në think-tankun German Marshall Fund (GMF), me qendër në Berlin.
Burimi: Berlin Policy Journal

Në shqip nga bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews