Ballina Aktualitet Kosovë Vizita e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq po shoqërohet me tensione

Vizita e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq po shoqërohet me tensione

Rrugëtimi i presidentit serb, Aleksander Vuçiq në Kosovë ka ngecur. Policia e Kosovës ndali presidentin serb, duke theksuar se nuk ka siguri për udhëtimin për shkak të protestave.

Policia e Kosovës e ka ndalur presidentin serb në rrugën Zubin Potok-Banjë duke e njoftuar se barrikadat kundër vizitës së tij janë në gjatësi prej 2 kilometra dhe nuk ka siguri për të vazhduar udhëtimin, njoftojnë mediat. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e hoqi lejen për vizitën në Drenicë. Ai ka shkruar në Facebook se “siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.” Por pavarësisht ndalesës nga kryeministri Ramush Haradinaj, ai është nisur në drejtim të Drenicës për të vizituar fshatin Banjë të Skënderajt, të banuar me shumicë serbe. Vuçiqi është kthyer mbrapsht nga Policia e Kosovës.

KFOR ka reaguar të dielën me një komunikatë, ku theksohet se është duke punuar për sigurimin e vizitës së presidentit serb. Lidhur me bllokimin e rrugës për në Banjë, KFOR thotë se po punon me Policinë e Kosovës për të siguruar heqjen e barrikadave.

Reagime për vizitën e presidentit serb ka pasur edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në Facebook ka shkruar, se e e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revolten e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.” Por Thaçi e vë theksin tek rëndësia e arritjes së paqes dhe pajtimit. “Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit.”

Në Prekaz të Sipërm në Skënderaj banorët dhe veteranët e luftës së Kosovës kanë ngritur në mëngjesin e së dielës barrikada kundër ardhjes së Vuçiçit. Ata nuk duan të lejojnë kalimin e tij pa kërkuar falje për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë. Forcat e KFOR-it shkuan menjëherë për të zhbllokuar situatën. Vuçiç vazhdon ditën e dytë të vizitës së Kosovë, e cila që në fillim pati mjaft kontestime.

Ndërsa Televizioni i Serbisë njofton se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri në Kosovë. Ka dhe pamje ku shihet tym dhe zjarr në barrikada. Presidenti i Serbisë Vuciq thotë, pa e deklaruar burimin e informacioneve, se me armë zjarri ka shtënë personi me emër Rrahim Geci nga Llausha”. Korrespondetët e Dë nga vendi i ngjarjes njoftojnë se atje kanë mbërritur edhe njësitë e KFOR-it, por ato janë tërhequr diku pas orës 10. Një makinë me targa serbe është goditur me shishe plastike.

@tn.lajmelokale
@tetovanews