Ballina Bota Analiza ANALIZA: Fillimi i fundit i kancelares Merkel

ANALIZA: Fillimi i fundit i kancelares Merkel

Angela Merkel dorëzon postin e kryetares së partisë së saj CDU. Ky është fillimi i fundit i karrierës së saj aktive politike. Si kancelare pa postin e kryetares së partisë ajo do të ketë edhe më pak pushtet, më pak hapësirë manovruese, më pak mundësi për formësimin e politikës. Po fillon faza e fundit e kancelares, e cila qeveris Gjermaninë nga viti 2005. Një kancelare e dobësuar nuk pritet të bëjë ndonjë vepër të madhe as në politikën e jashtme. Çka domethënë kjo për Ballkanin dhe sidomos Kosovën?

Nga Enver Robelli

Kështu fillon fundi. Pas 18 vjet qëndrimi në postin e kryetares së CDU-së, partisë kryesore konservatore të Gjermanisë, Angela Merkel ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë më për këtë funksion. Kështu bëjnë të ditur mediat gjermane. Në një mbledhje të kryesisë së partisë të hënën Merkel, sipas burimeve të gazetave kryesore gjermane, ka deklaruar se ajo nuk do të synojë funksionin e kryetares së CDU-së në kongresin e partisë që planifikohet të mbahet në fillim të dhjetorit.

Tërheqja e Angela Merkel nuk vjen papritur. Në zgjedhjet e së dielës në landin e Hessenit, CDU humbi mbi 11 për qind. Ndonëse CDU në këtë land mbetet partia e parë dhe – sipas të gjitha gjasave – do të vazhdojë të qeverisë bashkë me të Gjelbrit, rënia e përkrahjes është mesazh i qartë për Merkelin: votuesit duan një fillim të ri edhe në Berlin. Para humbjes së hidhur në Hessen, Merkel nuk arriti të bind grupin parlamentar të CDU-së për të rizgjedhur në postin e shefit të grupit njeriun e saj të besueshëm, Volker Kauder. Rrëzimi i Kauder ishte një goditje e rëndë ndaj Merkelit. Edhe anketat e fundit janë frikësuese për CDU-në: vetëm 24 për qind e votuesve përkrahin CDU-në në nivel nacional.

Merkel do të vazhdojë të jetë vetëm kancelare e Gjermanisë. Deri më tani ajo përherë kishte thënë se të dy postet duhet të jenë në duart e një personi. Por, presioni i madh pas rënies së mbështetjes, pas disfatës në Hessen, pas rritjes konstante të përkrahjes për partinë nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe pas grindjeve të pandalshme në kabinet të provokuara nga ministri i Brendshëm Horst Seehofer lidhur me emigracionin, e kanë detyruar kancelaren të ndërrojë mendje dhe të tërhiqet nga posti i shefes së CDU-së.

Me dorëzimin e postit të kryetares së partisë fillon fundi i karrierës aktive politike të Angela Merkelit. Si kancelare pa postin e kryetares së partisë ajo do të ketë edhe më pak pushtet, më pak hapësirë manovruese, më pak mundësi për formësimin e politikës. Pra, po fillon faza e fundit e kancelares, e cila qeveris Gjermaninë nga viti 2005. Një kancelare e dobësuar nuk pritet të bëjë ndonjë vepër të madhe as në politikën e jashtme. Çka domethënë kjo për Ballkanin dhe sidomos Kosovën?

Merkel ka qenë një mbështetëse e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian. Gjatë qeverisjes së saj Mali i Zi dhe Kosova janë bërë të pavarura, ndërsa Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi janë anëtarësuar në NATO. Kroacia është pranuar edhe në BE. Serbia ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, Shqipëria dhe Maqedonia pritet të fillojnë negociatat në vitin e ardhshëm. Me pranimin e gati një milion refugjatëve nga Siria dhe vatrat e tjera të konflikteve Merkel në vitin 2015 ka shmangur një krizë të madhe në Ballkan: shumica e këtyre refugjatëve kanë kaluar nëpër rrugën e ashtuquajtur «shtegu i Ballkanit». Pranimi i refugjatëve ka hasur në rezistencë të madhe nga qarqet nacionaliste në Gjermani dhe nga partia simotër e CDU-së, CSU-ja nga Bavaria. Ky debat e ka dobësuar shumë pozitën e Merkelit.

Sa i përket Kosovës, Gjermania nën kancelaren Merkel nuk ka qenë aq aktive, së paku jo në krahasim me ndikimin politik që ka ky vend në Europë. Pas vitit 2011, kur Merkel acaroi raportet me kryetarin serb Boris Tadiq, i cili e kundërshtoi kërkesën gjermane për biseda mes Beogradit dhe Prishtinës, Berlini ka përkrahur mjaftz hapur liderin e ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tepër gjatë është besuar se Vuçiq si politikan me të kaluar nacionaliste është i gatshëm të bëjë hapa konkretë drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur dhe Gjermania prapë e ka toleruar Vuçiqin. Më 2011 Merkel kërkonte nga Serbia njohjen e Kosovës, një vit më parë ministri i saj i jashtëm Guido Westerwelle kishte thënë qartë gjatë vizitave në Beograd e Prishtinë se kufijtë në Ballkan tashmë janë vizatuar dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Në vitin 2018 për Kosovën flitet pothuaj vetëm në kontekst të ndarjes apo, siç thuhet, «korrigjimit» të kufijve. Negociatat shumëvjeçare pa cak e pa qëllim përfundimtar, që janë zhvilluar në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, po i kthehen Kosovës si bumerang. Merkel e ka kundërshtuar ndryshimin e kufijeve, por pa i bërë presion Serbisë për të pranuar Kosovën. Duke qenë se tani ka filluar perëndimi i saj politik, gjasat që Merkel të involvohet në favor të Kosovës dhe të rrisë presionin kundër Beogradit po zvogëlohen. Kjo automatikisht domethënë forcim i atyre që përkrahin idenë e ndarjes e Kosovës.

Nën qeverisjen e Merkel, e cila ka mandat si kancelare edhe tri vjet, por nëse vazhdon ky trend negativ mund të tërhiqet me herët, Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE-në, ka arritur në fund të procesit të liberalizimit të vizave dhe Gjermania ka hapur tregun për mijëra specialistë nga Kosova. Por, hapja e tregut ka edhe anët negative: Kosovës dhe shumë vendeve të rajonit po i merret pikërisht ajo shtresë e hollë e mesme, mjekë, inxhinierë dhe specialistë të tjerë, të cilët do të duhej të ishin shtylla e zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë.

Se kush do të jetë kryetar i ri i CDU-së, partisë së Helmut Kohlit dhe Angela Merkelit, nuk dihet ende. Mediat gjermane raportojnë se ambicie ka shpallur Friedrich Merz, ish-shef i grupit parlamentar të CDU-së, të cilin Merkel e kishte larguar para shumë viteve. Që nga viti 2009 Merz është kryetar i «Atlantik-Brücke» (Ura e Atlantikut), një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1952, e cila synon forcimin e lidhjeve ekonomike, financiare, arsimore dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si kandidatë të tjerë për postin e shefit të CDU-së përmenden edhe sekretarja e përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, ministri i shëndetësisë Jens Spahn dhe kryeministri i landit Nordrhein-Westfalen Armin Laschet.

Angela Merkel u zgjodh për herë të parë në parlamentin gjerman në vitin 1990. Më 1991 ajo me iniciativë të Helmut Kohlit mori postin e ministres për çështje të grave dhe rinisë, ndërsa më 1994 u zgjodh ministre e ambientit. Më 1998 u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së. Pas shpërthimit të skandalit lidhur me donacionet ilegale për CDU-në, Schäuble dha dorëheqje dhe Merkel u bë kryetare e CDU-së në prill të vitit 2000. Meqë ish-kancelari Kohl nuk pranoi të tregoi emrat e donatorëve të partisë, Merkel e detyroi atë të heq dorë nga posti i kryetarit të nderit të CDU-së. Nën qeverisjen e Merkel Gjermania u bë një superfuqi e pakontestueshme ekonomike në Europë dhe po ashtu u rrit ndikimi politik i Berlinit në botë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews