Ballina Aktualitet Lajme ASH kërkon nga kryeministri Zaev shkarkimin e Bujar Osmanit

ASH kërkon nga kryeministri Zaev shkarkimin e Bujar Osmanit

Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për shkarkimin e menjëhershëm të Bujar Osmanit, Zëvendës Kryeministri për çështje evropiane i paditur për korrupsion.

“Aleanca për Shqiptarët përshëndet njoftimin e djeshëm nga Zyra e Prokurorit Special Publik për një valë të re të aktakuzave në rastet e keqpërdorimeve të zbuluara nga skandali i përgjimeve.
Veçanërisht e mirëpritur është padia ndaj Zëvendës Kryeministrit për çështjet evropiane, Bujar Osmani, e cila shënon hapjen e rastit të parë domethënës kundër një zyrtari të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Kryeministrit Zaev që menjëherë të shkarkojë Bujar Osmanin duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave të ngritura kundër tij për keqmenaxhim të fondeve shtetërore në vitin 2010, ndërsa ai ishte Ministër i Shëndetësisë”, thuhet në komunikatën e ASH-së.

Ata kanë shtuar se pas kësaj aktakuzë, Bujar Osmani nuk e ka legjitimitetin moral për të udhëhequr agjendën e integrimit evropian e as strategjinë e qeverisë për të zbatuar prioritetet e reformave urgjente të BE- së që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat janë kryesisht të lidhura me reformën e sektorit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Për më tepër, qëndrimi i tij në detyrë do të dëmtonte seriozisht pavarësinë e gjyqësorit, duke pasur parasysh nivelet e larta të ndërhyrjes politike në gjyqësor të theksuara në të gjitha vlerësimet e pavarura, së fundmi nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Bujar Osmani duhet të shkarkohet menjëherë për t’iu mundësuar gjyqtarëve që të jenë në gjendje të marrin vendime pa
ndërhyrje dhe presione politike”, thuhet më tej në reagimin e ASH-së.
Sipas tyre BDI ka qeverisur vendin bashkë me VMRO-DPMNE për një dekadë, me skandale korruptive në shkallë të gjerë, kapje të shtetit dhe raste të motivuara politikisht të montuara kundër shqiptarëve të pafajshëm.

“ Imuniteti që zyrtarët e korruptuar të BDI-së kanë gëzuar në qeverinë e Zaev ka nxitur mosbesim të konsiderueshëm në gjyqësorin midis qytetarëve, siç është theksuar edhe nga OSBE-ja në raportin e saj të parë vlerësues për punën e Prokurorisë Speciale. Kjo dhe skandalet e përditshme korruptive që kanë përfshirë Zëvendës Kryeministrin Koço Angjusev dhe disa ministra të tjerë të kabinetit kanë ndikuar në masë të madhe në rezultatin e referendumit të 30 shtatorit mbi Marrëveshjen e Prespës, pasi qytetarët gjithnjë e më shumë ndjejnë se një regjim i ri i bazuar në korrupsion dhe klientelizëm po e zëvendëson regjimin e vjetër.

Kjo qeveri nuk është më kredibile. Shkarkimi i menjëhershëm i Bujar Osmanit dhe i ministrave të tjerë të kabinetit të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike që do t’i kishte numrat e nevojshëm për të kaluar reformat kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe realizimin e barazisë së plotë të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë, përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Mosveprimi i Kryeministrit Zaev tani do të dëmtonte edhe më seriozisht besimin e qytetarëve në gatishmërinë e qeverisë për integrimin në NATO dhe BE dhe në këtë mënyrë do të rrezikonte procesin që është iniciuar më 27 prill 2017 për të ankoruar përgjithmonë Maqedoninë me Perëndimin” qëndron në reagimin e Aleancës për Shqiptarët. /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews