Ballina Bota Britania, Rusia dhe çështja Skripal

Britania, Rusia dhe çështja Skripal

Identifikimi e një oficeri të dytë të shërbimit sekret rus, i dyshuar për kryerjen e një sulmi nervor në Angli në fillim të këtij viti, po nxit zemërimin në prapaskenë në Kremlin, i cili ka gjasa të reagojë duke spastruar gradat e larta të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, raporton media e Rusisë.

Të hënën, portali investigativ Bellingcat identifikoi të dyshuarin e dytë përgjegjës për helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia si Aleksandër Mishkin, një mjek që punonte për GRU të Rusisë.

Faqja e internetit tha se ishte në gjendje të bënte identifikimin pas marrjes së një kopjeje të skanuar të pasaportës së tij aktuale dhe duke konfirmuar detajet rreth personit, njerëzit që e njihnin dhe duke përdorur informacione të tjera nga burime të hapura.

Muajin e kaluar, Bellingcat, së bashku me gazetarët investigativë të portalit mediatik, Russian Insider, identifikuan personin tjetër të dyshuar si veteran i forcave speciale, Anatoliy Chepiga, një kolonel në shërbimin e kundërzbulimit rus, GRU. Chepiga përdorte pseudonimet Ruslan Boshirov ndërsa Mishkini përdorte pseudonimin, Alexander Petrov.

Ish-sekretari i jashtëm britanik William Hague thotë se zbulimet nga Bellingcat dhe burime të tjera mbi përpjekjen e GRU-së për eliminim personash kanë “hedhur dritë mbi hipokrizinë që fshihet pas mohimeve të pafundme” nga Kremlini për çdo përfshirje të Rusisë në tentativën për vrasje. “Qeverive të tjera dhe publikut të gjerë do t’u hapen sytë për të parë atë që po ndodh vërtetë,” tha zoti Hague.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe zyrtarët e Kremlinit kanë hedhur poshtë akuzat për operacionet e GRU-së në përpjekjen për vrasje e Skripalit dhe gjithashtu i cilësojnë si fantazi, akuzat se shërbimet sekrete ruse zhvillojnë të ashtu-quajturat operacione aktive në Evropë dhe gjetkë. Kremlini është shprehur në mënyra të ndryshme se helmimi i Skripalit nuk ndodhi kurrë, se akti u krye nga agjentë britanikë në mënyrë që të fajësonin Rusinë ose që palët e treta si përgjegjës.

Sergei Skripali ishte një agjent i dyfishtë për inteligjencën britanike në vitet 1990. Në dhjetor 2004 ai u arrestua nga autoritetet ruse, u gjykua, u dënua për tradhti të lartë dhe u dënua me 13 vjet burg. Ai u përfshi në një shkëmbim spiunësh të stilit të Luftës së Ftohtë më 2010 dhe u vendos në qytetin anglez Salisbury.

Deklaratat e Moskës se nuk ka pasur lidhje me helmimin vihen në pikëpyetje nga gjurmët që lanë pas vrasësit e mundshëm të GRU-së. Gjithashu Kremlini është vënë në pozitë të vështirë nga agjentë të tjerë të GRU-së në operacionet e fundit të spiunazhit rus në Evropë, të cilët dukeshin se vepronin pa profesionalizmin tradicional të spiunimit. Javën e kaluar, autoritetet holandeze dhe britanike zbuluan një ekip të GRU-së prej katër vetësh që disa muaj më parë kishin tentuar të hakeronin kompjuterët e agjencisë globale që mbikqyr armët kimike. Agjecia e ka selinë në Holandë.

Helmi i përdorur, sipas autoriteteve britanike, ishte novichok, një agjent shumë i rrezikshëm nervor dhe, sipas analistëve, është thuajse e garantuar se Mishkini ka luajtur rol në spërkatjen me helm të bravës së derës në banesën e Skripalit, siç mendohet se u krye sulmi.

“Dr. Mishkin ndoshta e dinte, më mirë sesa shumica e vrasësve, atë që po përpiqej të bënte”, komentoi Ben Macintyre, një historian i spiunazhit, në numrin e së martës të gazetës The Times.

Ligjvënësi britanik Bob Seely, anëtar i komitetit të punëve të jashtme të parlamentit britanik, tha: “Është e tmerrshme që në një ekip të operativëve të GRU-së duket se bënte pjesë një mjek”.

Një grua vendase që nuk ishte e lidhur me sulmin fillestar në Salisbury vdiq në korrik pasi u ekspozuar ndaj të njëjtit agjent, i cili ishte futur në një shishe parfumi të hedhur në një kazan plehrash. Gruaja britanike Dawn Sturgess vdiq pasi pa e ditur kishte spërkatur kyçet e duarve me agjentin nervor novichok.

Sipas portalit Bellingcat, Aleksandër Jevgenyevich Mishkin lindi në korrik1979 në fshatin e vogël Loyga, në rrethin Arkangelsk të Rusisë Veriore. Nëna e tij punonte në industrinë e lëndës drusore, babai i tij druvar. “Ai studioi dhe u diplomua nga një prej Akademive Ushtarake Mjekësore të Elitës dhe u stërvit si mjek ushtarak për forcat e armatosura detare ruse”. Bellingcat thotë se ai u rekrutua gjatë studimeve mjekësore mjek dhe në vitin 2010 u zhvendos në Moskë , ku mori një dokument të dytë identiteti dhe pasaportë udhëtimi nën emrin Aleksander Petrov.

Çuditërisht, dhe përsëri duke shkelur protokollin tradicional të spiunimit, identiteti i rremë i Mishkinit përmbante shumë prej hollësive të biografisë së tij të vërtetë, duke përfshirë ditëlindjen e tij të vërtetë, emrin e tij të parë dhe dhe emrat e prindërve të tij. Për disa vite ai përdori edhe adresën e selisë së GRU-së si adresën e e shtëpisë.(VOA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews