Ballina Aktualitet Lajme Emri i Maqedonisë, miratohet me 80 vota pro nisma për ndryshimet kushtetuese...

Emri i Maqedonisë, miratohet me 80 vota pro nisma për ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Qeveria e Maqedonisë ia ka dalë mbanë të sigurojë votat për të miratuar nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugën ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, e po ashtu edhe rrugën drejt integrimit euroatlanti.

Në Kuvend votuan pro 80 deputetë, sa 2/3-tat e nevojshme për ndryshime kushtetuese. Tashmë qeverisë i jepen 15 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës.

Mes votuesve, Alsat Maqedonia raporton se kanë votuar edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, që i identifikon si Vladanka Aviroviç, Sashe Vasilevski, Elizabeta Kançevska-Milevska, Krste Mukovski, Emilija Aleksandrova, Ljuben Arnaudov, Nola Ismailovska si dhe Zeqir Rançiloviç.

Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, deputetët e opozitës morën pjesë, edhe pse kishin theksuar më herët se seanca konsiderohej e përfunduar. Votimi ishte programuar për t’u zhvilluar gjatë drekës, për t’u shtyrë për në orën 21 dhe për të nisur rreth një orë më vonë. Në fillim të seancës, deputetet e VMRO-së kërkuan që të votohej në mënyrë të fshehtë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews