Ballina Aktualitet Lajme FAZA E DYTË E NEGOCIATAVE PËR NATO, “MAQEDONIA KA PRITUR PËR NJË...

FAZA E DYTË E NEGOCIATAVE PËR NATO, “MAQEDONIA KA PRITUR PËR NJË KOHË TË GJATË”

Në selinë e NATO-së në Bruksel sot filloi faza e dytë e negociatave aderuese për anëtarësim në NATO, që përfshinë çështje ushtarake dhe politike. Pas kësaj faze duhet të caktohet korniza kohore për anëtarësim në NATO. Koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski, njoftoi se tashmë kanë filluar reformat e nevojshme për plotësimin e kushteve për anëtarësim.

“Kemi dy sesione, dy paradite, dy pasdite. Ashtu do të jetë edhe nesër. Kaluam shumë mirë. Sesionet ishin të shpejta dhe efikase. Maqedonia është kandidati i cili pret më shumë kohë, pothuajse 20 vjet. Për herë të parë e morëm këtë status në vitin 1999 në Samitin e Uashingtonit në NATO. Prej atëherë deri më sot kemi 19 rrethe të programeve vjetore për anëtarësim”, tha Stevo Pendarovski, Koordinues Nacional Për Nato.

Sesioni i dytë i fazës përfundimtare të negociatave aderuese për anëtarësim në Aleancë do të vazhdojë nesër.

“Ekipet tona këtu, nga të gjitha ministritë që moti janë të gatshëm për këtë gjë. Vetëm e kemi pritur këtë moment i cili ndodhi në qershor kur e morëm ftesën, të hapet ky proces formal për anëtarësim dhe mendoj se ky proces është formal për shkak se kemi njerëz shumë të aftë nga të gjitha ministritë, që e dinë punën e tyre”, u shpreh Stevo Pendarovski, Koordinues Nacional Për Nato.

Në këtë fazë mbetet edhe një hap të bëhet, hapi i fundit – deputetët në Kuvendin e Maqedonisë ta aprovojnë Marrëveshjen e Prespës si rrugë e vetme për realizimin e anëtarësimit në Aleancë – thotëPendarovski.

Megjithatë, qëndrimi i NATO-së është i qartë – pa implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e plotfuqishme. Këtë gjë disa herë e përsëriti edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg.

“Mënyra e vetme të anëtarësoheni në NATO është përmes implementimit të marrëveshjes me Greqinë. Nuk ekziston mënyrë tjetër”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i Nato-së.

Përndryshe, më 11 korrik të këtij viti, u konfirmua ftesa e NATO-së për Maqedoni. Nëse procesi zhvillohet sipas planit, pritet që negociatat të mbarojnë deri në janar 2019. Pas ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvendin e Greqisë, brenda një viti, do të pasojë edhe ratifikimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nga kuvendet e të gjithë vendeve anëtare, pas çka Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.

Përgatiti: Dançe Azmanova

@tn.lajmelokale
@tetovanews