Ballina Bota Analiza ANALIZA: SHBA-ja dhe Kina po luajnë një lojë të rrezikshme, çfarë ndodh...

ANALIZA: SHBA-ja dhe Kina po luajnë një lojë të rrezikshme, çfarë ndodh më pas?

Nga Stejsi Godard

Ushtarët amerikanë dhe kinezë, luajtën një lojë të rrezikshme në Detin e Kinës Jugore këtë javë, duke shtuar tensionet në rritje, lidhur me çështjet tregtare, dhe akuzat për ndërhyrjen e Pekinit në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Marrëdhëniet SHBA-Kinë duket të jenë në terren të lëkundshëm- por çfarë do të dalë prej këtyre tensioneve?

Për politologët, një pyetje e rëndësishme vitet e fundit, është nëse Kina do të mbetet një partnere e fortë në “rendin ndërkombëtar liberal”, apo do të bëhet një “fuqi revizioniste”, e cila do të përmbysë institucionet ekzistuese, në ndjekje të agjendës së saj globale. Shumë studiues besojnë, se anëtarësimi i Kinës në institucionet kyçe të sigurisë, institucionet ekonomike dhe politike, do të kufizojë ambiciet e saj.

Të tjerët nuk bien dakord më këtë parashikim. Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes e SHBA-së, e publikuar më herët gjatë këtij viti, shprehu shqetësimin në rritje, “se Kina dhe Rusia dëshirojnë të formësojnë një botë, në përputhje me modelin e tyre autoritar”.

Në fakt, Pekini ka sfiduar  institucionet e sigurisë në Azinë e Paqësorit, normat territoriale të kontestuara në Detin e Kinës Jugore, dhe ka ngritur institucione ekonomike alternative, siç është Banka Aziatike e Investimeve të Infrastrukturës (AIIB), dhe Nisma e Brezit dhe Rrugëve. Studimi im sugjeron, se anëtarësimi i Kinës në institucionet ekzistuese, nuk ka të ngjarë të frenojë ambiciet e Pekinit. Dhe ja cilat janë arsyet:

Institucionet ndërkombëtare, sigurojnë burime për revizionizëm

Kur kombet u bashkohen institucioneve, anëtarësimi i tyre rrit koston e sfidimit të statuskuosë, e lidh vendin me këto institucione, dhe madje i “socializon” ato tek normat globale. Megjithatë, nga 14 skenarë potencialë që nga 1815 e këtej, në vetëm 3 raste – Rusia e hershme të shekullit XIX-të, dhe Japonia dhe Gjermania e Luftës së Ftohtë- regjimet revizioniste e pranuan rendin ekzistues institucional.

Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve, nuk e pengoi Japoninë të pushtonte Mançurinë në vitin 1931, apo Gjermaninë dhe Italinë nga ndjekja e ambicieve të tyre ekspansioniste. Po pserevizionizmi është aq shumë i përhapur? Së pari, bashkimi me institucionet u jep në fakt vendeve burime për të sfiduar statuskuonë. Për shembull ato mund të rrisin aftësinë e tyre për të mobilizuar aleatët.

Së dyti, revisionistët potencialë mbajnë lidhje me institucionet jashtë rendit dominues, të cilat sigurojnë burime shtesë për të minuar statuskuonë. Për shembull Bashkimi Sovjetik mbështetej tek institucionet jashtë rendit perëndimor të udhëhequr nga SHBA-ja, për të ndjekur strategjinë e vet revolucionare.

Institucionet mund të ulin koston e strategjive revizioniste

Shumë studiues, e barazojnë revizionizmin me dhunën e kushtueshme – duke treguar luftërat hegjemoniste të zhvilluara nga Franca Napoleonike, Japonia Perandorake dhe Gjermania Naziste. Nga kjo perspektivë, është e vështirë të imagjinohet që Kina të sfidojë statuskuonë aktuale. Lufta është thjesht tepër e kushtueshme.

Por sfiduesit revolucionarë ndaj urdhrave ekzistues, mund të adoptojnë një numër strategjish, dhe madje mund të përdorin kanalet e institucioneve ekzistuese, për të ndjekur qëllimet e tyre. Vetëm kur Japonia Perandorake humbi burimet institucionale për të sfiduar statuskuonë në mënyrë paqësore, iu kthye forcës së saj ushtarake.

Institucionet ndërkombëtare, krijojnë “mundësi të mëdha”

Disa studiues pretendojnë se nëse një shtet ka synime revolucionare, ai do përpiqet të përmbysë rendin institucional, madje edhe me koston e luftës. Nëse ambiciet e një shteti janë më të kufizuara, atëherë ai mund të nxisë reforma të vogla, por nuk ka gjasë të ndodhë një ndryshimi i gjerë institucional.

Në fakt, mundësitë kryesore mund të jenë forca lëvizëse në shumë raste. Kjo do të thotë se edhe kombet me synime modeste, ndjekin projekte revolucionare kur rendi institucional duket i pjekur për ndryshim. Për shembull, s’ka asnjë dëshmi se Japonia Perandorake kishte një plan revolucionar, kur filloi të zgjerohej në Azinë e Paqësorit në fillim të shekullit të XX-të.

Kur udhëheqësit japonezë pretenduan kolonitë e fuqive europiane dhe aneksuan Korenë, ata po reagonin në mënyrë opportuniste, për të krijuar të çara në rendin perandorak perëndimor në Azi-Paqësor.

Kina dhe rendi institucional

Çfarë do të thonë këto rezultate për Kinën, dhe institucionet aktuale globale? Anëtarësimi i Kinës në institucione si Organizata Botërore e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, e kanë rritur aftësinë e tij për të kërkuar reforma brenda këtyre institucioneve.

Kina gjithashtu ka zhvilluar burimet e saj institucionale, si banka AIIB dhe Nisma e Brezit dhe Rrugës, që ndoshta i garanton partnerë të rinj në Azinë Jugore, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Kina ka gjasa të zgjerojë ambiciet e saj, si një reagim ndaj këtyre lloj mundësish të reja, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të tërhiqen nga drejtimi i rendit global.

E gjithë kjo sugjeron, që Kina mund të synojë arritjen e ndryshimeve të gjera në statuskuonë ndërkombëtare, në një të ardhme jo shumë të largët. Si për ironi, kjo mund të jetë për shkak të anëtarësimit të Kinës në institucionet ndërkombëtare.

Shënim: Stejsi E.Godard, është profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Uellslej dhe autore e librit “Kur e drejta prodhon të drejtën: Forcat në ngjitje dhe rendi botëror”.(“The Washington Post”,bota.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews